Në futboll jo gjithmonë merr atë që meriton dhe Maroku është rasti më tipik i dramës që dhuron shpeshherë ky sport. Afrikano-veriorët u ndëshkuan me një autogol në ndeshjen ndaj Iranit dhe e treguan se janë një kockë e fortë në ndeshjen me Portugalinë, pavarësisht se e humbën edhe atë ndeshje me rezultatin minimal 1-0.
Të eleminuar në ndeshjen e fundit marokenët vendosën në vështirësi Spanjën, duke kaluar dy herë në avantazh, madje në rastin e dytë tabela e kualifikimit shihte spanjollët të eleminuar nga Kupa e Botës.
Boutaib në minutën e 14-të kaloi në avantazh skuadrën e tij. Epërsia zgjati vetëm 5 minuta, kur Isco barazoi gjithçka falë një asisti perfekt të Iniestas brenda zonës.
Pjesa e parë u mbyl 1-1, ndërsa e dyta nisi si zakonisht me spanjollët që u munduan të vënë diktatin në fushë, por Maroku u tregua i kujdesshëm në mbrojtje dhe më shumë se i rrezikshëm në sulm, duke gjetur sërish avantazhin në minutën e 81 me En Nesyri.
Në ndeshjen tjetër, Irani barazonte me Portugalinë 1-1 dhe ky rezultat e shihte Spanjën jashtë botërorit dhe gjithçka vendosej nga rregulli i kartonave të verdhë, ku Spanja ishte më e penalizuar se Irani.
Ai që shmangu tragjedinë ishte Aspas në minutën e parë shtesë, që i dhuroi golin e barazimit dhe kualifikimin Spanjës.
Ndeshja tjetër u mbyll 1-1, por iranianët shpërdoruan në fund një mundësi të artë përballë Portugalisë, që nëse do të ishte gol do të nxirrte Ronaldon jashtë Botërorit. Me 4 pikë të grumbulluara në tre ndeshje, edhe Irani i bashkohet Marokut dhe lë aventurën e tij në këtë Botëror, por me një paraqitje më shumë se dinjitoze.
Më herët, në grupin A ajo enigma e vetme kishte ngelur vetëm vendi i parë në grup, ku sfida direkte mes Urugajit dhe Rusisë u mbyll me rezultatin 3-0 për amerikano-jugorët, që morën kryesimin dhe lanë në vend të dytë organizatorët.
Me vendin e parë të siguruar, Uruguaji do të përballet në fazën e eleminimeve direkt me Portugalinë, ndërsa Rusinë e pret dueli me Spanjën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.