Ne rrjet

Planeti në telashe / Miliarderët, të shkëputur nga realiteti dhe shumë të plotfuqishëm

Nga Gazeta 'Si'-Sa herë që flitet për krizën e ndryshimeve klimatike, herët a vonë dikush do të thotë se problemi qëndron tek popullsia, dhe shqetësohet për numrin e madh të njerëzve që jetojnë aktualisht në Tokë. Por popullsia në vetvete nuk është një problem, sepse fermeri në Bangladesh apo shitësi ambulantë në Brazil, nuk kanë ndikimin e kapitalistëve të mëdhenj në Kaliforni apo të oligarkëve të naftës të Rusisë dhe Lindjes së Mesme.

Një për qind e më të pasurve, është përgjegjës për më shumë emetime të karbonit në atmosferë se sa 66 për qind e më e varfërve. Të pasurit kanë një rol negativ në planet, dhe sa më të pasur të jenë, aq më i madh është ndikimi i tyre i keq (përfshirë ndikimin e parave të investuara në banka, dhe stoqet që financojnë lëndët djegëse fosile por edhe forma të tjera të shkatërrimit të klimës).

Ky ndikim, si nëpërmjet emetimeve të tyre ndotëse, por edhe manipulimeve që i bëjnë politikës dhe jetës publike, nënkupton se ata nuk janë aspak si pjesa tjetër e njerëzimit. Ata janë gjigantë, dhe e përdorin në përgjithësi fuqinë e tyre të madhe në mënyra të shëmtuara, si përsa i përket asaj që konsumojnë, ashtu edhe shkallës së ndikimit në reagimin e botës ndaj ndryshimeve klimatike.

Më lejoni ta shpreh në këtë mënyrë: nëse do të fitonit 10.000 dollarë në javë - një shumë përrallore sipas standardeve të shumicës së njerëzve - do t’iu duhej të punonit çdo javë që nga viti i lindjes së Jezusit, deri në këtë javë për të fituar mbi 1 miliard dollarë (pra 2023 vite).

Ndërsa për të fituar para sa është sot pasuria neto e Elon Musk  - aktualisht 180 miliardë dollarë sipas revistës Forbes - duhet të punoni çdo javë për më shumë se 300 mijë vjet,pra para se Homo Sapiens të shfaqej për herë të parë në Afrikë.

Sipas Oxfam, 81 miliarderë kanë më shumë pasuri se sa gjysma më e varfër e gjithë njerëzimit. Kjo do të thotë se në terma monetarë, 81 njerëz janë më të pasur se 4 miliardë njerëz. Por miliarderët përbëjnë kërcënim për gjithë ne të tjerët:sepse fuqia e tyre e madhe politike, e shtrembëron jetën tonë publike.

Në mënyrë disproporcionale më të moshuar, të bardhë dhe meshkuj, ata funksionojnë si pushtet i pazgjedhur me votë, si një lloj aristokracie e pavarur globale, që shumë shpesh përpiqet të mbretërojë mbi ne të tjerët.

Disa kritikë mendojnë se korporatat supergjigante të teknologjisë, që kanë krijuar kaq shumë miliarderë në kohët e sotme, janë duke vepruar në mënyra që i ngjajnë më shumë feudalizmit sesa kapitalizmit. Dhe në fakt shumë miliarderë sillen si zotër të Tokës, ndërsa bëjnë fushatë për të mbrojtur pabarazinë ekonomike që i bëri ata të pasur dhe të varfër shumë të tjerë.

Ata e përdorin fuqinë e tyre në mënyra arbitrare, të pamatura dhe shpeshherë me pasoja shkatërruese për mjedisin. Kujtoni pak mënyrën se si Musk e bleu Twitter-in - një burim i rëndësishëm lajmesh për miliona njerëz dhe për gazetarët dhe shkencëtarët kudo në botë - dhe e ktheu atë në X, në një platformë që përhap antisemitizëm dhe gënjeshtra të pa filtruara, duke përfshirë mohimin dhe dezinformimin mbi krizën e klimës.

Apo se si ai zotëron një pushtet të madh politik me rrjetin e tij satelitor dhe asete të tjera. Siç shkroi më të drejtë New Yorker kohët e fundit: ”Ka shumë pak precedentë në histori, kur një njeri, jo politikan apo udhëheqës, bëhet arbitri i një lufte midis kombeve, apo për shkallën e varësisë që ka tani SHBA-ja nga Musk në një sërë fushash, që nga e ardhmja e energjisë dhe transportit, deri në eksplorimin e hapësirës”.

Ndërkohë shikoni edhe se si Bill Gates (personi i gjashtë më i pasur në Tokë, me 104 miliardë dollarë), ka vendosur të ndikojë mbi politikat që po ndiqen për të adresuar problemin e ndryshimeve klimatike. Më kujtohet kur reflektova për herë të parë mbi pushtetin e Gates kur ai ndërtoi shtëpinë e tij në bregun e liqenit Uashington dekada më parë: sa mund të hante dhe të jashtëqiste një njeri, për të banuar në një shtëpi me 6 kuzhina dhe 24 banjo?

Ai konsumon dhe ndot shumë mjedisin. Gates përdor shpesh avionët e tij privatë, dhe plazhi me pamje nga Paqësori përballë rezidencës furnizohet me rërë që çohet atje me maune pasi është marrë nga Karaibet, sipas Business Insider (burime të tjera thonë se rëra është marrë nga Hawaii.)

Ai drejton fondacionin më të madh privat në botë, dhe ka shumë kritika mbi ndikimin që ka pasur mbi shëndetin dhe jetën e njerëzve, veçanërisht në Afrikë. Tani ai po përpiqet të ushtrojë një ndikim të madh në politikën ndaj ndryshimeve klimatike.

Një shenjë dalluese e miliarderëve të teknologjisë, është besimi i tyre i pakufi në kompetencën e tyre në cilëndo fushë që do të donin të ndikonin. Paratë flasin ose më saktë bërtasin. Gates këmbëngul se ne kemi nevojë për “mrekulli energjetike” dhe një “përparim të madh të energjisë së pastër”.

Në vitin 2016, ai deklaroi:”Nëse bota do të arrijë të gjejë një burim energjie të lirë dhe të pastër, do të bëjë më shumë sesa thjesht të ndalë ndryshimet klimatike”, duke injoruar gjendjen ekzistuese. Ne kemi energji diellore dhe të erës gjithnjë e më të lirë, dhe ekspertë shumë më të kualifikuar kanë hartuar rrugëtimin për tranzicionin drejt një energjie më të pastër.

Klimatologu Michael Mann shkruan se idetë e tmerrshme të Gates përfshijnë “një propozim relativisht inert, por tepër të shtrenjtë, të njohur si ‘kapja e drejtpërdrejtë e ajrit” (thithja e karbonit të tepër nga atmosfera), që është shumë më e rrezikshme për mendimin tim sesa “menaxhimi i rrezatimit diellor”, një eufemizëm për skemat që zakonisht përfshijnë injektimin e sasive të mëdha të dioksidit të squfurit në stratosferë, për të formuar një pasqyrë reflektuese që mund të ndihmojë në ftohjen e Tokës.

Fakti që Gates mund të ketë gabuar për klimën, nuk do të kishte rëndësi, nëse do të ishte dikush me të njëjtin lloj ndikimi si një qytetar i zakonshëm. Problemi qëndron tek fuqia e tij e tepruar. Por pasuria ekstreme, është në vetvete diçka negative edhe për demokracinë.

Një sistem i bazuar në parimin “një njeri, një votë”, rrezikohet kur disa njerëz kanë aq shumë ndikim se kush dhe çfarë hyn në fletëvotim dhe si flitet për të (dhe shumë miliarderë amerikanë kanë mbështetur kandidatët, partitë dhe fushatat që kanë penguar të drejtat e votës si dhe veprimet klimatike në shumë pjesë të SHBA-së).

Të qenit miliarder, ka tendencën t’ju izolojë nga pjesa tjetër e njerëzimit, dhe shumë shpesh ju vendos në një “dhomë jehonë” të krijuar nga ju vetë. Ai ju shmang nga pjesëmarrja në punët e njerëzve të zakonshëm. Shumica e miliarderëve, mbrojnë kryesisht interesat personale, duke mbështetur pabarazinë dhe shfrytëzimin, që i bëri ata shumë më të pasur se ne të tjerët.

Sondazhet në shumë vende, tregojnë se shumica e publikut dëshiron të shohë veprime konkrete kundër ndryshimeve klimatike dhe financime për to. Pengesë nuk është opinioni publik, por kompanitë e karburanteve fosile dhe interesat e kontrolluara nga elitat.

Burimi: The Guardian/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë