Ne rrjet

Përmbytja e tuneleve të Gazës me ujë deti, plani i ushtrisë izraelite kundër Hamasit

Gazeta amerikane “Wall Street Journal”, rilançoi një lajm që ishte shfaqur tashmë në një plan të studiuar nga ushtria. Por është problemi i pengjeve: dëshmitë kanë konfirmuar se shumë prej të burgosurve ishin të mbyllur në strukturat nëntokësore dhe për këtë arsye përmbytjet mund të bëhen fatale

Gazeta Si - Izraeli mund të përmbytë tunelet e Gazës me ujë deti. Prestigjiozja "Wall Street Journal" ka rilançuar një lajm që ishte shfaqur një muaj më parë në një plan të studiuar nga ushtria e Tel Avivit.

Inxhinierët kanë transferuar tashmë të paktën 5 sisteme pompimi në zonën e Rripit, por ende nuk ka një vendim nëse do të vazhdojë aksioni.

Megjithatë, ideja nuk është e re, pasi vite më parë egjiptianët përdorën një metodë të ngjashme duke devijuar ujërat e zeza në zonën Rafah, në pikën kufitare me territorin palestinez.

Kjo lëvizje ishte e lidhur me praninë e tuneleve të gërmuara nga kontrabandistët, por më pas të shfrytëzuara edhe nga militantët.

Ndërkohë, Shefat e Përbashkët të Shtabit të IDF-së, e konsideruan kundërmasën një metodë për t'u përballur me atë që konsiderohet një kërcënim serioz dhe gjithashtu ia kaluan informacionin Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është pritur me reagime të ndryshme.

Në fakt, ka disa pengesa, të konsideruara edhe nga vetë izraelitët. E para ka të bëjë me fatin e pengjeve që janë ende në duart e palestinezëve.

Dëshmitë e atyre që u liruan kanë konfirmuar se shumë prej tyre kanë qenë të mbyllur në strukturat nëntokësore dhe për këtë arsye përmbytjet mund të bëhen fatale për ata që mbahen ende në këto mjedise. Problemi i dytë përfaqësohet nga rreziqet për territorin, mundësisht të dëmtuar nga uji i detit.

Së fundi, ka dyshime për efektivitetin e operacionit, të nxitura nga njohuritë e kufizuara të rrjetit të gërmuar nga terroristët gjatë viteve.

"Është e mundur, - thonë disa, - që sistemi të dalë i pamjaftueshëm, ndërsa detajet që dihen mbi rrjetin e tuneleve të Hamasit janë të pjesshme".

Hamasi, si fraksionet e tjera, shpesh ka nënvizuar rëndësinë e tuneleve, ka treguar pamje me video, ku përdorimi i tyre luftarak është i dukshëm dhe ka marrë përgjegjësinë për ndërtimin e dhjetëra kilometrave.

Izraeli, nga ana tjetër i ka paraqitur tunelet si një nga komponentët më të rëndësishëm të fortifikimit të kundërshtarit dhe jo vetëm, pasi ushtria dhe Mossadi kanë shpenzuar mijëra dollarë për të gjetur përgjigje, duke zhvilluar studime, madje duke krijuar barriera për t’u futur në tokë përgjatë kufirit për të ndaluar kalimet e palestinezëve.

Me fillimin e ofensivës, kërkimet për tunele u bënë parësore dhe iu besuan forcave speciale, inxhinierëve dhe forcave ajrore.

Një zyrtar i lartë, në mënyrë anonime hodhi hipotezën e përdorimit të masave "industriale", ku përfshiheshin ekspertë nga sektori minerar.

Një konfirmim indirekt i vullnetit për të vepruar por edhe i kërkimit të zgjidhjeve. Sipas burimeve ushtarake, 800 “hyrje” (ose dalje) janë lokalizuar dhe prej tyre të paktën 500 janë shkatërruar.

Por, si gjithmonë, realiteti mbetet i errët, i kapur mes rreziqeve konkrete, propagandës dhe manovrave për të ngatërruar kundërshtarin, që në këtë luftë vlen më shumë se në të tjerat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë