Interviste

Përparim Fuga: Shqipëria të rritë përfaqësimin e ekspertëve në agjencitë e OKB

Nga Suadela Balliu - Në seancën përmbyllëse të konferencës në San Francisko, që përgatiti edhe statutin e OKB-së, Presidenti Harry Truman vlerësoi 50 vendet themeluese për lënien mënjanë të mosmarrëveshjeve mes tyre e për të gjetur një mënyrë për t'i dhënë fund luftërave. Ai e shihte këtë hap si një unitet të palëkundur vendosmërie. Nga ajo kohë, OKB-ja është zgjeruar në 193 shtete anëtarë, dhjetëra agjenci të specializuara, me përpjekje që shtrihen nga mbrojtja e planetit prej ndryshimeve të klimës, shpëtimi i njerëzimit nga varfëria, mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njerëzve, deri tek misionet paqeruajtëse.Janë më shumë se 1 milionë njerëzit që kanë marrë pjesë në më shumë se 70 misione paqeruajtëse të OKB-së si edhe në shumë aktivitete të tjera që lidhen me politikën botërore, shkencën dhe zhvillimin teknologjik, artin, kulturën, shëndetin dhe ushqimin, mbrojtjen e mjedisit, etj. Fizikani shqiptar Përparim Fuga është një prej tyre.

"Megjithëse Shqipëria është pjesëmarrëse aktive në disa organizata të OKB-së, ajo është kryesisht e interesuar në ato organizata që kanë karakter politik, por pak përfaqësime ka në organizata me natyrë teknike, profesionale. Përfaqësimi është nën nivelin e shteteve të tjera, shumë i vogël. Është më i vogël madje se ai nga shumë shtete më të vegjël"-Përparim Fuga

Si ekspert dhe emër i rëndësishëm i Fizikës Bërthamore në Shqipëri, ai do të kandidonte për një vend në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA), një nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara, e themeluar në vitin 1957 dhe e vendosur me seli në Vjenë. Nga fillimi i vitit 2003 e deri më 2010-n, ka prekur nga afër në misionet e agjencisë një numër shtetesh, disa prej të cilave njihen si “patate të nxehta”, mes tyre minierën Shinkolobwe në Republikën Demokratike të Kongos, nga ku është marrë një pjesë e mineralit të uraniumit të përdorur për prodhimin e bombës bërthamore që u hodh në Hiroshima, gjithashtu Sirinë, Iranin, Afrikën e Jugut, Algjerinë, Turqinë, Kanadanë, ShBA, etj. Tashmë i tërhequr nga misionet, por me emrin të shënuar në pllakën e vendosur në mjediset e ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Vjenë, që përkujton marrjen e çmimit Nobel për Paqe në vitin 2005 nga ANEA për “përpjekjet e saj në parandalimin e përdorimit të energjisë bërthamore për qëllime ushtarake”, Fuga bën një ekspoze për Gazetën Si, duke nisur nga rrëfimet personale, tërheqja e vëmendjes për praninë e pakët të ekspertëve shqiptarë në agjencitë e OKB-së e deri tek tabloja e madhe në këtë 75 vjetor të krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.Që nga krijimi i saj shumë ndryshime kanë ndodhur në teatrin botëror, shtete të reja kanë fituar pavarësinë, por ajo që është më e dukshme dhe rëndësishme është ndryshimi i raportit të forcave dhe aleancave mes shteteve. Jo vetëm që blloqet aleate nuk janë më ato të pas Luftës së Dytë Botërore, por gjithmonë e më shumë po spikat rivaliteti ekonomik, sidomos ai mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, që rrezikon një konflikt, të cilit i druhen të gjithë. Madje edhe zhvillimet e fundit që u shënjuan nga kriza e pandemisë botërore prej Covid-19 e kanë vënë në pikëpyetje rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe nevojën e saj për reformim.Që OKB nuk është më e njëjta, u vu re këtë 22 shtator, ku kremtimet që priteshin të ishin të veçanta në këtë 75 vjetor, kaluan si video-mesazhe virtuale. Madje as presidenti Trump, nuk qe i pranishëm në Nju Jork për kremtimet, ndërkohë në kujtesën e gjithsecilit mbeten kërcënimet e tij se do të shkurtojë shpenzimet për OKB dhe agjencitë e saj, apo se do të tërhiqet nga marrëveshja për armët bërthamore me Iranin.

A është zbehur roli i OKB-së në dritën e gjithë këtyre zhvillimeve, nga konfliktet në Lindjen e Mesme e deri tek burokracia e ngadaltë?

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka një kontribut të jashtëzakonshëm, të cilin e ka realizuar duke mbledhur rreth vetes vazhdimisht ekspertë nga më të mirët. Në pamje të parë, duket disi si një makinë e stërmadhe, e ngadaltë e burokratike, me procese e vendimmarrjeje që zgjasin. Por ajo ashtu është e ndërtuar, për të operuar në një mjedis gjigant planetar me saktësi e siguri, duke respektuar të drejtat e të gjithë shteteve anëtarë, duke lëvizur përmes hapash të kujdesshëm, të mirëmenduar, të bazuar në ligjet ndërkombëtare, në praktikat më të mira dhe arritjet e shkencës e teknologjisë. Si e tillë, natyrshëm që ajo dhe në proceset që ndërmerr nuk mund të jetë kaq e shpejtë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB, në 75 vjetorin e themelimit

Natyrshëm pikë delikate e organizatës ka qenë dhe mbetet financimi i saj, për të përballuar këtë aktivitet në shkallë globale. Sidomos misionet paqeruajtëse, nga Kongo në Kosovë apo në vendet ku ka pasur kriza, e kanë rritur shumë buxhetin që kërkohet për ti përballuar; gjithsesi shtetet në një mënyrë a një tjetër e kanë përballuar këtë sfidë, që padyshim është kontribut shumë i madh në planin ndërkombëtar. Në Republikën Demokratike të Kongos, akoma edhe sot gjendja është dramatike, vriten me mijëra vetë... për të ardhur deri te Kosova. Angazhime të mëdha janë ndihmat humanitare, misionet që bëhen për mbrojtjen e mjedisit etj., që realizohen nga një sërë organizatash. Është e vërtetë që e tëra kjo duket si e veshur me elementë të burokracisë, por edhe brenda një shteti ka burokraci e jo më në një sërë organizatash, ku është i pranishëm shumëkombësia, multifetarizimi, multi-kultura etj. Por e rëndësishme është që kjo njihet dhe po punohet për ta reduktuar atë. Unë mendoj se OKB nuk e ka humbur rolin e saj, por padyshim është e natyrshme, e domosdoshme nevoja për reformim të vazhdueshëm të saj, për t'u përshtatur me zhvillimet në kohë dhe vende të ndryshme.

Nevoja për reforma është pranuar gjerësisht. Z. Guterres dëshiron ta bëjë burokracinë më të shkathët dhe më të hapur, duke gjetur mënyra për të angazhuar organizata rajonale, biznese, OJQ dhe të rinj në diskutimet e OKB-së. Deklarata përfshin gjithashtu një angazhim për të “futur jetë të re në diskutimet mbi reformën e Këshillit të Sigurimit”. Mjerisht, kur bëhet fjalë për ngatërrimin e strukturës kryesore të pushtetit të organizatës, interesat e dhënë e bëjnë ndryshimin pothuajse të pamundur. Në këtë aspekt, formati i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Sigurimit të këtij viti ka të ngjarë të tregojë se reformat do të mbeten më virtuale sesa reale.

Presidenti i ShBA, Donald Trump

Pastaj është presidenti Trump që kërcënon në shkurtim të financimeve, që ShBA bën për OKB dhe agjencitë e saj. Ç’do të thotë kjo për organizatën?

Në fakt ka një ulje të kuotave të financimit nga disa shtete; për shembull ShBA që kontribuonin me rreth 25% të buxhetit e kanë ulur atë diku në 23%. Edhe disa shtete të tjera e kanë ulur kontributin e tyre, sikurse ka edhe të tjerë që e kanë rritur këtë kontribut. Problemi nuk është se kanë ulur financimin; e rëndësishme është që të kuptohet se një nga arsyet e uljes së tij bëhet pasi duhen ruajtur disa ekuilibra e parime, që OKB-ja nuk duhet të financohet vetëm nga një shtet apo një grup shtetesh, sepse në një mënyrë apo një tjetër ajo kështu vendoset nën varësinë e tyre. Është pjesë e politikës për t’i dhënë më shumë pavarësi asaj, për ta bërë të të gjithëve, duke mënjanuar imponimin e e një grupi të caktuar shtetesh, por sigurisht që ai që jep kontributin financiar më të madh ka të drejtën të kërkojë më shumë llogari për shpenzimet e bëra, për efikasitetin e përdorimit të tyre. Janë 193 shtete anëtare të OKB, në shumë aspekte sistemi i "qeverisjes" është demokratik, por edhe kjo ka nevojë të thellohet më tej kur mendon se pesë shtete kanë të drejtën të jenë anëtarë të përhershme të Këshillit të Sigurimit si dhe kanë të drejtën e vetos.

ShBA mbetet donatori më i madh i OKB, duke kontribuar me afro 10 miliardë dollarë më 2018, pak më pak se një e pesta e buxhetit kolektiv të organizmit. Më 2018, ShBA pagoi 22 dhe 28 përqind të këtyre buxheteve. Detyrimet e vlerësuara financojnë edhe të tjerë organizata të OKB, si ANEA dhe OBSh. Megjithëse, presidenti Trump ka kërkuar shkurtime të mëdha të financimeve të agjencive të OKB, Kongresi ka miratuar kontribute edhe më të mëdha se të kërkuara nga administrata e tij dhe në total financimi ka mbetur aq sa vitet e kaluara. Nëse shkurtimet e propozuara nga Trump për shpenzimet në ndihma të jashtme gjatë këtij viti bëhen realitet, OKB do të detyrohet t’i nënshtrohet ndryshimeve domethënëse.

Në maj të këtij viti, në mes të pandemisë, administrata Trump njoftoi se ShBA do të tërhiqet krejtësisht nga OBSh, lëvizje që do t’i hiqte agjencisë 900 milionë dollarë të ardhura çdo dy vjet, mbi shqetësimet e ndikimit kinez. Por sipas ekspertëve ai nuk ka autoritet të tërhiqet nga organizata ndërkombëtare pa miratimin e kongresit. Në projekt-buxhetin për 2021, Trump kërkon të heqë ndihma për përpjekjet paqeruajtëse të OKB me afro gjysmë miliardi dollarë; gjithashtu të shkurtojë me gjysmë miliard dollarë financimin e Kontributeve në llogari të organizatave ndërkombëtare, që përfshijnë kontributet e përllogaritura të OKB dhe fondet për agjenci të specializuara dhe të eliminojë krejtësisht një llogari për kontributet vullnetare në shumë programe të OKB-së.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres

Një tjetër problematikë e brendshme mbetet rivaliteti mes ShBA-së dhe Kinës brenda OKB. Madje edhe Sekretari i Përgjithshëm Guterres në këtë 75 vjetor foli kundër një Lufte të re të Ftohtë...

Kur flasim për periudhat pas Luftës së Dytë Botërore, njihet periudha e Luftës së Ftohtë, që pranohet se mori fund me rënien e Murit të Berlinit. Një regjim i ri mund të quhet ai që u vendos pas 11 Shtatorit 2001, që njihet si zanafilla e periudhës së luftës kundër terrorizmit. Këto dy-tre vitet e fundit gjithnjë e më shumë po i mëshohet faktit se në plan të parë nuk është gjithaq lufta kundër terrorizmit sesa konfliktet midis Fuqive të Mëdha, se kush kryeson në lëmin ekonomik dhe zhvillimin teknologjik, ku padyshim Kina është e fuqishme dhe ka në avancim të jashtëzakonshëm në fushën e teknologjisë së informacionit të nano-teknologjisë, në fushën e studimeve gjenetike, në robotikë, etj. Shkenca dhe teknologjia po ecin me ritëm shumë të lartë, ka një zhvillim të jashtëzakonshëm, që mund të krijojë një përmbysje shumë të madhe në shumë fusha. Po ashtu, Kina e ka rritur ndjeshëm potencialin e saj ushtarak, duke rivalizuar fort superfuqitë tradicionale. Parashikimet se përfshirja e saj në marrëdhëniet ekonomike mes shteteve, në tregtinë e lirë etj., do e kufizonin në forcimin e potencialit të saj ushtarak, me sa duket dolën të gabuara.

Përtej shteteve të veçantë, ndikimi i zhvillimit teknologjik mbi politikën dhe ekonominë botërore po rritet gjithnjë e më shumë. Të marrim thjesht lëmin ekonomik ku ndryshimet janë drastike e pritet të thellohen më tej; ka pasur një periudhë kur kapitali eksportohej për aty ku krahu i punës ishte më i lirë. Kështu u zhvilluan një numër shtetesh si Singapori, etj. Gradualisht duke u zhvilluar, në këto vende u rrit ekonomia e tyre, u rrit niveli i jetesës, u rrit kërkesa për mirëqenie, e për pasojë edhe ajo për pagë më të lartë. Natyrshëm vjen një moment dhe humbet interesi për krahun e punës nga këto vende, që nuk është më aq i lirë. Ky është ndryshim gradual, i njohur dhe kuptueshëm. Por zhvillimet në fushë të robotikës janë të tilla që mund të çojnë në ndryshime radikale. Shumë nga profesionet në industrinë mekanike, mjekësi, administrim, komunikim, etj. po zhvlerësohen pasi mund të kryhen shumë më mirë nga robotët. Kapitalisti natyrshëm e humbet interesin për krahun e lirë të punës dhe e zëvendëson atë me robotë, duke mos pasur shumë nevojë të eksportojë kapitalin por të investojë në teknologji, sidomos robotikë. Kjo është një tendencë e shfaqur sot dhe pritet ta ndryshojë botën në shumë aspekte. Sepse vjen puna që duke përdorur robotët, shkurtohen vendet e punës, njerëzit nxirren në rrugë, nuk u paguhen pagat, sigurimet shëndetësore..., të tëra këto janë probleme të mëdha me të cilat ka filluar të përballet bota e që kërkojnë një rregullim ndryshe nga ai tradicional.

Shqetësimi në lidhje me përshkallëzimin e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës zuri vend në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me Sekretarin e Përgjithshëm Antonio Guterres që paralajmëroi kundër një “Luftë të re të Ftohtë”. Guterres tha se bota “po lëvizte në një drejtim shumë të rrezikshëm. “Ne duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur një Luftë të re të Ftohtë” tha ai. “Bota jonë nuk mund të përballojë një të ardhme ku dy ekonomitë më të mëdha e ndajnë globin në një Frakturë të Madhe - secila me rregullat e veta tregtare dhe financiare dhe kapacitetet e Internetit dhe inteligjencës artificiale.Por duket se presidenti Trump nuk ndalet. Në një letër dërguar së fundi kryeministrit shqiptar Edi Rama, kreu i Shtëpisë së Bardhë i bënte thirrje Shqipërisë të dilte nga formati 17+1 i Kinës, nisma e qeverisë kineze për të promovuar marrëdhëniet e biznesit dhe investimeve midis Kinës dhe vendeve të ish-bllokut komunist, të Europës Qendrore dhe Lindore.“Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, që i është bashkuar iniciativës së administratës amerikane “Rrjeti i Pastër” që synon mbrojtjen e rrjeteve 5G nga furnizues dhe operatorë jo të besueshëm të telekomunikacionit. SHBA-ja është duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G. Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të qeverisë kineze”, i shkruante Trump kreut të qeverisë shqiptare, ndërsa e inkurajonte gjithashtu të zhvendoste ambasadën e saj në Izrael, nga Tel Avivi drejt Jerusalemit, ku deri tani e kanë bërë vetëm ShBA dhe Guatemala, ndërsa debati u ndez me mundësinë që edhe Kosova ta çelë atje ambasadën e saj, pasi Izraeli e njohu si shtet, por edhe Serbia pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, më 4 shtator. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi më 2017 duke u kërkuar shteteve të mos i vendosnin misionet diplomatike në qytetin historik të Jerusalemit, ndërsa delegatët lajmëruan mbi rrezikun se vendimi i ShBA për ta bërë këtë mund të sillte luftë në Lindjen e Mesme të trazuar, por edhe përtej. Asambleja adoptoi rezolutën “Statusi i Jerusalemi”, me të cilët deklaronte “nul dhe të pavlefshëm” çdo veprim që kishte qëllim të ndryshonte natyrën, statusin apo përbërjen demografike të Jerusalemit.

Bota u përball këtë vit me një nga krizat më të mëdha globale, pandeminë e koronavirusit. Mendoni se OKB dhe agjencitë e saj dështuan në menaxhimin e saj? A ishte ky një test i mirëfilltë i kooperimit ndërkombëtar, pas Luftës së Dytë Botërore?

Përballja me Covid-19 duket se është “një luftë planetare”. Deri më sot njerëzimi ka luftuar me natyrën, sikurse edhe mes vetes. Bota ka pasur luftëra mes shtetesh apo edhe luftëra botërore, por kanë qenë të kufizuara si nga shtrirja e tyre gjeografike, në shtetet e përfshira, etj., por në asnjë prej tyre asnjëherë nuk është bllokuar gjithçka globalisht. Kjo është e para luftë atipike, ku ne përballemi me një “armik” që nuk e njohim, që nuk e shohim, me të cilin as mund të negociosh, ndaj të cilit nuk vlejnë as armët konvencionale, as ato bërthamore, as ushtritë dhe tërë teknologjia ushtarake e prodhuar me aq shumë shpenzime gjatë gjithë kohërave. Gjasat tregojnë se ka për të qenë një luftë e gjatë; qoftë e vetmja e këtij lloji.

Shqetësimi se fenomene të caktuara natyrore apo si rezultat i veprimtarisë njerëzore mund të shtrihen në gjithë planetin njihen që herët. Ndryshimet klimatike dikur vetëm si trille të natyrës zhdukën qytetërime të tëra, apo ndikuan në botën bimore e shtazore shumë fort. Shembujt janë të shumtë. Një shembull është edhe ai nga periudha e prodhimit të bombës bërthamore, kur shkencëtarët që punuan në Los Alamos për bombën bërthamore i trembeshin mundësisë se reaksioni zinxhir mund të përfshinte të gjithë planetin. Kalkulimet e tyre treguan se kjo nuk mund të ndodhte dhe shpërthimi në Hiroshimë e provoi këtë. Në rastin e armës bërthamore, ndonëse fuqia shkatërruese është shumë e madhe, prapë efekti i saj nuk përhapet në të gjithë planetit. Një gjë e tillë mund të ndodhë edhe me reaksionet e ndryshme kimike, që mund të krijojnë të papritura në shkallë globale. Në rastin e viruseve, shpejtësia, lehtësia e përhapjes dhe për pasojë edhe efekti vrastar është i madh, është planetar, ndërkohë që jemi zënë të papërgatitur ndaj një “armiku” të tillë kaq kërcënues.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, pandemia vuri në pah mungesën e gatishmërisë globale, bashkëpunimit, unitetit dhe solidaritetit. “COVID-19 po hedh një hije të errët në të gjithë botën. Por është gjithashtu një paralajmërim që duhet të na nxisë për veprim. Nuk kemi zgjidhje. Ose bashkohemi në institucione globale që janë të përshtatshme për qëllimin, ose do të shtypemi nga përçarje dhe kaos”, theksonte shefi i OKB-së. Sipas Konferencës të Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), ekonomia globale do të humbasë 6.3 trilion dollarë këtë vit, në skenarin më optimist, duke u tkurrur me 1.5-3%. 

A ju mungojnë misionet e inspektimit, tani që jeni kthyer dhe merreni me jetë më të qetë e të shtruar akademike?

Pata fatin që gjatë viteve të punës në ANEA u caktova në një seksion që merrej me çështje shumë të rëndësishme për sigurinë botërore, që në zhargon shpesh i cilësojnë si “patatet e nxehta”. Ishte një punë me një ngarkesë e përgjegjësi të madhe, por edhe sadisfaksioni ishte i madh. Vërtet e kuptoje që jepje kontribut në një shkallë më të gjerë sesa brenda vendit tënd. Largimi nga organizata nuk është i lehtë, por mosha bën të vetën dhe brezat duhen përtërirë; stafeta kalon dorë më dorë, rëndësi ka të kalojë tek njerëzit e duhur. Por ngadalë njeriu mësohet me shkëputjen nga një jetë aq intensive, me më shumë se 150 ditë shërbime në vit, me dhjetëra, mos qindra mijëra milje të përshkuara gjatë vitit në të katër anët e globit. Megjithatë lidhjet me kolegët i kam ruajtur, jo vetëm me ata që ende vazhdojnë të punojnë në Vjenë, ndonëse një pjesë e madhe e kolegëve kanë dalë tashmë në pension, natyrshëm që edhe një pjesë kanë ndërruar jetë, por një pjesë që ishin më të rinj, janë atje dhe kanë ecur në karrierë dhe lidhjet me ata i mbaj, sikurse edhe me disa të tjerë nga vendet ku misionet i kishim më të shpeshta. Pa dyshim që puna e vështirë, sidomos në terren i forcon miqësitë, aq më shumë që një nga vetitë që kërkohej ishte përkushtimi për të bërë punën me profesionalizëm dhe me cilësi, duke bashkëpunuar ngushtësisht me ekipin; asnjëherë nuk duhej ta lije shokun "në baltë", as mund të mendohej, ishte e papranueshme. Sikundër nuk mund të mendohej një punë shkel e shko, pa përgjegjësi.

Çdo mision kishte përgjegjësinë e vet, por mes tyre kujtoj se një nga udhëtimet më të vështira ishte ai në minierën e famshme të uraniumit, që ka dhënë lëndën e parë për bombën bërthamorë që u hodh në Hiroshimë. Po ta dija për ku isha nisur, përmes tërë peripecive të xhunglës afrikane, do kisha hezituar. Fakti është që ja dolëm me sukses dhe shpesh kolegu me të cilin e kryem këtë mision të vështirë më thotë me shaka, “kur do të shkojmë prapë?” Dhe me të kemi mbetur miq të mirë, të lidhur fort edhe sot, mbi një miqësi të pastër e të lindur në ditë të vështira.

 Ja si i përshkruante kohë më parë dy nga misionet më të vështira të jetës, profesor Fuga: Në Kongo duhej verifikuar çfarë ndodhte me minierën e Shinkolobwe-s, e njohur si një minierë uraniumi, që nga koha e projektit Manhatan, për ndërtimin nga SHBA të bombës atomike gjatë luftës së dytë botërore. Misioni ishte i vështirë për faktin se atje duhej të shkoje përmes xhunglës, në një vend ku infrastruktura rrugore ishte tërësisht e shkatërruar, ku lufta civile bënte kërdinë dhe pasiguria për jetën ishte maksimale. Po të më thoshe prapë, nuk do shkoja, por kjo ishte jeta në IAEA, kur e merr një mision do ta kryesh atë deri në fund.

...Misionet në çdo vend, sidomos ato në Iran ishin të një përgjegjësie të madhe, sepse mbi bazën e asaj që raportohej nga ana e inspektorëve, hartoheshin raporte që i shkonin Këshillit të Sigurimit, i cili më tej merrte vendimet e tij. Pra ishte një punë që donte shumë kujdes, donte një ekuilibër kompleks, duhej të ishe shumë objektiv, sepse si pasojë mund të penalizoje një shtet, të penalizohej një popull i tërë. Nuk diskutohej aftësia profesionale, kryerja e çdo hallke të veprimtarisë me saktësi e cilësi, në kohën e duhur dhe pa i krijuar pengesa e vonesa institucionit që monitorohej. Monitorimet përfshinin duke filluar nga centralet atomike, deri te reaktorët bërthamorë apo fabrikat e pasurimit të uraniumit, etj. Janë teknologji të avancuara që duheshin njohur me detaje, sikurse edhe për inspektime përdoreshin teknikat më të avancuara të kohës.

Fuga në misonet e ANEA-s në Republikën Demokratike të Kongos

A patët mëdyshje për kthimin në Shqipëri?

Për ne që punonin në fushën e fizikës bërthamore mëdyshja ishte e madhe, sepse praktikisht Instituti i Fizikës Bërthamore, në përgjithësi fizika e aplikuar është në minimumet e saj sot dhe praktikisht nuk kishim front pune. E vetmja mundësi ishte t’i ktheheshim universitetit. Kjo është njëra anë, problemi i dytë është vërtet se në Austri jeta ishte ndryshe, një nga vendet me nivelin më cilësor të jetesës në shkallë botërore dhe e gëzoje realisht atë falë statusit që të jepte puna që bëje. Sigurisht atje përfitoje nga një infrastrukturë që e kanë ngritur të tjerët me djersë e gjak, me mund e sakrifica, së pari për veten e tyre. Largimi nga këto kushte të bënin të mendoheshe shumë. Nëse e mendon veten të ezauruar natyrshëm thua “s’po kthehem!”. Njësoj mendon edhe nëse mbivlerëson kushtet e jetesës në raport me aspekte të tjera jetësore, gjithashtu me rëndësi. Unë nuk e mendoja kështu. Pastaj njeriu ka familjen, pjesëtarët e saj, edhe ata kanë interesat e tyre profesionale. Pavarësisht nga mundësitë që ofrohen për familjet e punonjësve pranë organizatave ndërkombëtare, në përgjithësi familje intelektuale, duhet të mbash në konsideratë se përgjithësisht njërit nga familja i bie të sakrifikojë në një periudhë në aspektin profesional, të shkëputet pjesërisht a plotësisht nga profesioni dhe kjo është e rëndë, shumë. Kthimi në atdhe e zgjidh këtë problem. Pastaj edhe jeta këtu ka ndryshuar, cilësia e saj nuk është siç ka qenë vite të shkuara. Dhe nuk duhet harruar se jeta ka vështirësitë e veta kudo që të jetosh, madje ka mjaft vende ku jeta është shumë e vështirë si në Afrikë, Azi, Nuk është madje e lehtë edhe në vende më afër nesh; është ndryshe çfarë sheh kur shkon si turist dhe ndryshe kur e jeton vetë atje. Gjykuar në këtë këndvështrim, mbizotëroi mendimi se duhet të vazhdoja të kontribuoja tashmë në vendin tim, pasi kisha akoma se çfarë jepja. Dhe ky vendim rezultoi i drejtë.

A ua sugjeroni studentëve tuaj, të aplikojnë në këto agjenci të OKB-së, qoftë edhe në atë ku ju keni punuar?

Gjatë periudhës në fjalë, ne kemi qenë tre ekspertë shqiptarë pranë ANEA-s. Dy a tre të rinj kanë shkuar në këta dhjetë vite. Duhet mbajtur parasysh se punësimi në këto organizata bëhet mbi bazën e konkurrimit individual, ku shteti nuk luan asnjë rol. Gjithçka varet nga ekspertiza që i ofron organizatës, i vlen ose jo. Problemi është tek niveli i përgatitjes së sotme, që nuk më duket të jetë i tillë që e mundëson arritjen e një pozicioni profesional atje, të paktën në fushën e fizikës. Sot tek ne, në dallim nga më parë, nuk shkojnë të studiojnë fizikë ata që kanë mbaruar gjimnazin me nota të shkëlqyera. Ka plot që diplomohen në shkollat jashtë për shkenca ekzakte, por edhe prej tyre pak kthehen në Shqipëri, çka i penalizon të aplikojnë në ndonjë nga këto agjenci. Gjithsesi mendoj se duhet rritur përfaqësimi në agjencitë të OKB-së. Personat që punësohen në këto organizata së pari i shërbejnë vehtes, por japin edhe një kontribut në shkallë ndërkombëtare, indirekt edhe për vendin.

Sa shqiptarë të tjerë keni njohur që punonin në agjencinë ANEA apo edhe në të tjera të varura nga OKB?

Si e thashë më sipër, gjatë periudhës kur kam qenë unë në ANEA ishim tre nga Shqipëria si personel profesional. Ishim të një brezi, të një shkolle, vinim nga një institut me emër në Shqipëri, si të thuash ishim rritur bashkë në fakultet dhe në institut. Instituti i Fizikës Bërthamore në Tiranë kishte personel shumë të përgatitur dhe e shfaqi këtë dukshëm, shumica e punonjësve të tij pas viteve ’90 u punësuan në organizata ndërkombëtare, universitete, qendra kërkimore, kompani private në gjithë botën, nga Italia fqinje në Amerikën e largët.

Me sa kam mësuar, tani jo se ka më pak shqiptarë të punësuar pranë ANEA-s, mbase ka më shumë, por shumica nuk janë në profesion si fizikanë. Shumica e tyre janë të kategorisë personel mbështetës; kjo prapë është një gjë e mirë pasi secili bën një punë të nderuar. Në organizata të tjera të OKB janë më pak. OSBE ndoshta vjen e dyta, me numrin më të madh të shqiptarëve. Ka edhe tek organizatat që punojnë në fushën e mjedisit. Por mund të kishte më shumë persona në UNIDO, në UNESCO, në FAO, në drejtimet ku Shqipëria ka interes. UNIDO është organizata e Zhvillimit Industrial, FAO është për Bujqësinë dhe Ushqimin, etj. Në këto mund të synohej të rritej numri i prezencës shqiptare. Sigurisht aplikimi së pari është vullnet individual, por duhet edhe mbështetje dhe politika orientuese nga shteti. Shumë vende të botës i mbështesin personat që synojnë të punësohen në këto organizata; format janë nga më të ndryshmet.

Pra, mendoni se jemi pak të përfaqësuar ?

Megjithëse Shqipëria është pjesëmarrëse aktive në disa organizata të OKB-së, ajo është kryesisht e interesuar në ato organizata që kanë karakter politik, por pak përfaqësime ka në organizata me natyrë teknike, profesionale. Përfaqësimi është nën nivelin e shteteve të tjera, shumë i vogël. Është më i vogël madje se ai nga shumë shtete më të vegjël. Ka një bazë të dhënash që tregon punësimin nga vendet në ndryshme dhe Shqipëria renditet shumë poshtë, llogariten rreth 160 forca njerëzore në agjencitë e OKB, me kombësi shqiptare. Nga vjen kjo? Nuk mund të them se nuk kemi specialistë, por ndoshta nuk njohin si duhet këto organizata, u mungon kuraja për të konkurruar. Kufizim më parë ka qenë se nuk mund të aplikoje pa marrë miratimin e shtetit, por nga ‘90 e këtej, secili konkurron privatisht. Është tërësisht çështje personale.

Problemi i dytë që dëshiroj të ngre lidhet me përfitimet që mund të ketë vendi nga bashkëpunimi me organizata të tilla; e kam fjalën për projektet me interes për vendin, në të cilët përfitohet ekspertizë e kualifikuar, përfitohen trajnime dhe pajisje. Megjithëse Shqipëria jep mjaft kontribute, mendoj se projektet që përfiton janë ende të pakta. Por, për më tepër mënyra e menaxhimit të fondeve nga pala shqiptare nuk është aty ku duhet të ishte; mungon transparenca, mungon kontrolli, nuk ka një bazë të dhënash, projektet janë pak të lidhur me ato që financohen nga shteti, shkurt eficienca dhe impakti nuk janë aty ku duhet dhe kërkojnë ndërhyrje rrënjësore nga shteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë