Rend dhe Ligj

Plagosi klientin dhe tentoi ta vriste, arrestohet pronari i një lokali në Kamëz

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kodër Kamëz ku pronari i një lokali, pasi ka plagosur me armë një klient ka tentuar që ta qëllojë përsëri në mënyrë që ta vrasë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20 ku F. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, në brendësi të lokalit është përfshirë në një konflikt fizik e verbal për motive të dobëta, me  R. C. (klient lokali) dhe më pas konflikti ka vijuar në ambientet e jashtme të lokalit.

“Si pasojë e konfliktit shtetasi F. K. ka  plagosur me armë zjarri në dorë, shtetasi R. C., 39 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në momentin që pronari i lokalit po qëllonte përsëri në drejtim të shtetasit të plagosur, ndërhyrja në kohë e policisë ka bërë të mundur parandalimin e vrasjes, duke i hequr armën nga dora dhe duke e prangosur atë.

Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë