Ne rrjet

Pompeo në Shkup: Ruhuni nga Rusia dhe Kina

Në një vizitë në Shkup, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka paralajmëruar liderët e vendeve të Ballkanit për rreziqet e mundshme nga investimet kineze dhe ndikimin rus.
Gjatë turit të tij parë në Ballkanin Perëndimor, Mike Pompeo ka deklaruar se Uashingtoni mbështet plotësisht vendet e rajonit drejt integrimit europian.
“Siç e kam theksuar kudo në Evropë, unë i paralajmërova për rreziqet e investimeve kineze në teknologjitë e ndjeshme dhe strategjinë e ryshfetit të Kinës, për të siguruar investime në infrastrukturë”, ka deklaruar Pompeo pas takimit me zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Zoran Zaev, Sekretari amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni mbështet institucionet në procesin e anëtarësimit në NATO dhe për integrimin në BE. Pompeo tha se “zemra dhe mendja e qytetarëve të Maqedonisë duhet të udhëheqin shtetin dhe jo ndikimet ruse në rrjetet sociale”.
“Demokracitë duhet të udhëhiqen nga brengat e qytetarëve dhe të luftojnë kundër ndikimeve të këqija. Zemra dhe mendja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duhet të udhëheqin shtetin dhe jo ndikimet ruse në rrjetet sociale… Do të doja t’u tërhiqja vëmendjen edhe për pjesëmarrjen e Kinës në fushën e teknologjive të ndjeshme”, deklaroi Pompeo.
"Presidenti Trump tha në Kombet e Bashkuara tha se e ardhmja u takon shteteve sovrane dhe të pavarura që i mbrojnë qytetarët e saj dhe të respektojnë fqinjët. Maqedonia e Veriut reflekton këtë frymë. SHBA-ja do të vazhdojë të jenë partner me ju për të mirën e qytetarëve tuaj, për rajonin dhe botën”, ka thënë Pompeo, duke theksuar rëndësinë që ka për të ardhmen e vendit edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe dukurive tjera negative.
“Të gjitha ata që e kanë keqpërdorur besimin e marrë, duhet të japin llogari. Si demokraci udhëheqëse në botë, SHBA-ja mbështet shtetet që luftojnë për sundimin e së drejtës. Lufta kundër korrupsionit është shumë e rëndësishme për integrimin e vendit në BE dhe në NATO”, është shprehur Sekretari amerikan i Shtetit.
Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev ka thënë se mbështetja amerikane për Maqedoninë e Veriut është shumë e rëndësishme për të sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e saj.
“Ne jemi të gatshëm që me ritëm edhe më të fuqishëm të marrim pjesë në të gjitha nismat globale që konfrontohen me dezinformimet dhe kërcënimet për demokracinë. Me anëtarësimin tonë në NATO kontributi ynë në këtë sferë do të paraqesë nxitje edhe më të madhe dhe dimension të ri. Anëtarësimi në NATO është vendim sovran që ka mbështetje të madhe politike dhe konsensus ndëretnik”, ka deklaruar Zaev.
Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, është e para e një niveli kaq të lartë që nga vizita e ish-sekretarit, Colin Powell, 19 vjet më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë