Politike

Përplasja për Kushtetuesen, BE: Të respektohen afatet. Venecia si zgjidhje

Bashkimi Eurpian thotë se nuk i takon atij që të vlerësojë përputhshmërinë me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit të hapave të ndërmarrë në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por kujton afatet e vendosura si mekanizma zhbllokues.

"Reforma në drejtësi e miratuar unanimisht nga Parlamenti me ndryshimet kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016 kishte konceptuar renditjen teknike nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kufizimin e diskrecionit të organeve të emërimit me tre kandidatët e parë më të kualifikuar, si dhe zbatimin e mekanizmit zhbllokues pas skadimit të një afati 30-ditor, si mjete të rëndësishme për të forcuar parimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimet e objektivitetit, meritokracisë dhe vazhdimësisë institucionale në lidhje me emërimin e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë”, thuhet në një deklaratë të zëdhënëses, Maja Koçijançiç.

https://www.facebook.com/eu.delegation.albania/posts/2500085283394593

BE thotë se interpretimet që nuk pranojnë elementet e mekanizmit zhbllokues vënë në pikëpyetje parimin e shtetit të së drejtës dhe kërkon zgjidhjen me shpejtësi të konfliktit mes Presidencës dhe Parlamentit dhe si rrugëzgjidhje propozohet edhe Venecia.

“Ky konflikt interpretimi të zgjidhet me urgjencë, duke marrë parasysh dispozitat dhe frymën e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislative të vitit 2016, për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të bëhet plotësisht funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale që mund të vendosë mbi këtë interpretim të papajtueshëm, rekursi për një mendim të Komisionit të Venecias duket si një zgjidhje efektive për ta trajtuar këtë situatë si një çështje me përparësi”, mbyllet deklarata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë