Politike

Petro Koçi: Kadastra dhe Arsimi na krijoi kosto, vota preferenciale solli luftë të paskrupullt

Petro Koçi, që zgjedhjet e fundit u zgjodh deputet i PS-së për Fierin, ka publikuar një analizë paraprake për këtë qark.

“Analiza e zgjedhjeve të 25 prillit nuk ka nisur akoma. Pritet që të kemi së shpejti një dokument kriteresh ku do mbështetet kjo analizë.

Megjithatë kemi të dhëna të mjaftueshme për të prezantuar një analizë paraprake, jo përfundimtare”, shkruan Koçi.

Deputeti i zgjedhur vëren ndër radhë se, dega e PS e bashkisë Fier mori rezultatin më të mirë në qarkun e Fierit.

“Nëse shifrës se votave për PS do t’i bashkonim vetëm gjysmat e votave të pavlefshme atëherë do kishim thuajse të njëjtin rezultat si në 2017- ën.

Si subjekt kemi marrë më shumë vota sesa në 2019- ën dhe në 2015- ën...”

“Por nga më të mirët në qark, nënvizon Koçi, ne duhet të ngjitemi serish te më të mirët në Republikë”.

Por si?

“Gjykoj se përtej aktiviteteve masive metoda më e mirë do ishte ajo derë më derë. Ashtu jo vetëm që takon më shumë njerëz, por komunikimi është ndryshe; bëhet sy ndër sy dhe krijon lidhje të drejtpërdrejtë të politikanit me zgjedhësin.

Administrata me performancën e saj nuk ndihmoi. Ndërkohë imazhi i saj në disa sektorë si kadastra apo arsimi kishin vlerësim negativ, duke u kthyer në kosto politike për PS”.

Petro Koçi vëren gjithashtu se, “një dorë të fortësh në Fier që punuan për partinë e Metës arritën të na shkëpusnin vota të konsiderueshme në disa qendra votimi”.

Një element i rëndësishëm, sipas tij, që duhet analizuar është edhe vota preferenciale.

“Ky faktor shpesh bëri që paraqitja jonë të mos ishte serioze. Disa prej kandidatëve nuk respektuan kodin e përcaktuar nga lidershipi i partisë. Një pjesë e administratës u vu në shërbim të kandidaturave që vinin prej radhëve të saj. Ndërsa unë bëra thirrje publike për të votuar më shumë nr 12 si parti dhe nr 10, Gramoz Ruci si individ, pati të tjerë që ngatërruan elektoratin duke i vënë theksin mbi nr personal të tyre.

Mendoj se vota preferenciale e kthen sistemin në dimension të forte maxhoritar duke e zbehur thelbin proporcional. Dhe nga ana tjetër kjo rrit luftën e brendshme deri në përdorim të elementeve të paskrupullt”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë