Futboll

Pistoletën te koka sulmuesit të Napolit, i vjedhin orën 7000 euro

Nuk ishte e thënë që ajo fitore e bukur ndaj Liverpulit në “San Paolo” të festohej si gjithë të tjerët nga sulmuesi i Napolit, Arkadius Milik. Polaku ka kaluar momente tmerri kur po kthehej në shtëpi, teksa ka parë para fytyrës një pistoletë dhe ka dëgjuar urdhrin për të dorëzuar orën “Rolex Daytona”. Pa e zgjatur ai ka zbatuar urdhrin… Lajmi ka bërë bujë në shtypin italian, që ka sjellë detajet e ngjarjes së shëmtuar, duke evidentuar vlerën prej 7 mijë eurosh të orës së sulmuesit.

Milik, titullar në ndeshjen e Championsit me Liverpulin, ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij në Varkaturo, që ndodhet rreth 15 kilometra larg qendrës sportive të Kastel Volturnos. Polakut i është afruar një motor i madh, që e ka detyruar të ndalojë. Një nga dy personat që ishin në motor, me fytyrë të mbuluar, ka nxjerrë pistoletën dhe ia ka drejtuar në fytyrë. “Më jep orën”, – i tha keqbërësi sulmuesit të Napolit, i cili nuk ka bërë rezistencë, por ka hequr orën e çmuar “Rolex” dhe ia ka dhënë. Gjithçka ka ndodhur në pak më shumë se një minutë dhe më pas dy hajdutët janë larguar me shpejtësi të madhe.

Arkadius Milik, sulmuesi i Napolit

Sapo e ka marrë veten nga ngjarja shokuese, Milik ka informuar klubin e tij për atë çfarë kishte ndodhur dhe i është drejtuar komisariatit më të afërt të policisë për të bërë denoncimin. Për ngjarjen është hapur një hetim, ndërkohë që duhet theksuar se shpesh futbollistët e Napolit kanë rënë “pre” e hajdutëve. Zakonisht këta të fundit preferojnë të vjedhin shtëpitë e tyre, kur futbollistët nuk janë në banesa, por këtë radhe duket se e kanë pasur me nxitim.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë