Politike

Kriza politike hap “pusetën” e fjalorit banal

Politikanët shqiptarë nuk shquhen për vetëpërmbajtje në fjalor kur adresojnë akuza ndaj njëri-tjetrit dhe falë kësaj, thuajse në të gjithë raportet vendase e ndërkombëtare, klima e polarizuar politike renditet si një prej faktorëve kryesorë pengues të tërheqjes së investimeve të huaja. Por, nëse ka një kufi në termat që rëndom dalin prej gojës së tyre, ai shkelet sa herë që kriza e përshkallëzohet.

2018 pati disa të tilla. Njëra prej tyre filloi në muajin maj bashkë me akuzat e opozitës ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Xhafaj akuzohej se mbrojti të vëllanë trafikant droge. Fjala më e përdorur në atë përiudhë ishte “trafikant” dhe “vëlla i trafikantit”.

Më pas shpërtheu skandali i Xhisiela Malokut, 25-vjeçarja që akuzoi për përdhunim Rexhep Rrajan, djalin e deputetit socialist, Rrahman Rraja. E reja u tërhoq nga akuzat fillestare, por në skenë dolën akuzat e opozitës dhe ish-oficerit të Policisë Gjyqësore, Emiljano Nuhu, që akuzonte kreun e grupit socialist, Taulant Balla se kishte ushtruar presion në mënyrë që të mbyllte dosjen ndaj djalit të deputetit të PS-së të rrethit të Krujës.

Mes fjalëve që qarkullonin në deklaratat kundër kreut të grupit parlamentar socialist, ishte edhe fjala “përdhunues”. Kjo nuk ishte hera e parë me të cilën akuzohej Taulant Balla. Për herë të parë këtë akuzë ja ka bërë publikisht Sali Berisha gjatë debateve në Parlament, në kohën që socialistët ndodheshin në opozitë.

Rasti “Xhisiela” pasoi një tjetër moment kulminant në fjalorin e politikanëve shqiptarë. Operacioni “Vol-vo 4” i Policisë së Shtetit çoi në pranga dhjetra persona, mes të cilëve edhe dy ish-deputetët socialistë, Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Por, hetimet zbuluan se me drejtuesit kryesorë të të ashtuquajturit grupi i Shijakut kishte komunikuar edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako. Ky i fundit doli në një studio televizive për t’u mbrojtur. Mes fjalëve që tha ishte edhe “s’ka bir kur*e”, që fliste më shumë se ai në telefon.

Për herë të parë publikisht këto fjalë i ka përdorur Edi Rama në kohën që drejtonte Bashkinë e Tiranës. Pas tij të njëjta fjalë dolën nga goja e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. “S’ka bir nëne dhe s’ka bir kur*e të më pengojë mua që të bëj drejtësi”, deklaronte ai pas një dëshmie para prokurorëve.

Në të tilla përmasa është edhe kriza që ka hyrë bashkë me 2019 në klasën politike shqiptare, si një zgjatim më i ashpër i përplasjeve me të cilën u mbyll 2018-ta. “Fjalën” e fundit për vitin e kaluar e tha kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një nga seancat e fundit parlamentare. Ai mori fjalën pasi kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i përmendi emrin e vajzës gjatë një debati për tenderat mbi Unazën e Re.

"Instinkti i parë është instinkti i prindit dhe për atë që bëre këtu instinkti i parë ishte të të fusja një grusht, por u ndala nga dy gjëra. E para e punës, që të prekësh mu*in, bëhesh vetë pis. E dyta, nuk do të arrija dot t’u përcillja qytetarëve arsyet pse ju nuk votoni vetingun e politikanëve”, kundërpërgjigjej Basha.

Kreu i PD-së nuk bën pjesë tek grupi i politikanëve që shquhen për fjalorin banal dhe po atë ditë kërkoi falje përmes një postimi në rrjetet sociale. Në ndjesën publike shpjegon arsyet që e çuan të humbë toruan.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1076158771066531840

Me kaq u mbyll sesioni parlamentar dhe bashkë me të edhe 2018-ta. Viti i ri nisi me avazin e vjetër. Si për të tretur yndyrnat e tepërta të ushqimeve të festave, gjuha e shpenguar u rikthye me rikthimin e agjendave politike. Situata u ndez pas refuzimit të Presidentit Ilir Meta për të dekretuar shkarkimin e Ditmir Bushatit dhe emëruar Gent Cakajn në krye të Ministrisë së Jashtme.

Në përplasjen Kryeministri-Presidencë partitë opozitare u rreshtuan në krah të Presidencës dhe veç akuzave ndaj Edi Ramës për propozimin e Gent Cakajt në krye të Ministrisë së Jashtme rikthenin në kujtesë edhe akuzat për tenderat, korrupsionin e lidhjet me krimin. Siç ndodh gjithmonë, sa herë që rikthehen këto akuza, rikthehet edhe fjalori banal.

Vetë Kryeministri, është treguar më i përmbajtur këto ditë në fjalët e përzgjedhura për të sulmuar kundërshtarët, por epitetet nuk kanë munguar. Me “kadrinj e qyqarë” ai u drejtohet gazetarëve e mediave që e kritikojnë më fort, por edhe rivalëve politikë. Por në të shkuarën ai ka një “portofol” të pasur me termat e përzgjedhur për t’iu kundërvënë kundërshtarëve. Më i freskët është rasti i disa muajve më parë, kur nga foltorja e parlamentit krahasoi me organin gjenital mashkullor qytetarët shqiptarë për t’iu përgjigjur thirrjeve të opozitës për protesta masive.

Në një tjetër rast, në muajin dhjetor, në një mbledhje të grupit parlamentar socialist, deputeti Pjerin Ndreu qortonte deputetët e shumicës së paraqiten rrallë nëpër komisionet parlamentare. Rama e gjeti me vend, që edhe në këtë rast të shënjestronte kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. “Shkoni në komisione si Mona në dasmë”, citohej ai.

“Po i përgjigjem psiqikut si doktoreshë që jam. Pedagogët sot janë përballë një të sëmuri, një krimineli. Ai është në situatë të rëndë psiqike e klinike. E them këtë si doktorreshë”, deklaronte në një aktivitet të LSI, Monika Kryemadhi. “Psiqiku” e ironia e përdorur në këtë fjali ishte si kundërpërgjigje ndaj Kryeministrit, që sidomos gjysmën e dytë të dhjetorit dhe në ditët e para të këtij viti i ka kujtuar shpesh kryetares së LSI-së gradën “Doktore e Shkencave”, për ta ironizuar sipas me zërave se punimi i saj për këtë gradë është një plagjiaturë.

Petrit Vasili nga ana tjetër ka qenë konstant i ashpër ndaj Kryeministrit përmes postimeve të shpeshta në profilin e tij zyrtar në Facebook. Në këto postime gjen etiketime pafund ndaj Kryeministrit Edi Rama, që nga “mediokër”, “budalla”, “i vdekur që ecën”, “i lajthitur”, “shpifurinë”, “trugremisur”, “fishkëllimë Kryeministër” e deri tek “ordiner”.

Nuk mbetet më pas deputeti demokrat, Edi Paloka. “Të jesh sot kundër studentëve për të lëpirë prapanicën e një të çmenduri, që çdo ditë e më shumë po e shkatërron këtë vend, nuk është vetëm e turpshme, por është e dënueshme në të gjitha aspektet”, shkruan ai në një postim të 11 janarit.

Ky është fjalori i aktualitetit politik sot, një “deja vu” që rikthehet gjithmonë me përshkallëzimin e tensioneve mes palëve dhe gjithmonë e më i ashpër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë