Rend dhe Ligj

Policia shton kontrollet, gjen kanabis dhe arreston 22 persona në gjithë vendin

Pas vrasjeve të ndodhura gjatë javës së kaluar, Policia e Shtetit ka nxjerrë në të gjithë vendin 86 pika kontrolli për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale dhe rendit publik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, atyre me tendencë në krimet kundër personit etj.

Nga këto pika kontrolli gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë në pranga 22 shtetas, janë ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim, janë proceduar penalisht 7 shtetas, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas.

Rasti më flagrant ishte i Krujës, ku Policia gjeti 203 kg kanabis në Zallë të Fushë-Krujës. Po ashtu janë goditur dhe disa raste të tjera të trafikut të drogës dhe klandestinëve.

“Në fshatin Zallë, Fushë Krujë, gjatë kontrollit të ambienteve, banesave dhe territorit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 203 kilogramë lëndë narkotike cananabis sativa. Është arrestuar në flagrancë shtetasi F. Z., 59 vjeç, banues në Zallë, Fushë Krujë  dhe janë shpallur në kërkim shtetasit E. Z., 32 vjeç, dhe F. Z., 29 vjeç, banues në Zallë, Fushë Krujë, (djemtë e shtetasit F. Z)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu, policia ka bllokuar edhe 17 automjete për mungesë dokumentacioni.

Po ashtu në Elbasan dhe Korçë janë arrestuar dy persona pasi po bënin transportin e paligjshëm të 11 klandestinëve.

Ndërkohë aksionet e policisë janë duke vijuar në të gjithë vendin.

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/posts/2865501250402894

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë