Futboll

Portieri shqiptar Arijanet Muric debutues me Manchester City

Portieri shqiptar që luan me përfaqësuesen e Kosovës, Arijanet Muric pritet të bëjë debutimin e tij që nga minuta e parë me Manchester City. Gardiani 19-vjeçar është përzgjedhur nga Pep Guardiola që të mbrojë portën e skuadrës kampione të Anglisë në ndeshjen e parë të Carabao Cup kundër Oxford.

Këtë verë Arijanet Muric u zgjodh nga Pep Guardiola si portieri i dytë i Manchester City. Pas dëmtimit të Claudio Bravo, gardiani që luan me përfaqësuesen e Kosovës, u zgjodh që të ishte portieri i dytë, pas brazilianit Ederson Moraes. Me shumë ndeshje në dispozicion për Ederson, politika e Guardiola ka qenë e tillë, që në kompeticionet sekondare të luajnë futbollistët e rinj dhe në portë të jetë numri dy, duke i dhënë pak pushim brazilianit. Pikërisht në ndeshjen e Carabao Cup në portën e kampionëve të Anglisë do të jetë shqiptari Arijanet Muric.

19-vjeçari është shumë i ngjashëm në disa aspekte me portierin e parë dhe ka fituar besimin e Guardiola-s për të qenë titullarë në ndeshjen me Oxford Utd mbrëmjen e së martës. Dy vitet e fundit Muric ka qenë i huazuar në disa ekipe të ndryshme jashtë Premier League, ku e ka fituar eksperiencën e duhur dhe tashmë është gati për të mbrojtur katërkëndëshin e kampionëve të Anglisë. Mediet angleze shkruajnë se në dy ditët e fundit Muric është përgatitur veçmas me trajnerin e portierëve për të qenë gati edhe psikologjikisht për këtë debutim që nga minuta e parë me Manchester City. Debutimi i tij do të jetë historik, pasi do të jetë futbollisti i parë i përfaqësueses së Kosovës, që luan që nga minuta e parë me një skuadër të Premier League. Më herët me Manchester City ka luajtur edhe futbollisti tjetër i Kosovës, Besart Celina, por asnjëherë nga minuta e parë.

https://www.youtube.com/watch?v=2T1j5frtDsY&t=9s

Arjianet Muric me herët në një intervistë për Gazeta Si deklaroi se do të bënte maksimumin për të merituar fanellën e një klubi si Manchester City. Muric para disa muajsh zgjodhi të luaj me përfaqësuesen e Kosovës, teksa në ndeshjet e fundit në Uefa Nations League, ai ishte në stol si portieri i dytë pas kapitenit, Samir Ujkani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë