Futboll

Plani i Agnellit – Juventusi klubi më i madh në botë

Pasi kryeson prej vitesh në futbollin italian, presidenti i Juventus ka një plan për të kaluar në shkallën tjetër. Andrea Agnelli kërkon që klubi bardhezi brenda një kohe të shkurtër të bëhet klubi numër një në botë, në të gjitha aspektet.

Në fillim u duk e pamundur, pastaj kur u realizua kishte shumë dyshime, por një gjë është e vërtetë që kalimi i Cristiano Ronaldo, në Torino ka ndryshuar përgjithmonë historinë e Juventus të paktën për këto 10 vite që do të vijnë.  Duke folur për këtë transferim por edhe për të ardhmen e klubit, presidenti Andrea Agnelli është ndalur duke thënë: Marrja e CR7 në fillim ishte një zgjedhje teknike për atë që ai jep në fushën e lojës, por edhe në aspektin komercial.”

Ronaldo do të jetë arma e Juventus për të fituar trofeun e vetëm që mungon këto vite, Champions League. Por marrja e portugezit dhe fitimi i këtij trofeu europian, për shumë mund të jetë fundi i një cikli për klubin torinez që duket sikur nuk lodhet duke dominuar futbollin italian. Por në fakt për Andrea Agnelli, ky është vetëm fillimi i një misioni më të madh akoma, që ta bëjë klubin e Juventus më të madhin në botë. Skuadra si Barcelona, Manchester United, Real Madrid dhe Bayern Munich e dominojnë prej vitesh futbollin botëror, jo vetëm në planin taktik për atë që tregojnë në fushën e lojës, por edhe në planin financiar për të ardhurat që prodhojnë.

Në objektivin afatmesëm të Agnelli për të ngritur klubin është edhe marrja e një ylli të madh botëror në ngjitje. Emrat janë shumë, duke filluar me Kylian Mbappé, Paul Pogba, Marco Asensio, Harry Kane, Sergej Milinkovic-Savic, apo edhe të tjerë. Por fillimisht klubi torinez do duhet të kujdeset që të mbajë yjet që ka në shtëpi, duke filluar që nga Paulo Dybala, që gjithmonë e më shumë duket i pakënaqur në Torino.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë