Rend dhe Ligj

Plagosja e trefishtë me thikë në Laprakë, dorëzohet autori. Shkak dyshohet heqja nga puna

Gazeta Si - Pas një arratie disa orëshe, është vetëdorëzuar në polici mëngjesin e kësaj të marte, autori i plagosjes së trefishtë me thikë në Laprakë, Altin Mergjyshi, ku shkak dyshohet të jetë bërë heqja e tij nga puna në biznesin e të plagosurve.

Në këtë ngjarje të ndodhur në një lokal në zonën e Laprakës, mbetën të plagosur, italiani Masimo Sorvillo, bashkëshortja e tij 40-vjeçare Roxhersa Rrapollari dhe babai i saj, 64-vjeçari Viktor Rrapollari.

Dëmtimet më të rënda i mori 64-vjeçari Viktor Rrapollari, i cili fatmirësisht është në gjendje të stabilizuar në spital.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur për konflikte punësimi, ku autori ka qenë i punësuar në biznesin e të plagosurve.

40-vjeçari, ishte pushuar nga puna rreth 1 muaj më parë dhe pretendonte se ishte hequr në mënyrë të padrejtë nga puna dhe po ashtu se kishte pagesa të prapambetura.

"U takuam për të diskutuar rreth mosmarrëveshjeve që kishim. Kam qenë i punësuar pranë biznesit të Massimos dhe më shkarkoi nga puna, përveç kësaj më kishte edhe disa detyrime financiare. Ai nuk e njohu detyrimin, debatuam dhe në konflikt e sipër, duke u përplasur edhe fizikisht, - tregon Mergjyshi para oficerëve të policisë. - Ndërhynë vjehrri i tij me të bijën, nxora thikën dhe iu drejtova Massimos. Në përleshje e sipër mbetën të plagosur edhe bashkëshortja e tij Rigera Rrapollari dhe i ati, Viktori".

Të plagosurit kanë treguar se Elton Mergjyshi kishte sapo shkuar te lokali ku ndodheshin, fillimisht ka debatuar me italianin, duke i kërkuar llogari pse e kishte hequr nga puna.

Në debat e sipër ka nxjerr thikën dhe ka plagosur fillimisht 64-vjeçarin Viktor Rrapollari, pasi ka dashur të ndërhyjë për të qetësuar situatën.

Sipas dëshmisë së vajzës së tij, ajo ka treguar se kur ka parë të atin të plagosur ka ndërhyrë dhe në këtë çast agresori e ka qëlluar në dorë.

Më pas, Mergjyshi ka plagosur në kraharor italianin Massimo Sorvillo, i cili e kishte marrë me qira lokalin ku ndodhi ngjarja.

47-vjeçari italian ka marrë automjetin e tij me targa italiane dhe ka shkuar vetë në Spitalin e Traumës bashkë me bashkëshorten dhe babain e saj.

Dëshmia e 64-vjeçarit Viktor Rrapollari nuk është marrë ende nga grupi hetimor pasi është në gjendje më të rëndë se dy të plagosurit e tjerë. Vetë italiani Sorvillo ka deklaruar për policinë se e kishte pushuar pasi nuk i pëlqente puna e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë