Lajme

Politika si rrezik për investitorët, “Fitch” zhvlerëson Shqipërinë

Në raportin mbi rriskun politik afatshkurtër agjencia e njohur ndëkombëtare e vlerësimeve “Fitch Solutions” vë theksin se tensionet politike përgjatë 2019-ës kanë përkeqësuar klimën e të bërit biznes në Shqipëri dhe kanë shtuar dozat e rrisqeve për investitorët potencialë për 2020.

Në një shkallë vlerësimi nga 0 deri në 100, ku zero rrisku është maksimal dhe 100 klima për investitorët është optimale dhe rrisku nuk ekziston, “Fitch” rendiste Shqipërinë me 59.8 pikë në janar të vitit të kaluar.

Vlerësimi ndryshon me -6.3 pikë në rivlerësimin që “Fitch Solutions” bën në raportin e publikuar në dhjetor të 2019. Agjencia jep edhe arsyet kryesore që ndikuan në këtë zhvlerësim.

Shqipëria radhitet në listën e pesë vendeve, ku klima për investitorët është përkeqësuar më shumë përgjatë 2019. E përbashkëta është se në të gjitha këto vende ka patur protesta popullore. Zhvlerësimin më të madh e ka pësuar Sudani, ku protesta rrëzuan Qeverinë dhe vendi është futur në kaos.

Më pas radhitet Hong Kongu i përfshirë prej muajsh nga protesta masive kundër qeverisë së Kinës dhe Kili, ku që prej muajit tetor mijëra vetë protestojnë për rritje të pagave e pensioneve.

Përveç tensioneve dhe pasigurisë që buron nga konflikti politik, klima e investitorëve të huaj në Shqipëri përkeqësohet edhe nga rastet e dyshimta korruptive që dëbojnë investitorët e huaj. Është ende i freskët largimi i biznesmenit libanez, Faati Mitri që planifikonte të investonte miliona dollarë për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit. Ai dhe kompania që përfaqësonte u tërhoqën nga ky projekt pas dhunës që iu ushtrua në mes të ditës në rrugën e Rinasit.

Ajo që e bën akoma më të rëndë ngjarjen është fakti që askush nuk është dënuar për rastin në fjalë dhe për më tepër që njëri nga dhunuesit dyshohet se ishte shoferi i prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, që mbeti i plagosur në një atenat që iu krye në nëntor të vitit të kaluar.

Një tjetër shembull sesi dëbohen investitorët e huaj mbërrin nga shërbimi “Duty Free” në aeroportin e Rinasit. Verën e vitit të kaluar, kompanisë së Elona Çaushajt, bashkëshorte e gjyqtarit Gjin gjoni, “Albania Duty Free” i përfundonte kontrata e qirasë dhe duhej t’i lironte vendin kompanisë “International Cruise Duty Free”, në pronësi të një shtetasi amerikan.

Kjo kompani ishte shpallur fituese në tenderin e organizuar nga “Tirana International Airport” dhe priste marrjen e vendeve për të ushtruar aktivitetin. Por, në ditët e fundit përmes disa vendimeve të dyshimta gjyqësore, “Albanian Duty Free” vazhdon ta shfrytëzojë këtë hapësirë, ndërsa amerikanëve të “International Cruise Duty Free” vazhdon t’u zvarritet marrja e së drejtës të fituar me tender.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha solli zhvlerësimin që agjencia “Fitch Solutions” i bën Shqipërisë për klimën e të bërit biznes si një tjetër shembull se përse duhet të largohet Edi Rama.

“Sipas agjencisë prestigjioze ndërkombëtare Fitch, në vitin 2019 Shqipëria është bërë një vend edhe më i rrezikshëm për të investuar. Shanset tona për të tërhequr investime, të cilat i kemi shumë të nevojshme, po zvogëlohen përditë. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar është lodhur nga dështimet e kësaj qeverie”, shkruan Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë