Para

Pothuajse gjysma e depozitave të shqiptarëve janë pa afat

Epoka e normave të ulëta të interesit po i shtyn gjithnjë e më shumë depozituesit t’i mbajnë paratë në llogari të hapura rrjedhëse ose depozita pa afat.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit korrik, llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat përbënin rreth 48.6% të totalit të depozitave bankare. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, depozitat në formë likuide përbënin 45.2% të totalit.

Sipas statistikave, në muajin korrik, interesi mesatar i depozitave 12-mujore në lekë ishte 0.42%, me një ndryshim jo shumë të madh nga ai i llogarive rrjedhëse (0.14%) dhe depozitave pa afat (0.26%).

Në përgjithësi, normat e interesit për depozitat pa afat ose afatshkurtra, kanë një tendencë të lehtë në rritje krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, gjatë 12 muajve të fundit, bankat kanë ulur edhe më shumë normat e interesit për depozitat me maturim dy, tre dhe katërvjeçar, në një interval uljeje mes 0.17 dhe 0.25 pikë përqindje.

Në euro, diferencat janë edhe më të ngushta, me depozitat 12-mujore që kanë një normë interesi 0.12%, ndërsa llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat janë shumë afër zeros.

Këto zhvillime kanë bërë që depozituesit të kenë edhe më pak stimuj për t’i mbyllur paratë në depozita me afat, duke preferuar t’i mbajnë në llogari likuide, nga mund t’i tërheqin në çdo kohë. Nga ana tjetër, pasiguria e krijuar nga kriza e re ekonomike, shkaktuar nga pandemia e Covid-19, duket se është një shtysë tjetër drejt instrumenteve sa më likuide të kursimit.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, sektori bankar pagoi rreth 3.97 miliardë lekë për interesa, 5% më pak krahasuar me një vit më parë. Në pjesën dërrmuese, bëhet fjalë për interesa të depozitave të publikut. Shpenzimet për interesa përbëjnë tashmë rreth 16% të të ardhurave nga interesat, ndërsa pesë vjet më parë përbënin mbi 25%.

Grafiku i   depozitave

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave bankare në mesin e këtij viti ishte 1.23 trilionë lekë ose afërsisht 10 miliardë euro. Rreth 85% e tyre përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë, që përjashton depozitat me maturim mbi dy vjet, si edhe llogaritë dhe depozitat e qeverisë.

Rënia e depozitave me afat të individëve

Që nga fillimi i vitit 2012, kur nisi dhe politika e uljes së normës bazë nga Banka e Shqipërisë, që ndikoi në uljen e interesave të lekut, por dhe rënia e kthimeve nga euro, depozitat në afat në total të individëve në të gjitha monedhat ranë me 35%, ose rreth 232 miliardë lekë.

Në të njëjtën kohë, depozitat pa afat të individëve në të gjitha monedhat u rritën me 303%, ose gati 212 miliardë lekë.

Në total, depozitat e individëve (me dhe pa afat) janë tkurrur me rreth 3% në raport me janarin 2012.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë