Njerez

Pesë mitet që (s’)freskojnë

Pjesa më e madhe e hemisferës së globit është përfshirë nga temperatura të larta dhe i nxehti i pashembullt. Nga Japonia në Kaliforni dhe nga Mesdheu deri tek vendet skandinave nuk kanë qenë të rralla herët kur termometri ka shënuar 40 gradë.

E në të tilla kushte gjithsecili ka metodat e veta të gjetjes së freskisë. Dikush zgjedh detin, të tjerë malin, ndërsa në mes janë edhe metodat vetiake, që më shumë janë mit sesa të bazuara në studimet shkencore. Ka shumë prej tyre, por pesë më të përhapurat po i sjellim më poshtë.

Konsumoni pije të ftohta, jo të ngrohta

Konsumi i pijeve është gjëja e duhur për të mbajtur trupin të hidratuar dhe për të mbrojtur veshkat. Por, ka një debat se kush e kryen më mirë këtë qëllim, pijet e ftohta, apo ato të ngrohta. Pas pijeve të ngrohta qëndron teoria se pas konsumit të tyre trupi ngrohet dhe djersin e në fund të djersitjes trupi ndjehet më i freskuar.

Trupi i njeriut mund të prodhojë deri në dy litra djersë në orë, si një kundërpërgjigje për të ulur temperaturën e tij. Por, nëse lëngjet e humbura nuk zëvendësohen shpejt, organizmi ynë rrezikon të dehidratohet, ndaj ka nga ata që veç pijeve të ftohta rekomandojnë edhe reduktimin e pijeve të ngrohta.

Ka të tjerë që këshillojnë që të mos konsumohet çaji dhe kafja, pasi përmbajnë kafeinë, që dehidraton trupin, por ka pak prova shkencore që provojnë se një sasi e vogël kafeine në trup vepron si dehidratues i organizmit.

Nga ana tjetër është e vërtetë që shumë studime mbështesin idenë e përdorimit të pijeve të ftohta. Ka patur hulumtime ku janë krahasuar temperaturat trupore të grupit të personave, që në një mot të nxehtë konsumonin pije të ftohta dhe të grupit që konsumonte pije të ngrohta nën të njëjtat kushte. Në të gjitha këto studime, rezultati ka qenë i njëjtë: pijet e ftohta (por kujdes, jo shumë të ftohta), ulin më shpejt temperaturën trupore.

Ka edhe disa studime të tjera që provojnë të kundërtën, por që kërkohen disa kushte për t’u plotësuar. Pra, nëse jeni të veshur dhe në një ambient me lagështi ekstreme nuk këshillohen pijet e ngrohta, pasi djersa e trupit nuk avullon me shpejtësi dhe në vend të freskimit merrni më shumë nxehtësi.

Ventilatori

Qëndrimi para një ventilatori kur sapo je kthyer në shtëpi nga një ditë e nxehtë është një çlirim. Ventilatori nuk e ftoh ajrin, por e qarkullon atë dhe rrit efikasitetin e metodave normale të trupit për të ftohur vetveten, pa qenë nevoja që të djersijë.

Ventilatorët janë të përhapur në masë dhe të paktën në një rast kanë shpëtuar edhe jetë. I tillë është ai i raportuar në Britaninë e Madhe dy vjet më parë, kur tre pacientë të goditur nga vapa humbën ndjenjat. Ata u përmendën në momentin kur do të ulej helikopteri që do t’i transportonte në spital dhe e gjitha falë ajrit që qarkulloi nga helikat e mjetit.

Por, edhe ventilatorët kanë kufizimet e tyre. Ata nuk këshillohen që të përdoren kur temperatura shënon mbi 37 gradë. Në këto kushte qarkullimi i ajrit me temperaturë të njëjtë, apo më të lartë se temperatura trupore vetëm sa do të përkeqësonte gjërat dhe rriste dehidratimin. Zgjidhja në të tilla kushte: ndizni kondicionerin.

Vetëm të moshuarit duhet të shqetësohen për pasojat shëndetësore

Është e vërtetë që numri i pacientëve që u drejtohen spitaleve rriten me rritjen e temperaturave dhe që pjesa më e madhe e tyre janë të moshës së tretë.

Temperatura ideale me të cilën organizmi ynë funksionon qetësisht është mes 36 dhe 37 gradëve. Termoreceptorët e lëkurës mund të ndjejnë lëvizjen e temperaturave edhe nëse ajo rritet me një gradë, duke aktivizuar djersitjen si proces natyral për të ruajtur temperaturën trupore në parametrat e kërkuar.

Përveç kësaj, organizmi dërgon sasi më të mëdha gjakun tek gjymtyrët, duart dhe këmbët. Kjo është arsyeja që shpesh në një natë vere të nxehtë gjymtyrët tona na duken të nxehta. Si djersitja, ashtu edhe metoda e dytë kërkon një sforcim më të madh nga zemra dhe ky është shkaku se përse të moshuarit pësojnë më shumë atake kardiake në temperatura të larta.

Një tjetër fakt është se të moshuarit e kanë më të vështirë që të ruajnë temperaturën e trupit konstante dhe shpeh mund të mos e kuptojnë që kanë vapë dhe të dehidratohen shumë më shpejt se të rinjtë.

Por jo vetëm të moshuarit rrezikojnë. Edhe fëmijët e vegjël rrezikojnë gjithashtu. Foshnjet dhe personat më sëmundje kronike janë po aq vulnerabël ndaj pasojave që sjell i nxehti ekstrem. I nxehti ekstrem që pëfshiu Europën në vitin 2003 besohet se ka vrarë të paktën 30 mijë vetë, pjesa më e madhe e të cilëve të sëmurë kronikë dhe të moshuar.

Hapja e të gjitha dritareve

Hapja e dritareve është gjëja e parë që bën shumëkush nga ne në momentin që ka vapë. Por, gjatë ditës kjo mund të na kushtojë.

Dritaret këshillohen të hapen vetëm kur temperatura e ajrit jashtë është më e ulët se ajo e ajrit brenda, në të kundërt ky veprim vetëm sa do të na përkeqësonte situatën. Këshilla kryesore mbetet ajo e mbylljes së dritareve gjatë një dite të nxehtë dhe hapja e tyre gjatë natës, kur ajri jashtë është më i freskët se ai brenda.

Birra

Sezoni veror është edhe sezoni me pikun e konsumit të kësaj pijeje. Ka nga ata që e pijnë pa alkool, por shumica zgjedhin tjetrën, atë më alkool duke menduar se po i freskon.

E sigurtë është që birra me alkool të deh, ndërsa për atë që të freskon trupin asnjë studim nuk e ka provuar deri më tani.

E vërtetë është që këtë qëlllim mund ta arrijë një apo dy gota, por kur teprohet me të rrezikon që sasia e alkoolit më shumë të ndihmojë në dehidratimin trupor se sa në freskimin e organizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë