Njerez

Policia franceze: Rrjetet shqiptare janë më efikase në kalimin e emigrantëve për në Britani

Të fshehur në bimësi të dendura përgjatë bregut në veri të Calais, Francë, dy burra po shtojnë në heshtje presionin mbi kryeministren e re të Britanisë.

Të strukur në errësirë, ata përgatisin me shpejtësi një varkë për të çuar emigrantët përtej Kanalit.

Lart mbi ta në errësirën e para agimit, zhurma e një droni të financuar nga Britania sinjalizon fillimin e një ndjekjeje të njohur tashmë.

Më pak se një kilometër larg, policët francezë shohin dy figurat në kamerën termike të dronit.

Brenda pak sekondash, njësia është grumbulluar në një varkë të veçantë, të siguruar gjithashtu nga Britania, dhe po kalojnë nëpër shkurre drejt zonës.

Duhen më pak se pesë minuta për të arritur atje, por 50 metrat e fundit duhet të kalohen në këmbë përmes një rruge të mbushur me bimë me gjemba, disa prej të cilave arrijnë deri në gjoks.

Dy burrat ikin ndërsa njësia afrohet, duke lënë pas tyre varkën gjysmë të përgatitur, karburantin me motorin dhe dy thasë me xhaketa shpëtimi.

Patrullat franceze thonë se po ndalojnë rreth gjysmën e të gjitha përpjekjeve për kalim nga Calais.

"Bimësia po punon kundër nesh", thotë gjenerali Frantz Tavart. "Kontrabandistët e dinë këtë dhe i fshehin anijet këtu me qëllim".

Dronët e Britanisë janë të vlefshëm, thotë ai, sepse ata dallojnë edhe vende të fshehura mirë si ky.

"Droni e kapi këtë", tha ai. "Aeroplani i mbikqyrjes kaloi paraprakisht dhe nuk e vuri re, sepse ishte fshehur nga pemët".

Kjo shtrirje 160 km e vijës bregdetare ka qenë një burim kalimi për emigrantët, vit pas viti. Franca dhe Britania e Madhe kanë investuar në më shumë patrulla, teknologji më të mirë dhe lloje të ndryshme automjetesh dhe ende numrat që kalojnë Kanalin vazhdojnë të rriten.

Patrullat franceze thonë se po ndalojnë rreth gjysmën e të gjitha përpjekjeve për kalim, por më shumë se 30,000 njerëz kanë arritur në Britani deri më tani këtë vit.

Dhe nuk janë vetëm emigrantët ata që po e shohin këtë rrugë gjithnjë e më tërheqëse. Rrjetet e reja të kontrabandës gjithashtu janë joshur nga kjo rrugë.

Një zyrtar i lartë francez, i cili e njeh mirë gjithë këtë situatë i tha BBC se rrjetet e kontrabandës shqiptare tani po operojnë përgjatë kësaj rrugice, veçmas nga rrjetet kryesore kurde dhe irakiane.

“Rrjetet shqiptare janë më efikase se të tjerat”, tha ai.

“40% e atyre që përgjojmë në këtë anë të Kanalit janë shqiptarë, por përbëjnë 60% të atyre që mbërrijnë në anën tjetër”.

"Hipoteza jonë është se ata janë shumë më me përvojë se të tjerët përsa i përket aktivitetit kriminal dhe më të mësuar të organizohen dhe të shmangin policinë. Kjo ndoshta shpjegon edhe faktin se pse çmimet janë më të larta për rrjetet shqiptare sesa për të tjerët".

Gjenerali Tavart thotë se nuk mund të konfirmojë nëse rrugët e reja të kontrabandës shqiptare po drejtohen nga grupe kriminale të krijuara, ndoshta në Britani, por ai thotë se do të kishte kuptim.

"Me çmimin e një kalimi rreth 4,000 euro dhe rreth 40 njerëz në një varkë, bëni llogaritë," tha ai. “Është jashtëzakonisht fitimprurëse, madje më shumë se trafiku i drogës dhe akuzat penale janë më të lehta”.

Një numër më i madh shqiptarësh janë parë në kampin kryesor të emigrantëve në Dunkerque, por shumica duket se qëndrojnë në hotele përreth zonës, ose në Paris apo Bruksel.

Në një hotel në Dunkerque, pronarja konfirmoi se tani kishte një numër të madh klientësh shqiptarë që kalonin atje.

Pronari i një lokali përballë stacionit tha se disa ditë gjysma e klientëve të tij janë shqiptarë.

"Pyes veten nëse ka mbetur dikush në Shqipëri", tha ai, "duke parë sa prej tyre po shohim këtu".

Rritja e emigrantëve që kalojnë Kanalin dhe shfaqja e rrjeteve të reja të kontrabandës, duket se sfidon strategjinë e parandalimit të qeverisë.

Qeveria e Britanisë aktualisht po lufton një betejë gjyqësore mbi ligjshmërinë e politikës së saj të Ruandës. Para disa muajsh Britania kërkoi që ti dërgonte emigrantët në Ruanda derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre për azil por as kjo nuk i ndaloi emigrantët të shkojnë atje, me çdo kusht.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë