Dosje

Përgjimet / ‘Nuk e marr kot, e pi vetë ndonjë vizë’! Agjenti i infiltruar zbuloi trafikantët e drogës në Elbasan

Gazeta Si - Disa prej anëtarëve të grupeve kriminale të trafikut të drogës në Elbasan, janë gjurmuar dhe zbuluar nga agjentë të infiltruar të policisë në Elbasan.

Sipas dosjes hetimore, thuhet se agjentë të infiltruar janë “maskuar” si përdorues droge, duke shfaqur interes për të blerë lëndë narkotike tek individë që ishin shënjestruar nga policia si persona që konsumonin dhe shisnin drogë.

Në dosje, thuhet se Hekuran Gjeli alias Salla, që është pjesë e grupit kriminal “Çapja” në Elbasan, në datën 11 qershor 2023, i ka shitur një agjenti të policisë një sasi kokaine. Agjenti “K”, i ka blerë dy porcione me kokainë Hekuran Gjelit, të cilat ishin në masën 0.9 gramë.

Nga përgjimi ambjental mes agjentin “K” dhe Hekuran Gjelit është zhvilluar kjo bisedë mes tyre:

Gjeli: Hë unë e kam të mirë unë, o Mari.

Agjenti “K”: Hë o Nush ku të pres…?

Gjeli: Prit aty se erdha.

Agjenti “K”: Hajde po të pres këtu.

Gjeli: Hape krahun se erdha.

Agjenti “K”: Mirë.

Gjeli: Hë ka dal e mirë?

Agjenti “K”: E mir ishte vlla.

Gjeli: Unë e mbaj të zgjedhme se e pi vet nai viz, ene e maj të zgjedhme nuk marr kot.

Agjenti “K” : Jo ishte i mirë me vërte ky.

Gjeli: Në përgjithsi e ziej, a kupto.

Agjenti “K”: Dilte e fuqishme fare.

Gjeli: Na e la hajt të rujt Zoti.

Agjenti: Hajt.

Këtë të diel, po mbahet seanca gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit për të arrestuarit në kuadër të operacionit “Rrjeta”, të akuzuar për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Në total janë 45 persona që do njihen me masën e sigurisë, ku për 37 persona është kërkuar masa e sigurisë “arrest me burg”, për 5 është kërkuar “arrest shtëpie”, ndërsa për 3 të tjerë është kërkuar masa e sigurisë detyrim paraqitje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë