Futboll

Përplasja me Ze Marian, Mema: Kërkoj ndjesë publike nëse e kam thënë

Nuk ka nisur mirë aventura e Ardian Memës në krye të stolit të Tiranës. Pas barazimit javën e shkuar me Kamzën, këtë herë bardheblutë do të zbresin në fushë për të sfiduar Teutën në Durrës. Në prag të kësaj sfidë trajneri i kryeqytetasve, Ardian Mema ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp. Por tema më e rëndësishme në fjalën e Memës para medieve ishte çështja e përplasjes me ish-trajnerin brazilian Ze Maria.

Mema është tërhequr, duke thënë se ai nuk ka deklaruar se skuadra vuan nga gjendja fizike, por nga ajo psikologjike. Numri një i bankinës së Tiranës ka kërkuar falje në drejtim të paraardhësit të tij edhe pse theksoi se nuk i ka thënë ato fjalë.

“Nuk besoj se e kam thënë, por do t’i kërkoj ndjesë publike nëse e kam thënë gjithmonë. Unë nuk ka sfidë as me Ze Marian dhe as me asnjë tjetër, unë i respektojë për atë që kanë dhënë për Tiranën, ku jam rritur që fëmijë. Më duket një lajm artificial. Çdo njeri do të bëjë punën e tij sa më mirë. Nëse unë do merrem me Ze Marian apo dikë tjetër, është një gabim i imi. Kam folur që në fillim për aspektin psikologjik. Në atë pozicion që ishte Tirana, normalisht do ketë probleme psikologjike. Synimi im është që të punoja me lojtarët me aspektin psikologjik.”- tha tekniku tiranas.

Më tej në fjalën e tij tekniku i Tiranës është ndalur edhe në gjendjen e grupit në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme që mund të vendos fatet e sezonit.

“Në futboll, nëse nuk punon truri, futbollisti do ketë problem, sado i fizik të jetë. Nga ana fizike nuk ka qenë keq, sepse ekipi më është shprehur. Pati një rënie të lehtë me Flamurtarin, por me Kamzën pati një ngritje. S’jam këtu për të dënuar lojtarë, jam për të menaxhuar grupin dhe këtu do shumë kujdes.”- u shpreh trajneri bardheblu.

Një moment të veçantë në konferencën e tij Ardian Mema ia dedikoi edhe çështjes së sulmuesit Ngo.

“Ka qenë një moment që e kam pezulluar, i thashë dil jashtë për veprimin që bëri, por nuk e përzura. Kur më erdhi afër, më tha diçka anglisht që nuk ma zë goja ta them, më cenoi personalitetin tim. Do veproja në të njëjtën mënyrë nëse do kishte fyer dikë tjetër, apo kushdo që do e kishte bërë. Grupi duhet të mësohet të punojë me disiplinë, duhet të krijojmë një lloj fizionomie si klub, nëse nuk kemi grup, apo nuk menaxhohet mirë, do kemi probleme gjithmonë.”- tha Ardian Mema.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë