Politike

Debat në komisionin e Ligjeve, Bylykbashi: Prokuroria të hetojë gjithë zinxhirin drejtues të Policisë

Deputetët e Partisë Demokratike janë paraqitur edhe këtë të martë në komisionet parlamentare, por kanë mbajtur të njëjtin qëndrim kundër vijimit normal të punës, duke u larguar nga mbledhjet.

Demokratët kanë dënuar dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve gjatë protestës dhe i kanë kërkuar Prokurorisë të hetojë të gjithë zinxhirin drejtues të Policisë së Shtetit. Sipas tyre, në këto kushte nuk mund të ketë normalitet parlamentar.

Në Komisionin e Ligjeve, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi akuzoi Policinë se po përdor arrestimet dhe ndalimet si mjet intimidimi për të penguar qytetarët të marrin pjesë në tubime.

“Sot prokuroria duhet të fillonte hetimin e gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit. Kjo nuk do të kalojë pa pasoja. Të gjithë do të përgjigjen një për një, me koston e spastrimit të plotë nga këta individë që përdorin dhunën, si në kohën e sambistave të komunizmit”, deklaroi Bylykbashi.

Nga ana tjetër, deputeti socialist Ulsi Manja iu përgjigj akuzave të opozitës, duke deklaruar se selia e Partisë Demokratike është një seli dhune.

“Kemi një jetë që merremi me atë seli. Nuk presin qytetarët që t’ia qajë hallin ajo seli”, tha Manja.

Bylykbashi iu drejtua mazhorancës duke i kërkuar të refuzojë paketën që pritet të shqyrtohet në Kuvend, ndërsa deklaroi se Parlamenti ka detyrimin moral të vetëshpërndahet. Ai u kërkoi deputetëve të mazhorancës të shkojnë të takojnë protestuesit në shesh.

Pas largimit të Bylykbashit nga mbledhja, Manja deklaroi se puna e komisionit do të vijonte normalisht, duke argumentuar se Kuvendi ka një sërë paketash që lidhen me integrimin europian.

“Për të qenë të ndershëm deri në fund, duhet të dënohet dhuna nga të gjitha anët. Nëse ka tejkalim nga policia, le të bëhet hetim”, tha Manja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë