Biznes

Pesha e bizneseve VIP ra në 7 vitet e fundit

Sipas një studimi nga qëndra Altax pesha e kontributeve të bizneseve të mëdhenj ka rënë gradualisht përgjatë viteve 2012-2019. Në vitin 2012 pesha (në përqindje) e tatimeve të bizneseve të mëdhenj në Buxhetin e Shtetit ishte 47%, ndërsa gjatë vitit 2019 ajo ka qënë 37%.

Ajo çfarë të habit në këtë ecuri rënëse të kontributeve të bizneseve të mëdhenj në buxhetin e shtetit është fakti se drejtoria e përgjithshme e tatimeve së bashku me qeverinë përgjatë këtyre viteve ka marrë disa politika e iniciativa për të ulur informalitetin e rritur transparencën e bizneseve. Kujtojmë këtu gjobat e kontrrollet e shumta përgjatë këtyre viteve si dhe ndryshimet e shumta të politikave fiskale, e të gjitha këto me qëllimin e përmirësimit të ambientit bashkëpunues të bizneseve me shtetin. Por ky nivel i ulët i kontributit në buxhet tregon një fakt të pakundërshtueshëm, se bizneset e mëdha të Shqipërisë nuk mbajnë prej vitesh peshën kryesore nga e cila janë edhe përfituesë nëpërmjet punëve që realizojnë me fonde të buxhetit. Ndërkohë vlera e qarkullimit që deklarohet prej tatimpaguesve të mëdhenj është më shumë se 2/3 e ekonomisë, ndërsa kontributi i tyre në buxhet nëpërmjet tatimeve është më pak se 1/3 e gjithë të ardhurave të buxhetit.

Politika tatimore në vitet e fundit është përqendruar në uljen e normave të taksave dhe ka aplikuar stimuj specifikë për sektorë që synohet të nxiten për t’u zhvilluar në Shqipëri (p.sh. norma e ulët e TVSH-së për akomodimin dhe për hotelet me 4/5 yje dhe prodhuesit farmaceutikë). Por, sipas Altax reformat e fundit të politikës tatimore kanë ngushtuar bazën e tatimpaguesve dhe kanë ndërlikuar mënyrën e taksimit për disa segmente të tjera. Disa nga këto ndryshime komplikojnë në fakt regjimin tatimor të thjeshtë, që zbatohet nga mikrobizneset dhe  nga ana tjetër krijon si pasojë mundësi për shmangie të taksave, p.sh., përmes zhvendosjes së të ardhurave më të larta të tatimit të dividentit, ose manipulim të pragut të tatimit mbi fitimin.

Studimi referon se duhet të orientohen kapacitetet drejtuese dhe zbatuese me aftësitë e kërkuara nga detyra që marrin përsipër për kryerjen e analizave tatimore për të kuptuar më mirë paqëndrueshmërinë në të ardhurat tatimore.

Aktualisht nuk ka punonjës me këto aftësi për analizën e të ardhurave për të parë mbledhjen e të ardhurave, tendencat dhe pritshmëritë, si dhe për të përcaktuar arsyet e ndryshimeve të rëndësishme nga parashikimet e buxhetuara gjatë vitit. Ndërkohë, lidershipi që ka ardhur dhe ka ikur këto vite të fundit është në nivelin mesatar të menaxhimit që ndodh në vende me administratë të zhvilluar, thuhet në studim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë