Shkencë

Plastika që prek ushqimin tonë mund të na bëjë të shtojmë peshë

Kur bëhet fjalë për kilogramët e tepërt, dieta mund të mos jetë e mjaftueshme dhe ndoshta duhet t'i hedhim një sy edhe paketimit të ushqimit.

Gjysma e botës pritet të jetë mbipeshë ose obeze deri në vitin 2035, ku fëmijët dhe adoleshentët përballen me rritjen më të madhe të obezitetit dhe pasojave të tij. Për shkak se të dhënat nuk e mbështesin idenë se faji kryesor është mbingrënia dhe mungesa e stërvitjes, komuniteti shkencor po eksploron faktorë të tjerë që mund të kontribuojnë, duke përfshirë ngrënien e produkteve të paketuara në plastikë.

Studiuesit në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë vendosën të përcaktojnë se çfarë përbërje kimike ekzistojnë në 34 artikuj të zakonshëm plastike që prekin gjërat që hamë, të tilla si gotat, shishet e lëngjeve, tabakat, mbështjellëset e karameleve, pakot e ushqimeve etj.

Nga 55,000 kimikate që hulumtuesit gjetën në këto artikuj, vetëm 629 ishin të identifikueshme, me 11 që ishin ndërprerës të njohur metabolikë, të cilët ndërhyjnë në aftësinë e trupit tonë për të rregulluar peshën, ndër efektet e tjera shqetësuese shëndetësore. Gjithashtu, shumë më tepër kimikate shkaktuan adipogjenezën, procesi që qëndron në themel të obezitetit, në të cilin qelizat shumohen dhe grumbullojnë një tepricë të yndyrës.

“Ne jemi mjaft të sigurt se ka shumë kimikate në produktet plastike që prishin metabolizmin, por ne thjesht nuk mund t'i identifikonim të gjitha”, thotë Martin Wagner, bashkëautor i studimit.

Wagner dhe kolegët e tij zbuluan se një e treta e të gjitha produkteve të zakonshme që ata testuan përmbajnë kimikate që nxisin procesin adipogjenik. Edhe pse ne jemi të ekspozuar ndaj tyre çdo ditë, shumica e këtyre kimikateve misterioze janë të panjohura, të pastudiuara dhe të parregulluara.

Këtë mars, shkencëtarët në Universitetin McGill dëshmuan se bisfenoli kancerogjen, i gjetur në etiketat e ushqimeve, mund të “migrojë” përmes materialeve të paketimit në ushqimin që hanë njerëzit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë