Shkencë

Piramida nën ujërat e Japonisë “vë në dilema” shkencëtarët

Strukturat e gurta në formë piramide nën ujërat e Yonugani Jumas në Japoni janë mbetje të një qytetit të lashtë japonez, që është përmbytur pas një tërmeti të fuqishëm rreth 2 mijë vite më parë.

Kjo është bindja që ndan Masaaki Kimura, gjeolog i botës nënujore në Universitetin Ryukyus në Japoni, që është zhytur në këtë zonë me mijëra herë në 15 vite e fundit për të studiuar mbetjet e gurta në fjalë.

Ai thotë se sa më shpesh zhytet në thellësi për të studiuar këto struktura, aq më shumë bindet se poshtë është janë mbetjet e një qytetërimi 5 mijëvjeçar.

“Struktura më e madhe është më e komplikuar. Ajo duket si një piramidë monolite që ngrihet rreth 25 metra mbi bazamentin e detit”, thotë Kimura, që në muajin qeshor prezantoi teorinë e tij gjatë një konference shkencore.

Por, ashtu si shumë histori e teori të tjera të qyteteve të përmbytura, edhe pretendimet e Kimuras janë pritur me mosbesim.

“Unë nuk jam i bindur se ndonjëra prej strukturave në fjalë janë të ndërtuara nga dora e njeriut. Për mua janë natyrale”, thotë Robert Schoch, profesor i shkencave dhe matematikës në Universitetin e Bostonit, i cili gjithashtu është zhytur disa herë në zonën në fjalë.

Ai thotë se strukturat në fjalë janë formuar ndër vite nga erozioni, rrymat detare dhe aktiviteti i dendur tektonik. Ndërkohë, as agjencia shtetërore japoneze për çështjet kulturore dhe as drejtuesit e pushtetit lokal në Prefekturën e Okinauas nuk e njohin këtë strukturë si zonë kulturore me rëndësi.

Madje, Qeveria as është angazhuar me burime njerëzore, apo financiare në studimet e mëtejshme në këtë zonë, duke ja lënë këtë mision studiuesve privatë, apo individëve të tjerë të interesuar.

Yonaguni Jima është një ishull që ndodhet rreth 120 kilometra në lindje të Tajvanit. Strukturat e gurta në ujërat pranë tij u zbuluan për herë të parë në vitin 1986. Turistët dhe shkencëtarët mund të shkojnë lirisht t’i vizitojnë këto struktura, pasi ato nuk bëjnë pjesë në listën e zonave të mbrojtura.

Disa ekspertë besojnë se strukturat mund të jenë mbetjet e qytetërimit Mu, që dikur mendohet se ka lulëzuar në Paqësor, për t’u zhdukur më pas poshtë dallgëve nga tërmetet dhe tsunamet. Kimura thotë se fillimisht as ai nuk besonte se strukturat në fjalë ishin produkt njerëzor, por se ndryshoi mendje që në zhytjen e parë.

“Mendoj se është e vështirë që të shpjegohet origjina e tyre me teorinë e pastër natyrore, sepse ka shumë prova që tregojnë ndikimin e njeriut tek to”, deklaron ai.

Kimura thotë si shembull se tek gurët që ka vëzhguar ka gjetur gjurmë gëdhendjeje, madje edhe të imazhit të kafshëve, apo deri tek fytyra njerëzore.

“Këto karaktere dhe skulpturat e kafshëve që kam gjetur dhe kam ruajtur në laboratorin tim tregojnë se bëhet fjalë për një kulturë që ka mbërritur nga kontinenti i Azisë. Si shembull, një sfinks që kam gjetur ngjason shumë me mbretin e lashtë kinez, Okinaëan. Sido që të jetë krijuar ky qytet, ai është fundosur nga një tërmet i fuqishëm”, thotë Kimura.

Në fakt, ishulli Yonguni Jima është i vendosur mbi atë që njihet si “unaza e zjarrtë e Paqësorit”, një rrip gjeografik me aktivitetin më të lartë sizmik në mbarë globin. Tsunami më i madh i regjistruar ndonjëherë në këtë ishull ishte në vitin 1771 me dallgë rreth 40 metra të larta.

“Qytetërimet sot mund t’u mbijetojnë forcave të tilla, po një forcë e ngjashme 2 mijë vite më parë mund të ketë qenë shfarosëse”, deklaron Kimura.

Burimi: National Geographic. Përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë