Politike

“Kadastra, kosto politike”. Plas në PS-në e Fierit. Ish-drejtori i ALUIZNI-t i përgjigjet Petro Koçit: Dështimin tënd s’mund ta mbulosh me mua

Kryetari i emëruar i PS-së për Fierin, Petro Koçi, deklaroi përmes një postimi të gjatë në Facebook se kadastra dhe arsimi ishin dy sektorët që i shkaktuan kosto politike PS-së në zgjedhje. Duke publikuar një analizë paraprake për qarkun Fier, Koçi e vuri gishtin tek keto dy sektorë edhe pse la të kuptohej se problematika në to shtrihej edhe në qarqe të tjera.

Ish-drejtori i ALUIZNI-t për Fierin Ervin Bushi i emëruar nga PS për 8 vite rresht në atë detyre (2013- janar 2021) i ka kthyer  përgjigje publike deputetit socialist, përmes Facebook.    

“...Më vjen ndot kur thua se indikator për humbjen e mandateve apo rezultatin e arritur në zgjedhje ka qenë performanca e Ashk-së Fier! Turp për ty të mohosh rezultatet e punës kolosale të ish Drejtorisë së Aluiznit dhe Ashk-së aktuale Fier! Sa keq më vjen kur mohon totalisht të vërtetën kur thua që Ashk Fier ka pasur performancë të ulët! Ti zotëri i sjell në krye të partisë në Fier e di mirë që në 2013 Aluizni ka filluar punën vetëm me 800 dosje të legalizuara nga paraardhësit dhe tani meqë nuk e di po ta them se e kemi çuar ne 21.000 numrin e banesave të legalizuara...”, shkruan Bushi ndër radhë.

Në 8 vite drejtim të Kadastrës Fier, Bushi nënvizon se ka punuar pa cënuar askënd. “Drejtoria e Ashk-së Fier deri në Janar të vitit 2021 kur unë u largova nga ajo detyrë është cilësuar si model për arritje të rezultateve të cilat e kanë renditur atë të parën apo të dytën ne rang Republike dhe ky është fakt i dokumentuar dhe publikuar... Kuptohet ti je ai qe s’ke dashur as ta dëgjosh e as ta shohësh rezultatin!... Me vjen keq nëse ndryshimi pozitiv për ty ardhka me këtë rezultat dështak, por jam i sigurt që realisht mund të duket ndryshim i pa përshkrueshëm sepse ndoshta koha që ju është cenuar shërbimit qytetar mund ti ketë shërbyer interesave të atyre që kërkojnë legalizime pallatesh të ndërtuar mbi lulishte, legalizimin e të cilave nuk e realizuan dot deri me janar te vitit 2021 kur atë Drejtori e drejtoja unë! Kjo mendoj është arsye madhore që të mburrësh një palë e të njollosesh një tjetër!”

Ervin Bushi nuk ndalet kur i kujton Petro Koçit rezultatin e dobët që ai ka marrë si kandidat për deputet në qarkun e Fierit.

 “...Më vjen keq të quaj të zgjedhur sepse është e turpshme që Kryetari i Partisë të votohet aq pak nga Fierakët Socialistë! Pranoje që ke dështuar edhe këtu dhe kjo për paaftësinë tënde drejtuese, menaxhuese, dhe jo për shkak te performancës së Ashk-së që ka qenë në standarde maksimale. Turp për ty që vazhdon të bëhesh qesharak në media duke sulmuar me fjalë ata që s’mund t’i mposhtësh në rezultate!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë