Lajme

Plagosja me armë në banesën e çiftit, autorët ende të paidentifikuar

Një plagosje me armë zjarri tronditi familjen Laze në kryeqytet mbrëmjen e kaluar.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e çiftit në Allias, ndërsa policia në një njoftim zyrtar tha se janë ngritur pika kontrolli në zonën përreth. Deri në orët mbrëmjes së djeshme, identifikimi i dy personave që kanë hyrë në banesë nuk u bë e mundur, ndërsa hetimet janë përqendruar në ndonjë gjurmë që mund të kenë lënë atje.

Mësohet se shtëpia e familjes Laze, e cila ndodhet në rrugën “Njazi Meka” në kryeqytet, është e aksesueshme nga shumë persona, pasi kati i parë shërben si furrë buke.

Dy bashkëshortët janë përleshur me grabitësit që kanë qenë dy dhe janë plagosur prej tyre në pjesën e poshtme të trupit.

Ndërkohë, gruaja Afërdita Laze, e cila mbeti e plagosur dhe ndodhet në Spitalin e Traumës ka rrëfyer momentet e tmerrit para oficerëve të policisë, kur persona të maskuar iu futën në banesë. Përleshja dhe skena e dhunshme ka ndodhur në sy të vajzës së tyre 17-vjeçare.

“Ishim në dhomë. Dëgjuam një zhurmë dhe vajzën që bërtiti; “kush është aty?”. Doli Petriti (burri) të shihte kur u ndesh në korridor me 2 veta të maskuar. Dukeshin të rinj. Ata bërtisnin vetëm “lekët, lekët” dhe i drejtuan pistoletën. Petriti tentoi t’i nxjerrë jashtë nga shtëpia, ata e qëlluan. Kur u afrova dhe mua më qëlluan dhe ikën me vrap”, është shprehur ndër të tjera gruaja, e cila mbeti e plagosur.

Çifti që mbeti i plagosur në banesën e tyre

Ndërsa, bashkëshorti Petrit Laze po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale, pasi është në gjendje më të rëndë.
Dëshmitare e ngjarjes ka qenë edhe vajza e tyre 17-vjeçare, e cila fatmirësisht nuk është prekur.
Banesa e çiftit Laze që u tentua të grabitet mbrëmë ka kamera sigurie dhe sistem alarmi. Por mësohet se autorët kanë hyrë nga pjesa e pasme e vilës, pasi krahu tjetër nuk kishte kamera sigurie.
Pas banesës dykatëshe të familjes Laze është një tjetër vilë katërkatëshe, ku disa hyrje ishin lëshuar me qira. Autorët kanë kaluar murin rrethues nga depozitat duke u futur në vilën e çiftit Laze.
Çifti ka dy fëmijë, ndërsa në momentin e grabitjes në banesë ndodhej vetëm vajza, ndërsa djali jo.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të banesës dhe objekteve të tjera pranë për të siguruar prova që mund të çojnë në kapjen e autorëve.
Dyshohet se autorët janë të afërm ose fqinj të çiftit, pasi dinin lëvizjet dhe faktin që kishin planifikuar për të lëvizur nga banesa mbrëmjen e djeshme.
Gjithashtu ata kanë hyrë nga mbrapa banesës, pasi nga dera kryesore ishin vendosur kamera dhe sistemi i alarmit. Një tjetër detaj që përforcon këtë pistë është edhe fakti që autorët kanë shkuar direkt në dhomën ku dyshohet se çifti mbante lekët, por sipas gruas nuk kanë arritur të marrin asgjë, pasi hasën në rezistencën e tyre dhe situata u doli nga kontrolli pas përleshjes mes tyre.
Policia vijon kërkimet, duke ushtruar kontrolle në banesat e disa personave me precedentë, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar. Familja Laze jetonte në katin e dytë të vilës, pasi i pari ishte biznes, furrë buke dhe prodhime të tjera të brumit. Ngjarja tronditëse ndodhi mbrëmë në orën 21:40 minuta në rrugën “Njazi Meka” në zonën e Alliasit.
Çifti me origjinë nga Skrapari, prej vitit 1994 ishin zhvendosur në Tiranë ku kishin hapur biznesin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë