Shendet

Pica, makarona, patate, proteina- Si u bënë fëmijët italianë kaq mbipeshë

Nga Gazeta ‘Si’- Në Itali, vendi që prej dekadash konsiderohej simbol i dietës mesdhetare, gjithnjë e më shumë fëmijë dhe adoleshentë po përballen me obezitetin.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), fëmijët italianë janë ndër më mbipeshët në Europë, ndërsa situata është veçanërisht shqetësuese në jug të vendit.

Në disa zona të rajonit të Kampanias, mbi 40% e fëmijëve 8-9 vjeç janë mbipeshë ose obezë. Në periferi të Napolit, Ponticelli është kthyer në një nga zonat me normat më të larta të obezitetit infantil.

“Ha vazhdimisht”

Një prej tyre është 17-vjeçari Salvatore, i cili peshon 170 kilogramë dhe mezi ecën. Ai nuk mund të lidhë vetë lidhëset e këpucëve, ndërsa skuteri i tij Vespa nuk përballon peshën.

“Ha vazhdimisht,” thotë nëna e tij, Anna.

Salvatore pret t’i nënshtrohet një operacioni bariatrik në spitalin Betania në Ponticelli, por mjekët kanë vendosur se pesha e tij është aq e lartë sa ndërhyrja për momentin do të ishte shumë e rrezikshme.

Në vend të operacionit, atij i është përshkruar një injeksion për humbje peshe me GLP-1, që synon të ulë oreksin dhe ta ndihmojë të humbasë kilogramë përpara ndërhyrjes.

Pacientët po bëhen gjithnjë e më të rinj

Kirurgia Sonja Chiappetta, e cila prej 15 vitesh trajton pacientë me obezitet të rëndë, thotë se panorama ka ndryshuar ndjeshëm.

“Dikur shumica e pacientëve ishin rreth të pesëdhjetave. Sot po shoh të njëjtët pacientë kur janë vetëm 16 ose 17 vjeç. Kjo është e frikshme,” shprehet ajo.

Operacioni që kryhet në klinikën e saj heq deri në 90% të stomakut, duke kufizuar ndjeshëm sasinë e ushqimit që mund të konsumojë pacienti. Kërkesa për këtë ndërhyrje është rritur ndjeshëm në jug të Italisë.

Dieta mesdhetare nuk është më ajo që ishte

Italia u bë e famshme për dietën mesdhetare, të pasur me perime, bishtajore, vaj ulliri, drithëra integrale dhe peshk.

Megjithatë, sipas studiuesit Valter Longo nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, sot vetëm rreth 10% e italianëve e ndjekin ende këtë regjim ushqimor.

Ai e përshkruan dietën moderne italiane me “pesë P-të”: Pizza, Pasta, Patata, Proteina, Pane (bukë).

Në supermarketet dhe piceritë italiane dominojnë ushqimet ultra të përpunuara, ndërsa picat shpesh shërbehen me patate të skuqura, salçiçe dhe produkte të skuqura.

Prindërit shpesh nuk e kuptojnë problemin

Pediatri Roberto Berni Canani thotë se shumë prindër nuk e kuptojnë se fëmijët e tyre janë mbipeshë.

“Vijnë për kollë, dhimbje barku apo probleme të tjera, por nuk e kuptojnë se pesha është shkaku kryesor,” shprehet ai.

Një prej pacienteve të tij është Francesca, 10 vjeç, e cila peshon 60 kilogramë. Ajo ha bukë me Nutella në mëngjes, ëmbëlsira gjatë ditës dhe makarona në drekë, ndërsa refuzon të hajë perime.

Prindërit e saj nuk e konsiderojnë peshën problem, pasi vajza merret me gjimnastikë artistike dhe kërcim.

Sipas mjekut, problemi nuk qëndron tek një vakt i vetëm, por tek modeli i të ushqyerit: ushqime me shumë kalori gjatë gjithë ditës, pije me sheqer dhe mungesa e frutave e perimeve.

Edhe kultura luan rol

Mësuesit në Napoli tregojnë se mentaliteti tradicional shpesh e bën më të vështirë ndërgjegjësimin.

“Nëse një fëmijë është pak topolak dhe me faqe të kuqe, shumë njerëz mendojnë se është i shëndetshëm,” thotë mësuesja Francesca Pecce.

Shkollat po përpiqen të ndryshojnë këtë perceptim përmes programeve të edukimit ushqimor. Mbi 17 mijë nxënës në 25 shkolla do të marrin pjesë në kurse për ushqyerjen e shëndetshme, ndërsa edhe familjet do të përfshihen në këtë proces.

Megjithatë, jo të gjithë besojnë se informacioni mjafton.

“Shokët e mi e dinë çfarë është e shëndetshme. Thjesht nuk u intereson,” thotë një 18-vjeçar nga Napoli.

Italia e njeh obezitetin si sëmundje kronike

Në vitin 2025, Italia u bë vendi i parë në botë që miratoi një ligj kombëtar që e njeh obezitetin si sëmundje kronike, progresive dhe me rikthim, duke e konsideruar rezultat jo vetëm të zakoneve individuale, por edhe të faktorëve biologjikë, socialë dhe mjedisorë.

Rajoni i Kampanias po teston masa të reja për të frenuar fenomenin, përfshirë edhe një studim mbi një dietë që imiton agjërimin. Në të do të marrin pjesë 300 adoleshentë mbipeshë, të cilët do të ndjekin periodikisht një regjim shumë të kufizuar kalorik për të nxitur një “rivendosje metabolike”.

Megjithatë, jo të gjithë specialistët janë dakord me këtë qasje.

Pediatri Berni Canani paralajmëron se kufizimet e forta ushqimore tek adoleshentët mund të rrisin rrezikun e çrregullimeve të të ngrënit, anoreksisë dhe problemeve me perceptimin e trupit.

Ndërkohë, Salvatore shpreson që të humbasë mjaftueshëm peshë për t’iu nënshtruar operacionit dhe të mund të veshë për herë të parë pas shumë vitesh një kostum banje pa u ndjerë në siklet. Historia e tij pasqyron sfidën me të cilën po përballet një brez i tërë fëmijësh italianë, gjithnjë e më larg dietës mesdhetare që dikur e bëri vendin të famshëm./ BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë