Ne rrjet

Plazh në Francë, hapen birraritë në Gjermani dhe restorantet në Itali

Dita e parë e plazhit në Francë, hapja e birrarive në Gjermani, restoranteve në Itali dhe kthimi i ngadaltë i normalitet në Spanjë. Edhe pse ritme të ndryshme, Europa është rikthyer sot në jetë. 

Në Italia, 18 maji është cilësuar si “dita e madhe”. Qeveria e kryeministrit Xhuzepe Konte dha dritën jeshile për hapjen e dyqaneve, bareve dhe restoranteve, saunave, parukerive, muzeve, transportit publik dhe bibliotekave. Pas gati tre muajsh izolimi, italianët do të mund të shijojnë sot një makiato apo një pjatë makarona, edhe pse baret dhe restorantet do të punojnë me një numër shumë të kufizuar klientësh.

Rome, Gazeta Si, 2020

Në Francë, ndërkohë, kjo është java e parë e lirisë. Pas 55 ditësh, francezët kanë mundur të shkojnë në plazh, për piknik në parqe, ose në shtëpitë e dyta, por edhe në resorte prestigjioze turistike. Francezët ishin të shumtë dje në plazhe, duke shijuar rrezet e diellit dhe një gotë verë buzë detit.

Sidoqoftë, qeveria e presidentit Emmanuel Macron u ka bërë thirrje qytetarëve për të mos e ulur vigjilencën. Situata duket se është nën kontroll me vetëm 25 raste të reja të zbuluara pas marrjes së 50,000 tamponëve në ditë. Por spektri i një valë të dytë të epidemisë është gjithmonë i pranishëm, edhe pse duket sikur të gjithë po shkojnë drejt optimizmit. Në Francë flitet për pushime të sigurta dhe kufijtë e Shengenit u rihapën dhe pothuajse kudo pa nevojën e karantinës. 

Gjermanët do të mund të shijojnë... birrat

Baret, birraritë, kafenetë dhe restorante fillojnë të rihapen sot në Gjermani, por me një numër kufizimesh. Masat janë pak më të ashpra në Bavari, rajoni më i prekur nga epidemia, ku vetëm baret me hapësira të jashtme mund të rihapen. Në Saksoni, çdo vend duhet të ketë një autorizim nga autoritetet për t’u rihapur.

 Në Berlin, bare dhe birraritë mbesin të mbyllura për shkak të vështirësisë në ruajtjen e distancave ndër njerëzore. Hotelet dhe shtëpitë e pushimeve tashmë janë hapur në Hamburg, Hesse, Saksoni dhe Thuringia. Megjithatë në të gjithë Gjermaninë ekziston detyrimi për të mbajtur distanca të paktën një metër e gjysmë metër midis njerëzve në restorante, bare, dyqane apo qendra tregtare. Në hotele, kontaktet midis klientëve dhe stafit mbahen në minimum. Në shumë vende, restorantet do të duhet të mbyllen në 10:00.

Berlin, Gazeta Si, 2020

Frika e Spanjës

Shumica e qyteteve spanjolle kanë filluar të lehtësojnë masat e izolimit, por kufizimet mbeten në fuqi në Madrid dhe Barcelona. Autoritetet shëndetësore të qeverisë kanë urdhëruar të dy qytetet të presin përsëri për t’u rihapur, pasi këto janë zonat më të prekura nga pandemia. Situata ka çuar në protesta nga drejtuesit rajonalë në Madrid dhe demonstrata nga disa qindra njerëz në një lagje të pasur në kryeqytet dhe qytete të tjera, të tilla si Salamanca dhe Zaragoza. Kryeministri Pedro Sanchez tha të shtunën, duke iu drejtuar kundërshtarëve politikë, të konsiderojnë faktin se mbajtja nën kontroll e krizës shëndetësore nënkupton gjithashtu mbrojtjen e ekonomisë kombëtare. "Ne jemi duke u shpëtuar jetën njerëzve tanë”, tha ai. Përgatiti Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë