Ndryshe nga herët e tjera, por plot 8 ditë para ndeshjes, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Christian Panuçi ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar. Për miqësoren me Jordaninë në “Elbasan Arena” dhe sfidën zyrtare në Izrael, tekniku italian ka thirrur 25 lojtarë, ku mes tyre nuk mungojnë edhe surprizat e shumta.
Spikasin në këtë listë të teknikut kuqezi, katër futbollistë që vijnë për herë të parë në skuadrën kombëtare. Hyrjet e reja janë dy mbrojtësit, Egli Kaja e Kastriot Dermaku si dhe dy sulmuesit, Myrto Uzuni me Giacomo Vrionin, të cilët kanë marrë ftesën e trajnerit Panuçi për këto dy ndeshje.
Egli Kaja aktivizohet në radhët e skocezëve të Livingstone dhe pritet të testohet në ndeshjen miqësore në “Elbasan Arena”. Sakaq, Uzuni që në verën e këtij viti kaloi në kampionatin kroat me Lokomotivën e Zagrebit ka bërë paraqitje shumë të mira dhe për këtë arsye, Panuçi e ka thirrur në kombëtare. Ndërsa sulmuesi tjetër vjen nga radhët e ekipit “Shpresa”. Giacomo Vrioni aktivizohet në Serie B me Venezia dhe në këto ndeshje të para të sezonit ka bërë shumë mirë. Vijojnë ndërkaq të jenë të dëmtuar dhe në fazën e tyre të riaftësimit futbollistët Odise Roshi e Armando Sadiku. Një rikthimin shumë i rëndësishëm për ekipin kombëtar është Eros Grezda, i cili në grumbullimin e fundit, për probleme fizike nuk ishte në dispozicion të grupit.
Risia më e madhe në këtë listë që ka bërë publike FShF është Kastriot Dermaku që luan në radhët e ekipit të Kozencës. Dermaku ka qenë më herët në ekipet e moshave të Shqipërisë, por është grumbulluar edhe me ekipin e parë të Kosovës. Ai konsiderohet një mbrojtës i së ardhmes që premton shumë dhe për këtë arsye besohet se do të ketë minuta në këmbë në dy ndeshjet e ardhshme të ekipit kombëtar, atë me Jordaninë dhe me Izraelin, duke ia mbyllur kështu përfundimisht derën për t’u aktivizuar me Kosovën. Skuadra përfaqësuese e futbollit do t’i nisë seancat stërvitore ditën e hënë në Durrës, ku dhe do të grumbullohet në vigjilje të këtyre dy ndeshjeve.
Më poshtë është lista e plotë të lojtarëve të grumbulluar për sfidën me Jordaninë dhe transfertën zyrtare në Izrael.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.