Mendim

Politika të bën keq për shëndetin!

Nga “Wall Stret Journal”– Amerikanët janë më të stresuar se kurrë dhe sipas psikologëve, psikiatërve dhe anketave të fundit, politika është shkaktarja kryesore. Një studim i botuar në shtator në revistën “PLOS One” zbuloi se politika është burimi më i madh i stresit për 38% të amerikanëve.

“Ka dhjetëra miliona amerikanë që e shohin politikën si një ‘tarifë’ për shëndetin e tyre shoqëror, psikologjik, emocional dhe madje edhe fizik,” thotë Kevin Smith, një nga autorët e këtij studimi. Ai intervistoi 800 persona, për të zbuluar se në fakt politika ishte një ndër shkaktarët kryesorë të stresit tek qytetarët amerikanë.

11% e të intervistuarve thanë se politika ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik, 18% thonë se kanë humbur gjumin për shkak të politikës, 26% thonë se janë ndjerë të depresionuar kur kandidati i tyre i preferuar kishte humbur garën. Sikur të mos mjaftonte kjo, 26% e të intervistuarve thonë se politika i ka bërë ata të urrejnë disa njerëz ndërkohë që 20% thonë se pikëpamjet e ndryshme politike janë bërë shkak për shkatërrimin e disa miqësive me vlerë.

Efektet duket se janë më të theksuara tek rinjtë e majtë që duan të angazhohen në politike. Amanda Johnson, një psikologe në Newton të SHBA-ë, thotë se ajo e ka vërejtur ndikimin negativ të politikës tek shumë prej pacientëve të saj.

“Njëri prej tyre ishte aq i dëshpëruar kohët e fundit sa më tha se dëshironte të mos kishte të bënte më fare me politikën”, tregon ajo. “Ai më tha se ishte i pavarur dhe kur ua shprehu këtë mendim disa anëtarëve të familjes dhe miqve, mori një reagim të ashpër prej tyre duke thënë se i duhej të zgjidhte një palë politike,” shprehet Johnson, duke treguar më tej se i kishte këshilluar pacientit rritjen e ilaçeve kundër ankthit. Ai nuk e kishte identifikuar më parë politikën si një burim stresi por duket se kjo kishte ndryshuar.

“Kohët e fundit kam vërejtur një rritje të pacientëve si ai,” thotë Dr. Johnson. “Ai ka qenë mjaft i qëndrueshëm që nga zgjedhjet por i rritet niveli i ankthit sa herë që ka një ngjarje të madhe politike.”

Problemet e zakonshme përfshijnë shqetësimet e gjumit dhe debatet me familjarët dhe miqtë kanë pikëpamje të ndryshme politike. Përplasjet në mediat sociale janë një tjetër burim tensioni. Johnson i këshillon pacientët të shkëputen nga mediat sociale dhe të shikojnë lajmet.
Ajo gjithashtu inkurajon pacientët të vendosin kufij me familjen dhe miqtë për të shmangur debatet.

Vaile Wright, drejtor i kërkimit dhe projekteve speciale për Shoqatën Psikologjike Amerikane, thotë se stresi i lidhur me politikën lidhet shumë me frikën për të ardhmen e vendit dhe shoqërisë.

Në sondazhin e vitit 2018, 69% e të anketuarve raportuan se ndjeheshin të stresuar për të ardhmen e vendit, krahasuar me 63% në vitin 2017, një rritje statistikisht e rëndësishme, thotë Dr. Wright.

Daniel Bristow, president i Shoqatës së Mjekëve Psikiatrikë në Oregon, thotë se ai duhej t’i jepte anti-depresant për herë të parë disa pacientëve ose do të shtonte dozat për disa të tjerë sa herë që në SHBA-ja kishte trazira politike.

Për pacientët që vuajnë nga simptoma si stres post-traumatik, rritja e pasigurisë mund t’i risjellë në sipërfaqe “simptomat e vjetra”. “E kam parë që shumë herë, pasiguria sjell përkeqësimin e simptomave të vjetra që më parë mund të mbaheshin nën kontroll,” thotë Dr. Bristow.

Ai ka parë njerëz në të dyja krahët politikë të ndikuar nga stresi i lidhur me politikën. Por ata që preken më rëndë janë ata me shqetësime personale, si emigrantët të ndarë nga familjet e tyre për shkak të politikave të imigracionit ose që kanë frikë nga dëbimi.

Carol Sabransky, një banore e Chikagos dhe ekzekutive në një firmë këshilluese, thotë se zakoni i saj për të kërcitur dhëmbët është përkeqësuar përgjatë viteve të fundit. Zakoni filloi vite më parë, pasi u bë nënë për herë të parë. Vitin e kaluar, ajo humbi dy dhëmbë nga kërcitja. Tani ajo ka vënë tela dhe një pajisje që e vendos në gojë natën për të mbrojtur dhëmbët nga kërcitja gjatë gjatë gjumit. Ajo thotë se stresohet nga “shëmtia dhe të gjitha gënjeshtrat dhe korrupsionin” në Uashington D.C.

“Kostoja e këtij mjedisi politik ka pasur pasoja fizike dhe psikologjike për mua” thotë ajo.

Laura Beatrix Newmark, një banore në Brooklyn thotë se ajo mori anti-depresantë për herë të pas zgjedhjeve të 2016-ës. “Të gjithë ranë dakord se ato ishin 100% stres,” thotë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë