Duke ndjekur ringjalljet e fundit digjitale të Tupac, Freddie Mercury dhe Michael Jackson, muzikanti i fundit që do të nxirret nga varri për t’u shfaqur si hologramë në një stadium gumëzhitës është pianisti klasik Glenn Gould. Megjithëse ai vdiq më 1982-shin, kompania e hologramave argëtuese “Eyellusion” po punon në një “turne për hologramën e Glenn Gould”, që do të niset për udhëtim vitin që vjen. Pianisti kanadez mbahet mend për interpretimet e tij provokuese dhe me vizion të Bach-ut dhe përçmimin ndaj formatit të koncertit, ndërsa argumentonte se kjo çonte në një “konservatorizëm të tmerrshëm”. Ai i fokusoi energjitë e tij tek regjistrime. Pianisti Stephen Hough , shkruan: “ai krijoi një mënyrë të re të të menduarit rreth muzikës së regjistruar ku, LP u bë një formë arti në vetvete – jo thjesht një kopje e performancës live.” Ose siç e shpjegon CEO-ja i “Eyelussion” Jeff Pezzuti: “Ai konsiderohej si ylli i rrokut të motiveve klasike.”
Glenn Herbert Gould lindi më 25 shtator të vitit 1932 dhe u nda nga jeta më 4 tetor të1982 –shit. Ai u bë i njohur dhe u cilësua si pianisti i shekullit të 20 –të. Gould refuzoi thuajse të gjithë literaturën pianistike romantike të Chopin, Liszt dhe të tjerëve, duke parapëlqyer kompozitorë barokë, të Rilindjes, të Romantizmit të vonë dhe ata modernë . Megjithëse regjistrimet e tij dominoheshin nga Bach dhe Beethoven, repertori i Gould-it ishte i larmishëm, përshi vepra të Mozart, Haydn, Brahms, kompozitorë parabarokë si Jan Pieterszoon Sweelinck, Orlando Gibbons dhe William Byrd, si edhe kompozitorë të shekullit të 20-të si Paul Hindemith, Arnold Schoenberg dhe Richard Strauss. Gould njihej edhe për ekscentrizmin e tij, nga interpretimet muzikore aspak ortodokse dhe manierizmat në tastierë dhe aspektet e stilit të jetës dhe sjelljes. Ai reshti së dhëni koncerte në moshën 31 vjeçare për t’u përqendruar tek regjistrimet në studio dhe projekte të tjera.
Gould ishte gjithashtu shkrimtar, spiker në radio dhe moderator. Ishte kontribuues i frytshëm për revistat muzikore, në të cilat diskutonte teoritë e muzikës dhe theksonte filozofinë e tij muzikore. Si spiker, Gould reformoi në radio dhe televizion dhe prodhoi tre koncerte muzikore si dokumentarë radiofonikë, të titulluar “Trilogjia Vetmia”, rreth zonave të izoluara të Kanadasë. Ai kishte zakon të gumëzhinte ose këndonte, ndërsa luante në piano dhe inxhinierët e tij të regjistrimit nuk dinin sesi mund t’ia dilnin ta hiqnin zërin e tij nga regjistrimet. Gould pretendonte se të kënduarit ishte i pavetëdijshëm dhe përshkallëzohej nëse pianoja ku po luante nuk prodhonte interpretimin e paramenduar prej tij.

Një tjetër kërkesë e kthyer në zakon ishte që pianoja të vendosej në një farë lartësie dhe të ngrihej me blloqe druri, nëse do të ishte nevoja. Një qilim i vogël kërkohej të vendosej për këmbët e tij, nën piano. Duhej të ulej 35 centimetra mbi dyshemenë dhe do të interpretonte në koncerte vetëm nëse ulej në karrigen e vjetër, që i ati kishte bërë. Ai vijoi ta përdorte karrigen edhe kur ndenjësja ishte dëmtuar thuajse krejt. Karrigia identifikohej aq shumë me të sa ka një vend nderi në një kuti xhami në Bibliotekën Kombëtare të Kanadasë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.