Ekonomi

PPP-të kapin gjysmën e GDP-së, FMN: Kujdes me transparencën dhe koston e tyre

Fondi Ndërkombëtar Monetar deklaron se koncesionet sipas skemës partneritet publik-privat mbeten me rrezik të lartë për qëndrueshmërinë financiare të Shqipërisë dhe kërkon dyfishim të përpjekjeve për menaxhimin e investimeve publike.

Sipas parashikimit të FMN-së, në fund të këtij viti vlera e PPP-ve të dhëna nga Qeveria do të arrijë 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose rreth 8 miliardë dollarë. Rritja është me 17 për qind në krahasim me vitin 2018, kur vlera e PPP-ve vlerësohej në 33 për qind.

“Rritja e fortë dhe e shpetë e partneriteteve publike-private, që parashikohet të arrijë në 50 për qind të PBB-së në 2021, nga 33 për qind që ishte në 2018-n, kërkon dyfishim të përpjekeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike”, thotë FMN.

FMN vëren se mungojnë të dhëna të qarta se sa të përhapura janë PPP-të dhe cila është kostoja e tyre e përgjithshme.

“Shqipëria do të përfitojë shumë nga përpjekjet për të vëzhguar dhe menaxhuar më mirë rreziqet fiskale. Mungesa e të dhënave të qarta nga ekspozimi i Qeverisë ndaj PPP-ve mbetet një sfidë. Skemat e garancisë sovrane, që po rriten janë gjithashtu një rrezik i shtuar fiskal. Në këtë kontekst, është me rëndësi forcimi i sektorit energjitik dhe ndërmarrja e reformave të ujit, që janë shtyrë në vitet e fundit”, thotë FMN.

FMN deklaron se se ka mungesë transparencë në kostot e investimet publike me financim të brendshëm, kontrata të paqarta dhe shkelje të afateve të tyre.

“Investime publike me financim të brendshëm u rritën fort prej 2020. Sfidat kryesore janë mungesa e transparencës për kostot, shkeljet e afateve dhe moszbatim i kritereve të përzgjedhjes, përfshirë kur PPP-të përmbyllen në parashikimin buxhetor afatmesëm. Është me rëndësi që kapaciteti i Ministrisë së Financave të forcohet për të mbikëqyrur përzgjedhjen, vlerësimin dhe vëzhgimin e zbatimit të PPP-ve. Procesi i dhënies së PPP-ve duhet të përputhet me gjendjen e buxhetit”, thotë FMN.

Në lidhje me rritjen ekonomike, FMN parashikon që ajo për këtë vit të jetë 5.3 për qind. Raporti thotë se deficiti buxhetor do të mbetet i lartë edhe për këtë vit dhe borxhi publik do të arrijë 80 për qind.

Sa i takon ekonomisë, FMN rithekson se problem mbetet konkurrueshmëria strukturore në krahasim me vendet e rajonit.

“Forcimi i institucioneve, reduktimi i hapësirave korruptive, infrastruktura dhe adresimi i mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar janë faktorët që do të përmirësojnë klimën e biznesin”, thotë FMN.

Për rritjen e pagave minimale, që qeveria premton se do të shkojë në 32 mijë lek duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe 38-40 mijë lek në fund të këtij mandati, FMN këshillon që çdo nismë e tillë duhet të shoqërohet me masa për të reduktuar informalitetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë