Ne rrjet

Përkeqësohet liria e medias…

Liria e shprehjes dhe e medias është përkeqësuar me dy vende në krahasim me 2019, sipas vlerësimit të “Reporterëve pa Kufij”. Organizata ka bërë publike raportin për 2020, ku Shqipëria zbritur në vendin e 84-t, nga pozivioni 82 që u vlerësua një vit më parë.

Arsyeja e përkeqësimit, sipas “Reporterëve pa Kufij” janë dy nismat e Qeverisë, pjesë e të ashtuquajturës “Paketa antishpifje”.

“Dy ligjet limitojnë lirinë e shprehjes, të informacionit dhe të medias dhe shkojnë përkundër praktikave më të mira ndërkombëtare, duke shtuar rrezikun e censurës dhe duke cenuar pavarësinë e gazetarëve përballë presionit të Qeverisë”, thuhet në përshkrimin e organizatës.

Organizata kujton se aktualisht ligjet janë pezulluar dhe lënë në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias. Megjithatë, “Reporterët pa Kufij” thonë se në përkeqësimin e renditjes së Shqipërisë nuk kanë ndikuar vetëm këto dy nisma, por edhe arsye të tjera.

“Pas tërmetit të 2019, dy gazetarë dhe një aktivist u arrestuan për “përhapje lajmi të rremë” dhe “paniku”, ndërkohë që media online kritike me vendimet e Qeverisë u mbyllën. Me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit, në mars, Kryeministri Edi Rama u kërkoi qytetarëve që të mbrojnë veten, sidomos nga media. Sulmet fizike dhe paditë për shpifje të zyrtarëve kundër gazetarëve e mbajnë ende klimën e medias të pasigurtë. E kombinuar kjo me gjuhën denigruese të politikanëve i shndërron gazetarët në shënjestra të mundshme agresioni”, vijon deklarata.

https://www.facebook.com/1477517792294489/posts/2950702884975965/

Në lidhje me këtë shqetësim të ngritur nga “Reporterët pa Kufij” ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta. Ky i fundit riktheu në Parlament të dyja ligjet e paketës antishpifje dhe vlerësimin e organizatës ndërkombëtare të gazetarëve e shfrytëzon për të përçuar edhe njëherë thirrjen për mazhorancën që të tërhiqet nga nisma në fjalë.

“I bëj edhe njëherë thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara, që siç tërheq vëmendjen organizata botërore e gazetarëve, dhe ashtu siç kam paralajmëruar: Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik; Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit; Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese; Shkel standartet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë