Politike

Rrugaçët e politikës

Nga Mentor Kasa dhe Xhuliana Toci - Në një hark kohor të shkurtër, ish-Kryeministri Sali Berisha publikoi në rrjetet sociale dy mesazhe të të zakonshmit “qytetari digjital”. Në të parin denoncohej shoqërimi i deputetit socialist të qarkut të Vlorës, Alket Hyseni me të motrën e një të akuzuari për vrasje, ndërsa në postimin e dytë denoncohej shoqërimi i deputetit socialist me një person të shpallur në kërkim për trafik lëndësh narkotike.

Postimet e Berishës shkaktuan reagimin e Alket Hysenit. Po përmes rrjeteve sociale, deputeti socialist iu kundërvu ish-Kryeministrit për postimin e parë. Ai e quante atë “Rigoleto” dhe mes termave të përdorur për të sulmuar kundërshtarin e tij politik kishte zgjedhur edhe “plak” e “autik”.

“O plak autik, që humbe shansin të ishe figurë historike dhe u katandise në mejhane shpifjesh dhe thashethemesh”, shkruante ndër të tjera, Alket Hyseni. Por, epiteti i dytë i përzgjedhur për Berishën iu kthye mbrapsht deputetit të PS-së.

https://www.facebook.com/alket.hyseni.official/photos/a.1323923504351039/1934787273264656/?type=3&theater
Postimi i modifikuar i Alket Hysenit

“Ju ftoj të kërkoni falje publike për përdorimin e fjalës "autik" si një epitet fyes për një prej figurave politike të vendit. Ju i keni dhënë shoqërisë të paktën tre mesazhe: 1. Përdorimin e "Autizmit" si konotacion negativ duke ndihmuar kështu stigmën që zë më shumë vend mes nesh. 2. Sjelljen në vëmendje të "autizmit" si një çrregullim, i cili nuk ka shpresë si për fëmijët dhe për familjarët që kalojnë kohë më këta fëmijë, ndërkohë që shumë prej tyre ia dalin lehtësisht të jenë pjesë e shoqërisë. 3. Duket se deputeti nuk ka shumë informacion, ose më mirë aspak dhe për më tepër, mungesë ndjeshmërie ndaj njerëzve me aftësi ndryshe”, shkruan psikologia, Denata Toce.

Nga opozita shkuan përtej kërkesës së ndjesës. Tritan Shehu kërkon dorëheqjen e Alket Hysenit.

“Në çdo shoqëri të zhvilluar, të tilla "epitete" e fyerje të çojnë në përballje me moralin, politikën, opinionin, apo dhe me drejtësinë”, shkruan ai.

I kontaktuar nga Gazeta “Si”, profesor Edmond Tupja e cilësoi “përçartje dhe lajthitje”. Në morinë e komenteve ka nga ata që mundohen të justifikojnë dhe ta nënvlerësojnë si një “lapsus të nxituar” përdorimin e këtij termi, por jo të gjithë besojnë se reagimi i Alket Hysenit ishte i pamenduar më parë.

I gozhduar përballë reagimit publik, vetë Alket Hyseni e korrigjoi postimin e tij duke hequr prej andej termin “autizëm” e “autik”, por publikisht asnjë ndjesë nuk ka mbërritur dhe të paktën nga ajo çfarë përforcon deputeti, as ka ndërmend që të mbërrijë.

Korrigjimi i Alket Hysenit

Ai i është përgjigjur një prej komenteve që e qortonin në postimin e tij dhe këmbëngul se termi ishte përdorur “figurativisht”.

“Kur përmendet figurativisht një sëmundje nuk do të thotë fare që synon të lëndojë këdo që lufton përditë atë betejë të vështirë. Përdorimi si figurë letrare, p.sh e kancerit nuk synon aspak të lëndojë miliona njerëz që luftojnë këtë sëmundje. Synimi i vetëm është të tregojë shkallën e vërtetë të veprimeve politike të papërgjegjshme që sjellin pasoja të rënda në shoqërinë tonë”, thotë ai.

Fjalë të pista dhe nënkuptime seksuale

52-vjeçari Vangjush Dako ka pasur një karrierë mjaft interesante në politikë. Pasi hyri në industrinë e ndërtimit kur ishte 25 vjeç, ai u bë zyrtar i lartë shtetëror dhe më pas kryetar i bashkisë së Durrësit, qytetit të dytë më të madh i Shqipërisë, në moshën 41 vjeçare. Megjithatë, karriera e tij ka pësuar një tronditje të fuqishme kohët e fundit pasi nisja e një hetimi policor ndaj një organizate të fuqishme të trafikimit të drogës, zbuloi disa telefonata mes Dakos dhe disa anëtarëve të dyshuar të një grupi kriminal.

Kur u pyet në Klan TV më 25 tetor nëse fliste me disa njerëz të arrestuar për trafikim droge ai u përgjigj me zemërim se: “Mund të ma kalojë Edi Rama për mesazhe, por nuk ka bir ku*ve që të ma kalojë mua për të folur në telefon”.

https://www.youtube.com/watch?v=rJF-0WR1H0U

Gjatë ditëve që pasuan, Dako shfrytëzoi mundësinë për të shpalosur më tej fjalorin e tij të pasur. Në një seri postimesh në Facebook, Dako përdori gjuhë të turpshme për të fyer kreun, deputetët e opozitës dhe jo vetëm.

“O Lulzim o toçi i Saliut! Po si mund të vish në Durrës si ata fuksat e viteve 80 me pantallona doku dhe gjuhën si peshk rezervati? Është e thjeshtë se ti je një peshk rezervati dhe më e shumta mund të të hajë Salianji se Saliu s’bëhet llaf.. Po ato që përsërite prapë si skapamento e prishur ishalla s’do ti kesh harruar kur të vish në gjyqin e radhës. Ik fli gjumë tani tek vaska e peshkut ku të rrit Saliu me Kunatin, se Dakon këtu e ke, në Durrës me telefon në dorë ditë-natë o toç!”, shkruante ai në një postim.

Megjithatë, në një postim të dytë, Dako u tregua me i “kulturuar” dhe e quajti deputetin Ervin Salianji “larvë”. “Peshku i rezervatit paska nxjerrë sot këtë larvën e vet, Salianjin me të cilin patjetër që do merrem në gjykatë- thoshte Dako- Sepse këtij larvës i’a ka thënë ca fjalë tamam edhe Grida, po ky është popull kot fare! Megjithatë gjyqi i ndan këto muhabete dhe zgjedhjet padyshim, ku këta do shkojnë ushqim për pula… Megjithëse edhe pulat zor se i hanë këto lloj vemjesh”, shkruante më tej ai.

Por edhe pse është shembulli me i freskët i vulgaritetit të politikanëve shqiptarë, Dako nuk është as i pari dhe me siguri as i fundit. Para tij, ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, i cili aktualisht është nën hetim për trafik droge, tha se ishte duke u përndjekur nga sistemi dhe deklaroi se nuk kishte “bir nëne dhe bir ku*ve që do ta ndalonte të bënte drejtësi”.

“Shprehja e preferuar” e politikanëve socialist u përdor në fakt për të herë të parë nga kryeministri Edi Rama kur ishte kryetar bashkie i kryeqytetit të Tiranës. Gjatë një debati televiziv me Fatos Lubonjën në vitin 2002, Rama deklaroi para audiencës kombëtare se: “S’ka bir ku*ve të më thotë që e kam ndërgjegjen e pistë!”

Sigurisht këtij refreni vulgariteti nuk i ka shpëtuar as Partia Demoktratike, pasi deputeti i Edi Paloka e quajti Tahirin disa muaj më parë “një ku*vë që pretendonte të ishte virgjër “.

Elona Guri vendosi po ashtu të përfaqësonte “denjësisht” Lëvizjen Socialiste për Integrim duke shkuar edhe më tej dje duke shkruar vargje “filozofike” rreth Tahirit: “Si një putane kërkon virgjërinë, me kopila fshehur nëpër botë t’i shpëtojnë drejtësisë, bilbilat këndojnë nëpër telefona, për varëse, byzylykë, kostume e miliona euro për të blerë zgjedhjet. Si një putane kërkon shpëtim, kamionisti Saimir je gati të japësh çdo gjë, tepsi, kusi, gjellën dhe byrekun, por nuk të shpëton as “bakllavaja” e Donikës, as bifteku i Artës dhe as suxhuku i Edi Ramës”.

Gjuha ofenduese nuk është e re në politikën shqiptare, por debatet e kohëve të fundit duket se i kanë çuar politikanët shqiptarë në nivelin më të ulët të etikës. Shqiptarët nuk e “kafshojnë zakonisht gjuhën” kur përfshihen në një debat, por të qënit politikan, të paktën në vendet perëndimore, nuk te jep të drejtë të “shpalosësh fjalorin e pasur” për të fyer kundërshtarët.

Përgjatë viteve të fundit, parlamentarët shqiptare janë dëgjuar shpesh duke sulmuar njëri-tjetrin dhe duke përdorur gjuhën me nënkuptime seksuale, sidomos atyre që iu referohen organeve gjenitale mashkullore.

Një rast i freskët i vulgaritetit në parlament erdhi kur kryeministri Rama tha në prill të këtij viti se; “Kjo puna e popullit është si puna e atij muhabetit që i thua atij të shkretit ngrihu, ngrihu, por më kot se ai nuk ngrihet e rri me kokë poshtë”, duke iu ironizuar thirrjet e opozitës drejtuar popullit për protestë.

https://www.youtube.com/watch?v=w4ZwBvNMXKg

Pas shprehjes se kësaj “kulture pariziene”, deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim pastaj paraqitën një mocion që kërkonte që Rama të dënohej. “Ai po i krahason deputetët dhe shqiptarët me gjenitalet mashkullore”, thanë ata. Partia Socialiste e hodhi poshtë mocionin, duke pretenduar se Rama po citonte një pjesë të një poezie dhe nuk donte të thoshte ndonjë gjë seksuale.

Ironia është se gjuha eksplicite seksuale ka qenë një tabu e vërtetë në Shqipëri, e cila nuk është parë në fjalor për më shumë se një shekull. Në vitin 2004 Edmond Tupja ishte i pari që publikoi një libër të vogël fjalorësh të shprehjeve seksuale. Madje edhe në mediat shqiptare, citimi i fjalëve vulgare apo shprehjeve me nënkuptim seksual është i pazakontë, edhe kur raportojnë për atë që u tha gjatë debateve parlamentare.

Megjithatë, tendenca e politikanëve shqiptarë për përdorimin e një fjalori vulgar dhe të turpshëm nuk tregon as se kauza që po mbrojnë është e drejtë dhe as se kundërshtarët e tyre po i sulmojmë padrejtësisht. Të tilla shfaqje vulgariteti tregojnë thjesht se në çfarë nivel të ulët kanë arritur debatet politik në Shqipëri!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë