Futboll

Prag derbi, policia publikon masat për ruajtjen e rendit

Është dita e derbit Tirana – Partizani dhe i gjithë kryeqyteti është i përfshirë nga atmosfera e kësaj ndeshje që mungonte prej një viti në vendin tonë. Por një mbledhje e madhe e tifozëve përveç anës spektakolare krijon edhe vend për probleme të mundshme apo edhe incidente. Për të shmangur çdo gjë të tillë dhe një mbarëvajtje të kësaj ndeshje, Policia e Tiranës ka bërë publike masat për ruajtjen e rendit.

Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në ambientet e jashtme të stadiumit si dhe përgjatë rrugë kalimeve të tifozërive.

Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ. Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme si armë apo lëndë piroteknike etj.

Një pikë shumë e rëndësishme në njoftimin e Policisë ka të bëjë edhe me çështjen delikate të kontrollit të tifozëve për kartat e identitetit. Në njoftim bëhet me dije se çdo tifozë duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi para  se të hyjnë në stadium. Gjithashtu nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Siç ndodh zakonisht disa orë para fillimit të ndeshjes, dy tifozeritë marshojnë para se të shkojnë në stadium.

Për këtë shkak, policia bën me dije se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore

Kështu, segmentet rrugorë që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes, janë:

– Rruga përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”

– Rruga “Gjin Bue Shpata”, nga kryqëzimi me Rrugën “Emin Duraku” deri tek kryqëzimi me Rrugën “Sulejman Delvina”

– Rruga “Emin Duraku”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek rruga përball Stadiumit “Selman Stërmasi”

– Njëra korsi e Rrugës “Sulejman Delvina”, nga kryqëzimi me Rrugën “Gjin Bue Shpata” deri tek kryqëzimi me Rrugën përballë Stadiumit “Selman Stërmasi”

Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 17:30 - 19:30, gjatë kalimit të tifozerisë së ekipit të “Tiranës”, janë:

Nisja përballë “Teatrit të Kukullave” përgjatë rrugës “Ibrahim Rugova”, bulevardit “Gjergj Fishta”, përgjatë rrugës “Sami Frashëri”, rrugës “Pjetër Budi”, rrugës “Gjin Bue Shpata” deri tek stadiumi “Selman Stërmasi”.

Segmentet Rrugorë ku do të ketë kufizime lëvizje ose bllokime, nga ora 18:00 – 19:30, gjatë kalimit të tifozerisë së ekipit të “Partizanit”, janë:

Nisja nga kryqëzimi i Rrugës “Muhamet Gjollesha” me Rrugën “Artan Lenja”, përgjatë Rrugës “Muhamet Gjollesha”, Rruga “Sulejman Delvina”, deri tek Stadiumi “Selman Stërmasi”.

Policia garanton dhe siguron lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejoj grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar. Në fund të njoftimit të saj, Policia e Tiranës, kërkon mirëkuptimin e tifozërive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë