Është një nga mesfushorët shqiptarë më të mirë për momentin. Ylber Ramadani duket se në këtë sezon të dytë në Danimarkë ka gjetur më së miri veten, duke treguar një formë shumë të mirë. Në javën e fundit Ramadani u shpall lojtari më i mirë për skuadrën e tij. Edhe pse Vejle u mund në shtëpi nga Mitjulland, kampione e Danimarkës, kjo nuk e ka penguar futbollistin nga Ferizaj të merrte këtë vlerësim individual. Në një intervistë për “Gazetën Si”, Ramadani ka folur për gjendjen që është duke kaluar te klubi danez, dhe objektivat sezonal.

“Jam ndjerë mjaft mirë dua që të punoj akoma më shumë që të arrij akoma më lart,” ka thënë Ramadani. “Në 80 minuta ishim në çdo aspekt më te mirë se Mitjulland, që është kampioni aktual, por pësuam nga dy gola nga goditje standarde. Pres akoma më shumë nga vetja, normalisht do bëj më të mirën. Objektivat e klubit janë të qarta, duam të kapim vendet e larta në klasifikim për të mos rrezikuar mbijetesën”, ka treguar 22-vjeçari.

Me një formë të tillë në këtë periudhë, ku shumë lojtarë të ekipit “Kuq e Zi” ende nuk kanë shumë ndeshje në këmbët e tyre, për Ramadanin nuk diskutohet grumbullimi, por mbase edhe bluza e titullarit. Por në prononcimin e tij, Ramadani është shumë modest, duke thënë se për të nuk ka shumë rëndësi nëse luan titullar apo, por thjesht të jetë pjesë e kombëtares.
“Nuk ka rendësi nëse luaj apo jo, rëndësi ka që të jem pjesë e kombëtares. Për mua është nder dhe kënaqësi të jesh pjesë e ekipit kombëtar dhe të veshësh fanellën kuq e zi”, ka thënë mesfushori shtatshkurtër.
Në këtë periudhë nuk kanë munguar edhe ofertat për futbollistin kuq e zi, por ai tregon se në bashkëpunim me trajnerin italian, Sormani dhe agjentin e tij kanë vendosur që ai të qëndrojë edhe për një sezon në superligën daneze.
“Kam pasur disa tratativa për transferime por kam biseduar me agjentin tim edhe me trajnerin Sormanin që të jem pjesë e ekipit edhe për këtë vit në Superligë.” tha 22-vjecari.

Edhe pse tashmë po bëhet një kohë e gjatë kur është larguar nga kampionati shqiptar, ku për një sezon ishte pjesë e Partizanit, Ylber Ramadani thotë se e ndjek “skuadrën e kuqe” dhe gjithë kampionatin shqiptar në përgjithësi.
“Po normalisht e ndjek Partizanin çdo ndeshje. Por në fakt, jo vetëm Partizanin, por të gjitha ndeshjet e Superiores”, ka thënë mesfushori i Vejle.
Ramadani i ka luajtur të plota katër ndeshjet e para të këtij sezoni në Superligën e Danimarkës dhe është momentalisht një lojtarët më në formë dhe përgatitjen më të lartë fizike tek ekipi kombëtar shqiptar që në shtator fillon aventurën në “Uefa Nations League”.

Përgatiti: Ardit HOXHA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.