Futboll

Përmbysje dhe spektakël, Dortmund rrëzon Bajern Mynih

Është Borusia Dortmund fituesi supersfidës së kësaj javë në kampionatin gjerman, duke mposhtur 3-2 Bajern Mynih. Ka qenë një ndeshje që ka dhuruar gjithçka gola, emocione dhe spektakël pa fund që vinte si nga fusha, por edhe nga tribunat. Një triumf shumë i rëndësishëm ky për ekipin e Favre që përveç se merr tre pikë për kreun e grupit, gjithashtu edhe rrëzon moralisht kampionët në fuqi, që tashmë rrezikojnë të futen sërish në krizë.

Me një Marko Rojsh në formë, Dortmund bëhet shumë i rrezikshëm. Do të ishte pikërisht sulmuesi 29-vjeçar që do të kishte rastin e parë të rrezikshëm, por ishte i pafat, pasi Nojer bëri mrekullinë e parë të mbrëmjes. Kur të gjithë po priznin golin e Dortmund, pas një dominimi në pjesën më të madhe të fushës, erdhi goli i miqve bavarez.

Me pjesën e parë që u mbyll në shifrat 0-1, 45 minutat e dyta do të ishin një histori krejt ndryshe. Vendasit marrin në dorë frenat e lojës në çdo aspekt, duke mbyllur në prapavijë bavarezët që ishin të pazotë për të dalë në lojën e tyre. Vetëm pas 5 minutave nga rifillimi i lojës, Marko Rojsh mposhti Nojer nga pika e bardhë e penalltisë. Por gjithsesi Bajern nuk u dorëzua lehtë, pasi Levandovski rikthen avantazhin për bavarezët pas krosit të Kimish. Por avantazhi për herë të dytë i Bajern nuk e demoralizoi Dortmund, por përkundrazi kërkoi të barazonte sërish. Për ta çuar ndeshjen në baraspeshë do të mendonte sërish Marko Rojsh në minutën e 67’ me supergol.

Me barazim nga Rojsh u duk se fitorja për Dortmund do të ishte thjesht çështje minutash. Ai që do të shënonte golin e fitores për Borusian do të vinte në minutan e 74’ nga Paco Alcacer. Pas këtij goli Bajern nuk arrin dot të reagojë dhe luan pa ide dhe orientim. Kështu Dortmund merr këtë fitore që e shkëput në vendin e parë të renditjes së Bundesligës me 4 pikë diferencë nga Borusia Mynshengladbah dhe 7 më shumë se Bajern që zbret në vendin e tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë