Politike

Pas protestës së 13 prillit, pikëpyetjet dhe roli i ndërkombëtarëve

Protesta e 13 prillit e opozitës së bashkuar si rrallëherë u shoqërua me disa zhvillime që dukshëm ngrenë disa pikëpyetje për aksionin apo qëndrimet e mëpasshme politike.
E para është se në protestën e së shtunës për herë të parë u shfaqën flamujt politikë. Simboli i PD-së valëvitej në këtë protestë, edhe pse ishte një tubim i opozitës së bashkuar.
Ndryshe nga PD-ja, LSI-ja nuk preferoi që të mbante flamuj partiakë, duke përdorur vetëm stemën e shqiponjës kuqezi. Dallim tjetër që ra në sy në protestën e 13 prillit ishte fjalimi i vetëm që u mbajt, ai kryedemokratit Lulzim Basha, i cili nuk ngurroi të fliste edhe në emër të LSI-së dhe partive të tjera aleate të bllokut opozitar ku zotohej se nuk do të kishte më pazare me Ramën.

Basha duke folur në protestën e 13 prillit


Këtu duhet përmendur edhe një detaj tjetër, i cili nuk u vu re në ditën e protestës së 13 prillit. Basha pas fjalimit përshëndetës nga selia e PD-së për përkrahësit, nuk e vijoi ritualin me takimin me aleatët, Kryemadhin, Mediu apo dhe Shehun.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nxitoi drejt selisë së partisë që drejton, për të dhënë një deklaratë për protestën e 13 prillit. Ndërkaq kanë kaluar disa ditë dhe tryeza e liderëve të opozitës nuk është mbledhur për të diskutuar si përherë mbi aksionin politik të radhës.
Këto zhvillime mund të ngrenë pyetjen nëse vetë brenda opozitës ka ose jo një qëndrim të unifikuar për aksionin politik të radhës, pas 8 apo 9 protestash që ata zhvillojnë, ku kërkesa kryesore është krijimi i një qeverie tranzitore dhe çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Partia Demokratike duket se është e vendosur që të bojkotojë zgjedhjet e 30 qershorit. Afatit për regjistrimin si subjekte në KQZ po i vjen fundit, data 21 prill, ndërsa aleatët e PD-së, akoma nuk janë shprehur qartazi për bojkotim final dhe pse shprehen të sigurt në qëndrimin e tyre sa i përket asaj që nuk duan Edi Ramën si kryeministër.
Pikëpyetja e radhës që ngrihet natyrshëm është qëndrimi i ndërkombëtarëve në raport për mënyrën se si u karakterizua protesta e 13 prillit, ku të shtunën nuk munguan aktet e dhunës dhe lëshimet e gazit lotsjellës në drejtim të protestuesve që tentuan të çanin kordonin e policisë përpara Parlamentit.
Ndryshe nga protestat e tjera të opozitës, ndërkombëtarët, edhe pse ndjekin në detaje çdo zhvillim sa u përket protestave, më 13 prill nuk dhanë asnjë deklaratë për mënyrën se si rodhën ngjarjet në këtë protestë.
Ambasada e SHBA-së, Delegacioni i BE-së, OSBE apo dhe ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë nuk lëshuan asnjë deklaratë të ngjashme si ato të 16 shkurtit, ku njëzëri u shprehën se dënonin dhunën e ushtruar ndaj institucioneve, duke nënvizuar se autorët e dhunës do të mbanin përgjegjësi për incidentet e shkaktuara gjatë sulmit në Kryeministri.


Ky qëndrim i ri i ndërkombëtarëve mund të shpjegohet së pari me faktin se apeli i tyre tashmë është stërpërsëritur; madje së fundmi edhe nga vetë zyrtari i lartë i DASH, Matthew Palmer gjatë vizitës në Tiranë. Ndërkombëtarët nuk lëvizin në qëndrimin e tyre duke i kërkuar opozitës t’i rikthehet jetës institucionale dhe përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme.
Kjo “tërheqje” e ndërkombëtarëve mund të argumentohet së dyti edhe me faktin se tashmë në skenë për zgjidhjen e krizës janë futur vetë ata - diplomatët e huaj në Tiranë - duke ngritur ura kontakti me pjesë të caktuara brenda PD-së apo LSI-së; me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të re politike.
Faktin e kontakteve me eksponentë nga ana e ndërkombëtarëve e pranoi edhe nënkryetari i PD-së, Edi Paloka gjatë në interviste televizive.


Ndryshimet e pritshme në Kodin Zgjedhor janë kushti i ndërkombëtarëve dhe kjo shihet si “trampolinë” për arritjen e një konsensusi politik mes socialistëve dhe partive opozitare.
Së fundmi edhe ambasadori i OSBE-së, Bern Borchardt nga Shkodra, pas një takimi me studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi, deklaroi e po kërkohet të nxitet dialogu mes palëve politike në vend, në mënyrë që të gjitha partitë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.


“Ne po kërkojmë dhe nxisim të gjitha forcat politike që të marrin pjesë në zgjedhje. Nxisim dialogun dhe një përpjekje të përbashkët për të zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohet vendi.”, u shpreh Borchardt.
Sa i përket bojkotit të mundshëm të opozitës në zgjedhje, Ambasadori i OSBE thekson se nuk mund të flasë me atë çfarë do të ndodhë me situatën politike në Shqipëri.
“Është e pamundur për mua që të shikoj të ardhmen se çfarë mund të ndodh në Shqipëri”, u shpreh ai.
Nga ana e tjetër ambasadori italian, Alberto Cutillo gjatë një takimi me kryetarin e KQZ-së, Klement Zguri shprehu mbështetjen për zhvillimin e zgjedhjeve vendore transparente, demokratike dhe me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë