Politike

Përplasja te Media, satira e Gjekmarkajt për Açkën: Paske qenë në rrezik të madh, shyqyr që ke shpëtuar

Nga Agron Gjekmarkaj- Mikes time Flutura, me merak!

E dashur Flutura shyqyr që ke shpëtuar! Paske qënë në rrezik të madh. Shihja nga larg lajmet dhe më zu një i  fortë merak! Pyetja e parë që më erdhi në mendje…në cilin spital ështe shtruar, do vija me vrap për solidaritet dhe gati në gojë kisha deklaratën e distancimit nga akti. Më thanë jo nuk është aq keq e u gëzova. Pastaj duke gjykuar nga zhurma me dhimbje doja të mësoja sa plagë ka marrë duke mallkuar veten se në çfarë vendi jetojmë! Përsëri doja të të shprehja mbështetje.

Për fat më thanë s’ka marrë asnjë. Eh faleminers Zot thashë se do lëndohesha shpirtërisht.

Po përsëri diçka nuk më bindte. Statusi i zonjes kryetare dje ma shtoi xanxën, artikujt pa fund për dhunën e Gaz Bardhit dhe Mul Nokës….sot lotët e qashtër të zonjës Etilde dhe Merite në emër të “aleancës së grave deputete”, protesta e dy grave të Lulit , më shkaktuan mornica. Besova u ndy Bota.

Nuk po më ndahej brenga, hyra në youtube… me zemër të thyer. Dyshimi që nuk i paskam njohur mirë dy përbindëshat që dhunojnë gra, Gazin dhe Mulin më gërryente! Kërkova sa munda: pashë tension politik, fjalë të nxehta në ajër. Dëgjoja Gazin që thoshte “mos këtu e mos aty”, pashë Mulin që kapi vetëm një mikrofon….dhe prapë fjalë e vetëm fjalë. Për të keqin fat jemi në këtë realitet krijuar nga ata që po të mbrojnë me kaq patos.

Natyrisht unë se bëj as kaq. Nuk i përgëzoj kolegët por meqenëse Opozita është në protestë, etike mbetet që protesta të mos provokohet aq më tepër që në ato zyra kemi hyrë me vota demokratësh.

Nejse llafet i merr era po falë Zotit qënke mire dhe e pacënuar, pra ska patur atë hata që në fillim më shkaktoi rrënqethje! Të tjerat për ne që vimë nga letërsia i dimë, i njohim, i quajmë imagjinatë për subjekte të reja. Monotonia e politikës shpesh ty të çon drejt romaneve, mua drejt satirave. Por edhe me kaq mbështetjen time për trazimin që ke pësuar e ke. Le të bëhemi bashkë se boll argëtuam dynjanë. Në fund unë besoj në të drejtën tënde të mendosh dhe të veprosh ndryshe e cila është e mbetet e pacenueshme por pa e tejkaluar të drejtën sa ndryshimi i natës me ditën, sa fjala të quhet dhunë. Për fjalën në gjaknxehtësi nëse duhet mjafton të lypurit falje në mënyrë të ndërsjelltë. Gjithçka tjetër është instrumentalizim që statura jote nuk duhet ta lejojë të ndodhë. Përqafime. Agroni!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë