Ne rrjet

Përse po shkon Merkel në Greqi?

Pesë vite pas vizitës së fundit, kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë Athinën për t’u bërë thirrje deputetëve grekë të ratifikojnë marrëveshjen me Maqedoninë.

Vizita dy-ditore e kancelares në Athinë po zhvillohet në një mjedis krejtësisht të ndryshëm politik nga ai i prillit të vitit 2014.

Thirrjet si "kthehuni mbrapsh zonja Merkel" dhe fyerjet e shumta që shënjestronin kancelaren për shkak të programeve të shtrëngimit ekonomik i përkasin tanimë të kaluarës.

Përpara vizitës dy-ditore në Athinë, kancelarja gjermane ka shprehur mbështetjen e saj për Greqinë në një deklaratë ekskluzive për “Kathimerinin”, duke thënë se Athina mund të "vazhdojë të mbështetet tek partneriteti dhe miqësia e saj me Gjermaninë."

Gjatë vizitës së saj, kancelarja pritet të theksojë se vazhdimi i reformave mund të jetë i vështirë, por se është i domosdoshëm për rimëkëmbjen e plotë të Greqisë. Megjithatë shumë më e rëndësishme se reforma ekonomike, për Merkel është kompromisi i fundit për emrin e Maqedonisë.

Angela Merkel dhe Alexis Tsipras

Javën e kaluar, një nga zëdhënëset e qeverisë gjermane, Martina Fietz, tha në Berlin se qeveria gjermane e përshëndet marrëveshjen, por pranoi edhe se miratimi i Parlamentit grek nuk është ende i sigurt, edhe pse për të do të mjaftonte një shumicë e thjeshtë prej 151 nga 300 vota gjithsej.

Partia qeverisëse Syriza ka vetëm 145 vende dhe nuk mund ta zbatojë marrëveshjen pa ndihmë. Partia populiste e krahut të djathtë ANEL, e cila i shërben Tsiprasit si një partnere e vogël dhe plotësuese e shumicës, kundërshton marrëveshjen e emrit dhe ka paralajmëruar se do të largohet nga qeveria nëse marrëveshja zbatohet.

Ekspertët thonë se Tsipras do ta mbledhë shumicën e nevojshme me ndihmën e disa partive të vogla. Edhe më i rëndësishëm konsiderohet reagimi i kreut të opozitës konservatore, Kyriakos Micotakis, i cili deri më tani kundërshton kompromisin për emrin.

Shumë mendojnë se Merkel do të ndërhyjë personalisht për këtë çështje. "Micotakisi nuk do të ndryshojë mendjen për mosmarrëveshjen e emrit, por Kancelarja ndoshta do të bëjë presion të nevojshëm, që së paku ai të miratojë anëtarësimin e vendit fqinj në NATO", thotë një gazetar i njohur gjerman.

Angela Merkel dhe Zoran Zaev

Merkel do të takohet me Kryeministrin Alexis Tsipras, bisedime që do të pasohen nga një konferencë e përbashkët shtypi. Të premten ajo do të takohet me presidentin Prokopis Pavlopulos dhe kreun e Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis para largimit të saj nga Athina.

Merkel pranoi se "vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për shumë njerëz në Greqi".

Megjithatë, ajo vuri në dukje se vendi fqinj ka bërë "përparim të madh" me përfundimin e programit të Trojkës dhe tha se ky duhet të jetë një "motiv për të ardhmen". Duke vënë në dukje se Europa ka shfaqur solidaritet ndaj Greqisë duke mbështetur përpjekjet e saj për të arritur stabilitetin fiskal dhe ekonomik, Merkel shtoi se Gjermania mbetet e përkushtuar në mbështetjen e këtyre përpjekjeve.

"Unë jam shumë e lumtur për vizitën time në Athinë të enjten dhe të premten. Pres bisedime të mira dhe në takime interesante”, deklaroi Merkel. “E di që vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për shumë njerëz në Greqi.”, shtoi ajo.

Vizita e fundit e Angela Merkelit në Greqi, në vitin 2014, duket sikur i përket një epoke tjetër. Në kulmin e krizës së borxheve, kryeminsitri konservator Antonis Samaras përpiqej asokohe për ta prezantuar mysafiren si mikeshë të vendit fqinj. Tsipras, atëherë në opozitë, e akuzonte Merkelin se kishte ardhur në Athinë vetëm për të "mbështetur sistemin e korruptuar në pushtet". Sindikatat bënin thirrje për protesta, madje edhe gazetarët e televizionit shtetëror ERT hynë në grevë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë