Lajme

Prag tragjedie në Spitalin e Durrësit. Godina në flakë, zhvendosen dhjetra pacientë

Dhjetra pacientë në Spitalin e Durrësit u nxorrën me shpejtësi në orët e natës pas flakëve që përfshinë godinën, ku për pasojë, disa prej pacientëve janë zhvendosur në Tiranë të asfiksuar nga tymi i flakëve.

Zjarri ka rënë pak pas mesnatës dhe ka përfshirë më shumë se gjysmën e godinës. Policia thotë flakët kanë nisur pas një shkëndije në kabinën elektrike të katit të parë të godinës për shkak të ngarkesës së madhe në rrjet.

Flakët kanë rënë fillimisht në katin e parë, aty ku ndodhet e vendosur kabina elektrike pranë repartit të ortopedisë dhe më vonë janë përhapur me shpejtësi në të gjithë rrjetin dhe kabinat në tre katet e tjera të spitalit.

Ndërhyrja e zjarrfikëses ka shmangur përshkallëzimin e tragjedisë, ndërsa punonjësit e spitalit dhe të patrullave policore që iu përgjigjen thirrjes për ndihmë kanë nxjerrë jashtë godinë rreth 80 pacientët

Prokuroria e Durrësit thotë se ka nisur hetimet për ngjarjen në fjalë, pasi ky është një rast i përsëritur për herë të tretë që prej ndërtimit të godinës. Prokuroria ka marrë dosjen e instalimeve elektrike, ndërkohë që në një intervistë për Report TV, inxhinieri elektrik i spitalit, Edmond Palodhi fajëson ngarkesën e madhe në rrjet.

“Zjarri ka rënë nga ngarkesa në rrjetin elektrik për shkak të stinës dhe ngrohëseve në ambientet e spitalit. Zjarri si fillim ka rënë në katin e parë tek pavioni i neurologjisë dhe më pas, meqënëse janë me një kolonë të gjithë katet e rrjetit ka avancuar në kat të dytë, të tretë dhe të katërt”, thotë ai.

Flakët kanë shkrumbuar kabujt dhe shpërndarëset e rrjetit dhe për këtë arsye, inxhinieri Palodhi deklaron se për rikthimin në funksion plotësisht të godinës do të duhet shumë kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë