Mendim

Politikanët e zgjuar veshin gjithnjë kostum!

Veshjet e politikanëve nuk kanë rëndësi vetëm për markat e shtrenjta apo stilin por edhe simbolikën, pasi janë mjeti më i  fuqishëm i krerëve të shtetit për të transmetuar fuqi, autoritet, stabilitet, patriotizëm dhe siguri.  Kjo është edhe arsyeja përse udhëheqësit perëndimorë respektojnë pothuajse në të gjitha rastet publike kodin e veshjes, duke u fotografuar pothuajse gjithnjë me kostume të errëta, këmishë dhe këpucë serioze.

“Veshja e kostumeve tregon një angazhim serioz, është një deklaratë zyrtare se një president, kryeministër apo kryebashkiak është duke e marrë seriozisht punën që i është besuar," thotë John Murphy,  profesor në Universitetin e Ilinoisit.

 Por nëse serioziteti në daljet publike është kaq i rëndësishëm, atëherë përse shumë politikanë shqiptarë përfundojnë duke u veshur si adoleshentë në intervista apo ngjarje të rëndësishme, dalje me të cilat nuk ngurrojnë të konfirmojnë krekosjen edhe në faqet e tyre zyrtare?

Kryeministri Edi Rama dhe Linda Rama, Gazeta Si, 20 gusht 2019

Politikanët shqiptarë shpesh nuk arrijnë të kuptojnë se publiku vëren gjithçka për veshjen e tyre dhe mënyra sesi ata vishen është edhe një indikator sesa seriozisht e marrin pozicionin për të cilin po kandidojnë, apo institucionin të cilin drejtojnë.

Për shembull, publiku i gjerë u fokusua më shumë tek pantallonat e shkurta dhe këmbët e zbathura të kryeministrit Edi Rama gjatë një interviste me “Euronews”, sesa tek mesazhet që përcolli i pari i qeverisë. Madje kjo paraqitje e pazakonte publike në një televizion ndërkombëtar si “Euronews” nuk la pa habitur as vetë gazetarin europian. Jack Parrock, ka publikuar një fotografi në krah të kryeministrit shqiptar, teksa ka zhvilluar një intervistë me të në vilën qeveritare në Dhërmi, duke shkruar se Rama i priti “miqtë” zbathur dhe me pantallona të shkurtra.

Edi Rama dhe gazetari i "Euronews" Jack Parrot, Gazeta Si, 20 gusht 2019

Sigurisht publiku shqiptar është mësuar tanimë me kombinime e guximshme të kryeministrit, atletet, poturet e zeza apo kravatat shumë ngjyrëshe, por nuk e kishte menduar se Ramës do t’i bashkëngjitej në këtë sfidë edhe presidenti Ilir Meta.

Daljet e fundit publike të Kreut të Shtetit kanë qenë edhe më të pazakonta sesa ato të kryeministrit pasi Meta është shfaqur në disa raste pa bluzë dhe me pantallona të shkurtra. Në postimet e tij në rrjetet sociale, presidenti shfaqet shumë sportiv, me atlete dhe t-shirt, duke shijuar bukuritë natyre të Shqipërisë.

Edhe veshjet e bashkëshortes së tij, dhe kryetares së LSI-së kanë qënë përgjatë muajve të fundit mjaft casual, pasi ndoshta edhe për shkak të protestave, zonja Kryemadhi duket se ka zgjedhur komfortin mbi elegancën. Ai që ka ruajtur gjithnjë seriozitetin në daljet publike duket të jetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili duket se e ka të vështirë të heqë dorë nga xhaketat apo kravatat.

Na pëlqen ose jo, vetë politikanët janë produktet për shitje dhe secili prej ka një ekip stilistësh dhe ekspertë të marrëdhënieve me publikun që kujdesen për imazhin e tyre. Kjo është edhe arsyjea përse veshje të ndryshme i lejojnë politikanët t’i “shesin” publikut një version tjetër të tyren.

Monika Kryemadhi

I relaksuar dhe i guximshëm

Politikanët shqiptarë veshin shpesh veshje të përditshme në ambiente zyrtare, për të treguar se janë njerëz të zakonshëm, ashtu si qytetarët që i kanë zgjedhur. Për shembull, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, Rama ka preferuar të vishte xhinse dhe një këmishë të bardhë me logo. Kjo veshje mund të mos ishte papërshtatshme për te kandiduar për një post të rëndësishëm në vendet perëndimore, por kryeministri duket se e ka kuptuar që thyerja e tabuve është pika e tij e fortë. Megjithatë, veshjet e pazakonta në përgjithësi kanë ndikim kontradiktor tek publiku.

Për publikun, është e lehtë të tregohet kur një politikan është i pakëndshëm vetëm nga veshja tij. Për shembull, Matteo Salvini kritikohet vazhdimisht për mënyrën si shfaqet në daljet publike, për shkak të veshjeve mjaft sportive, kamishave të gjëra, apo fotot e zhveshura nga pushimet në brigjet italiane. Po ashtu edhe kreu britanik, Bors Johnson kritikohet vazhdimisht për stilin e veshjes, flokët e pushpuritura dhe mungesën e seriozitetit në daljet publike.

Gjithnjë serioz dhe i sigurt

Disa politikanë, si Basha janë të njohur për veshjen e përshtatshme dhe të sigurt. Ata të preferojnë të veshin kostume të errëta dhe këmisha në tone të hapura . Ky është një stil i përqafuar nga shumë liderë botërorë, si presidenti Emmanuel Macron, Alexis Tsipras apo ish-kreu austriak Sebastian Kurz, pasi veshja e “e përshtatshme dhe e sigurt" nuk zhgënjen kurrë.
Njerëzit e dinë se çfarë të presin nga këta politikanë dhe serioziteti i tyre në daljet publike çon shpesh në rezultate pozitive zgjedhore.

Detajistë dhe elegantë

Disa politikanë i kushtojnë shumë vëmendje modës. Ata gjithmonë mund të kapen duke veshur marka të njohura, modele dhe materiale me cilësi të lartë. Kjo tregon se ata i kushtojnë vëmendje edhe detajeve më të vogla, gjë që tregon përkushtim ndaj imazhit. Një shembull do të ishte ish-presidenti Bill Clinton, Kennedi, kreu kanadez Justin Trudeau apo edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Politikanët që ruajnë gjithnjë elegancën në daljet e tyre publike perceptohen si figura të përpikta dhe të qëndrueshme që mund t'u besohet për të marrë vendime të rëndësishme.

Tradicional dhe konservator

Sigurisht, nuk është kusht që një politikan të ndjekë trendet e fundit të modës, por të qënit aktual i tregon shoqërisë që një kandidat mund të përshtatet me ndryshimin. Veshja tradicionale mund të shfaqë një paaftësi për t’u përshtatur ose për të ndryshuar, duke treguar kështu edhe kokëfortësi politike. Një shembull i mirë do të ishe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka vazhdon të ruajë të njëjtin stil veshjeje pavarësisht viteve të gjata në politikë.

Veshja si mjet për t’u afruar me publikun

Në përgjithësi politikanët perëndimorë shfaqen gjithnjë plot klas, dhe elegancë, por mundohen shpes të ndërthurin elemente sportive për t’i përçuar publikut mesazhe të fuqishme,.

Le të mendojmë për shembull për kapelet e kuqe sportive të presidentit amerikan Donald Trump, kostumet njëngjyrëshe të Hillary Klinton, këpucët e guximshme të ish-kryeministres britanike Theresa May, xhaketat e lëkurës se presidentit Barack Obama apo këmishat shumëngjyrëshe të Nelson Mandelës. Të gjitha këto veshje i përçojnë mesazhe të fuqishme qytetarëve të këtyre vendeve duke i afruar më shumë politikanët me qytetarët.

Presidenti Donald Trump, Gazeta Si, 20 gusht 2019

Por edhe “loja” me kapelet, apo kollaret ka gjithnjë një masë. Për shembull, për amerikanët do të ishte e paimagjinueshme që presidenti Trump të fotografohej këmbëzbathur, apo me kostum sportiv. E imagjinoni dot kancelaren gjermane Angela Merkel të publikojë foto me rroba plazhi duke notuar, apo presidentin Macron me poture? Jo, sepse siç thotë edhe“Financial Times”, politikanët e zgjuar veshin gjithnjë kostum.

Në një analizë të gjatë, gazeta prestigjioze britanike do të kritikonte ashpër korporatën JP Morgan dhe të gjithë zyrtarët e zgjuar për thyerjen e kodit të veshjes, duke shkruar se “burrat e zgjuar i qendrojnë besnikë kostumeve”.

“Nëse i braktisin politikanët dhe bankierët,atëherë kush do të veshë më kostumet? Avokatet? Njerëzit që shkojnë funerale? Jo kostumet janë bërë për burra të fuqishëm, njerëz që kanë në dorë të ardhmen e vendit dhe që dinë të marrin gjithnjë të marrin vendimet e duhura. Prandaj fakti që një zyrtar vesh çdo ditë kostum nënkupton se është i aftë të arrijë sukses në misionin e tij, Kostumet janë një mbështetje për burrat e zgjuar dhe ne kemi nevojë për ta” , do të shkruante gazetari i “Financial Times”, Robert Armstrong.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë