Analize

Përse Sllovakia e Ukraina zgjodhën udhëheqës pa lidhje me politikën

Një aktor humori dhe një aktiviste që ka marrë pjesë prej 14 vitesh në të gjitha protestat kundër korrupsionit në vendin e saj. Këta duket se do të jenë dy udhëheqësit më të rinj në skenën europiane, pasi votuesit në Sllovaki dhe Ukrainë tronditën si rrallë ndonjëherë kontinentin e vjetër duke u dhënë një goditje të fuqishme partive që kanë mbizotëruar prej dekadash skenën politike të vendeve të tyre.

Votuesit e Europës Lindore, të njohur për konservatorizmin dhe prirjet ksenofobe treguan këtë fundjavë se rritja e populizmit nuk ka krijuar thjesht një valë ekstremistësh, por edhe një valë të fuqishme anti-estabilshmenti kundër korrupsionit dhe krimit.

Në Ukrainë, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale nxori fitues një komedian që flet më mirë rusishten sesa ukrainasen, ndërsa në Sllovaki presidentja e re vendit është një nga aktivistet më të ashpra kundër korrupsionit. Asnjëri prej tyre nuk kishte përvojë të mëparshme politike dhe asnjë bazë mbështetësish. Megjithatë, votuesit sllokavë dhe ukrainas i kthyen sytë nga këta dy të huaj për të ndryshuar sistemin, dy kandidatë të ashpër që kanë sulmuar pothuajse të gjithë figurat politike të vendeve të tyre.

Zuzana Caputova është një yll në ngritje që u rrit mes një vale protestash pas vrasjes së një gazetari investigativ dhe të fejuarës së tij. Për muaj me radhë, ajo kishte luftuar kundër biznesmenit të akuzuar për vrasjen, duke u përpjekur t'i detyronte autoritetet të hapnin një hetim. Caputova ia doli të zhvendoste vëmendjen tek lidhjet midis krimit të organizuar ndërkombëtar dhe partisë në pushtet.

Në Ukrainë, Petro Poroshenko është duke dështuar me sukses falë një fushate të bazuar tek nacionalizmi dhe konservatorizmi fetar. Fushata e tij është fokusuar tek një ushtri e fortë dhe mbështetja për gjuhën ukrainase dhe kishën ortodokse. Por Poroshenko ka shumë gjasa të përballet në raundin final me Vladimir Zelenskin. Ashtu si Caputova, edhe ai është një rishtar politik dhe një nga kritikët më të ashpër të qeverisë. Aktori i humorit kundërshton përdorimin e detyruar të gjuhës ukrainase për shtetasit rusë dhe është zotuar të çrrënjosë korrupsionin.

Vladimir Zelenski

Zelenski në Ukrainë

Komediani Vladimir Zelenski triumfoi ndaj Petro Poroshenkos në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Ukrainës.

Zelenski nuk kishte kandiduar kurrë për asnjë post publik por mori 30 për qind të votave, pasuar nga Poroshenko me 16 për qind. Ish-kryeministrja Yulia Timoshenko doli e treta me 14 për qind.

Poroshenko pranoi se kishte marrë një "mësim të mirë ", ndërkohë që Zelenski u tha mbështetësvee se sfida e tij sapo kishte filluar. Për shumë ekspertë, votuesit ukrainas ndodhen tanimë përpara një zgjedhjeje të vështirë mes status-quo dhe të panjohurës.

Poroshenko ka luftuar për t'i dhënë fund luftës së vendit të tij me separatistët e mbështetur nga Rusia por është përfshirë në skandale të pafundme korrupsioni që kanë dobësuar besueshmërinë e tij në sytë e publikut.

"Zelenski është një kloun dhe unë me të vërtetë merakosem për të ardhmen e këtij vendi", deklaroi ai një ditë përpara raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Nëse një aktor 41-vjeçar ka aftësi për të udhëhequr një vend prej më shumë se 40 milionësh, është një pyetje që duket se po mundon tanimë jo vetëm ukrainasit por edhe Bashkimin Europian, i cili është angazhuar fuqishëm në Kiev pas krizës së vitit 2014.

Petro Poroshenko

Zelenski përballet me një sërë sfidash të politikës së brendshme dhe të jashtme, duke filluar nga lufta kundër separatistëve, korrupsioni endemik dhe rënia ekonomike. Përtej premtimit për të nxitur reforma të reja, strategjitë politike të Zelenskit ndaj këtyre sfidave mbeten ende të panjohura. Gjatë fushatës, ai shmangu dhënien e intervistave, duke preferuar që të organizonte shfaqje të ngjashme me shfaqje teatrale. Ai nuk pranoi as të merrte pjesë në një debat televiziv me Poroshenkon dhe Timoshenkon.

Shumë nga mbështetësit e Poroshenkos thonë se edhe pse ai ka shumë mangësi, ai përfaqëson "të keqen më të vogël". Zelenski thuhet se mbështetet nga Ihor Kolomoyskyi, një nga oligarkët më të fuqishëm të Ukrainës, i cili zotëron edhe televizionin ku jepet shfaqja televizive e Zelenskit.

Në botën e errët të politikës ukrainase, ku ndarja midis politikës dhe biznesit është e vogël, shpesh është e vështirë të dallosh se kush po mbështet kë.

Kolomoysky nuk e ka fshehur mospëlqimin e tij për Poroshenkon, i cili është përpjekur të kufizojë disa nga lehtësirat që gëzojnë oligarkët në Ukrainë, sidomos duke privatizuar “PrivatBank”, një bankë të kontrolluar nga Kolomoyskyi.

Zuzana Caputova

Caputova në Sllovaki

"E vetmja gjë që duhet për triumfin e së keqes është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë", deklaroi Caputova një ditë para se të fitonte garën presidenciale, duke u bërë udhëheqësja e parë femër e Sllovakisë.

Duke e cilësuar zgjedhjen e saj si një betejë midis së mirës dhe së keqes, Caputova mundi nënkryetarin e Komisionit Evropian Maros Sefçoviç. Ajo mori pjesë në zgjedhje duke mbajtur mbi shpatulla kauzën e vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak. Ai po hetonte lidhjet midis politikanëve dhe krimit të organizuar kur u vra në shtëpinë e tij së bashku me të fejuarën e tij.

Caputova e konsideroi vrasjen e Kuciak si një nga arsyet pse vendosi të kandidojë për presidente. Ajo fitoi 58% të votave, ndërsa Sefcoviç nga 42%. Kundërshtari i saj u propozua nga partia qeverisëse Smer-SD, e cila udhëhiqet nga ish-kryeministri Robert Fico, i cili u detyrua të japë dorëheqjen pas vrasjes së gazetarit.

Caputova u bë e njohur si avokate kur ajo luftoi për 14 vjet për largimin e një landifilli në zonat e banuara. 45 vjeçe, e divorcuar dhe nënë e dy fëmijëve, ajo është anëtare e Partisë Liberale Progresive, e cila nuk ka ende asnjë vend në parlament.

Duke folur në një treg të vjetër në Bratislavë, Zuzana Caputova ngriti në heshtje vlerat që tani duket se vijnë nga një epokë e vjetër politike: dhembshurinë, tolerancën dhe të vërtetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë