Lajme

Porosi nga Italia, arrestohet në Shkodër 50-vjeçari për trafik droge

Policia ka vënë në pranga një 50-vjeçar në Shkodër, i akuzuar si pjesëtar i një organizate kriminale ndërkombëtare.

Nga operacioni “Brokers” zhvilluar mes Policisë italiane dhe Policisë shqiptare për goditjen e një organizate kriminale në fushën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, është arrestuar në qytetin e Shkodrës shtetasi L. D., 50 vjeç, banues në Shkodër.

Operacioni është zhvilluar edhe në Itali në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë së qytetit të Tranit, ku u godit një organizatë kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve, në zonën e qyteteve të Andrias dhe Cerignolas.

Hetimet për këtë operacion kishin filluar pas vrasjes së shtetasit italian F. F., në qytetin Trani, në janar të vitit 2015.

Siç thuhet në njoftimin e policisë, personi që kontrollonte dhe organizonte trafikun e drogës nga Holanda, Gjermania dhe Shqipëria ishte një shtetas shqiptar, i cili nëpërmjet njohjeve të tij i siguronte organizatës kokainë, heroinë dhe hashash. Sasia e drogës vinte me anë të korrierëve që zakonisht e fshihnin në ndarjet e dyfishta në makina.

Kjo organizatë e kishte qendrën në qytetin e Foggias. Si rezultat i hetimeve të përbashkëta mes Policisë italiane dhe Policisë se Shtetit u arrit që të arrestoheshin 20 persona dhe të sekuestroheshin 440 kg droga të ndryshme si kokainë, heroinë dhe hashash, si dhe disa armë zjarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë