Politike

PR përgatitet të dalë e vetme në zgjedhje, Mediu: Bashës po i kërkojmë “hakun”

Partia Republikane po përgatitet që të dalë edhe e vetme në zgjedhjet e 25 prillit, nëse Lulzim Basha nuk do të plotësojë kërkesat e saj për të përfshirë në listat fituese të kandidatëve jo vetëm Fatmir Mediun në Tiranë.

“Ne do të vazhdojmë aktivet nëpër rrethe dhe deklarimin e kandidatëve të Partisë Republikane dhe e them edhe njëherë, jo në dëm të koalicionit, jo në dëm të marrëdhënieve (me PD), por në shërbim të marrëdhënieve, por edhe për të qënë të përgatitur në rast të fundit, në qoftë se ne do të na duhet të dalim vetëm si Parti Republikane, gjë të cilën nuk e uroj asnjëherë”, kreu i PR-së, Fatmir Mediu.

Ai foli gjatë një takimi që pati me Besnik Mustafajn dhe Arben Çejkun. Në fjalën e mbajtur, Mediu tha se Partisë Demokratike nuk po i kërkon asgjë më shumë nga sa i takon në bazë të peshës elektorale.

“Ne mund t’i referohemi çdolloj rezultati elektoral, si të Partisë Demokratike dhe të Partisë Republikane dhe partive të tjera, për të përcaktuar se ku është pesha elektorale e Partisë Republikane, ku është pesha elektorale e Partisë Demokratike, si është shtrirja gjeografike e votave të Partisë Republikane dhe në të gjitha qarqet, se ku e ka vendin Partia Republikane në renditjen e kandidatëve”, u shpreh ai.

Kreu i PR-së kujtoi me nostalgji bashkëpunimin me Berishën, ndërsa tha se do të bëjë përpjekjet maksimale që të ketë një koalicion të përbashkët me PD-në e Bashës.

“Kemi një historik 30-vjeçar, e thamë dhe në aktivin që bëmë, një marrëdhënie të jashtëzakonshme që kemi krijuar me zotin Berisha, zotin Mustafaj dhe të tjerë ndër vite, por sot jemi në një përgjegjësi akoma më të madhe dhe unë jam i prirur deri në fund, si drejtues i Partisë Republikane, që ne të kemi një koalicion të përbashkët, sepse besoj që kjo është rruga e vetme për të arritur që të fitojmë zgjedhjet, por njëkohësisht duke shprehur dhe përgjegjësinë tonë, përballë cdo republikani të thjeshtë dhe demokrati që na kanë besuar ndër vite dhe që duan që të ndryshojë kjo situatë”, u shpreh ai.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka ofruar Fatmir Mediut vetëm përfshirjen e emrit të tij në listën e sigurtë të Tiranës. Ndërkohë, Mediu ka deklaruar se “nuk mund të njësohet PR thjesht me emrin e një njeriu”, duke nënkuptuar se kërkon edhe emra të tjerë të kësaj partie në listat e sigurta të PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë