Ne rrjet

Përgjimet, Kosova nis “dezinfektimin” e politikës nga krimi

Edhe pse bombat e njëpasnjëshme të përgjimeve nuk kanë çuar ende në ndekjen e asnjë zyrtari të lartë në Shqipëri, Kosova duket se ka ndërmarrë disa hapa për "dezinfektimin" e politikës nga krimi.

Pas publikimit të një video-përgjimi që e lidhte me grupe kriminale, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vendosur të largojë nga radhët e partisë së tij PDK të gjithë zyrtarët e inkriminuar apo që hetohen nga drejtësia.

Vendimi drastik duket se ka ardhur tre jave pas publikimit të një video-inçizimi, ku shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para dhe duke përmendur emrin e zotit Veseli.

I pari që është përjashtuar nga Partia Demokratike e Kosovës ka qenë Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrjeve në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj, i cili ka njoftuar të enjten se i ka dorëzuar kryeministrit Ramush Haradinaj dorëheqjen e tij nga posti i ministrit.

Dorëheqja e Beqajt vjen një ditë pas vendimit të Veselit për largimin e atyre anëtarëve të PDK-së që mbajnë poste publike dhe që janë të akuzuar për korrupsion dhe nepotizëm dhe lidhje me krimin e organizuar.

Vetë zoti Beqaj akuzohet për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës. Në një konferencë për media, Beqaj ka thënë se vepra penale për të cilën është duke u gjykuar nuk ka elemente që e lidhin me korrupsionin, por mediat në Prishtinë hedhin dyshime se ai është përfshirë në një sërë aktesh korruptive.

Besim Beqaj

Veseli ka thënë se vendimi për largimin e njerëzve nën akuza nga postet publike, nuk e konfirmon fajësinë e zyrtarëve të kësaj partie politike, që janë në procese gjyqësore, por i ofron mundësi drejtësisë të bëjë punën e saj.

Në një konferencë, lideri i PDK-së bëri të ditur se përveç Beqajt, kishte liruar nga detyra edhe zëvendësministrin e FSK-së Agim Çeku dhe sekretarin e partisë Nijazi Kryeziu.

“Në mandatin e ri si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam përcaktuar prioritetet tona themelore, si parti moderne me profil demokratik e perëndimor. Në fillim të kësaj jave, unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe veprave të neveritshme të abuzimit me pushtetin. Këtë presin qytetarët nga ne, sepse ata janë të ngopur me fjalë dhe duan të shohin veprime konkrete. Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë akuza që lidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirohen menjëherë nga detyra”, ka thënë Veseli.

Ky vendim i liderit të PDK-së ishte paralajmëruar dy ditë më parë në konventën e partisë, ku deklaroi se lëvizja e tij politike nuk do të kandidojë e as nuk do të mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që hetohen nga drejtësia.

Kadri Veseli

Nisma e kryeparlamentarit duket se erdhi pas publikimit të një përgjimi të vitit 2013, ku Veseli akuzohej për fajde, mashtrim dhe lidhje me grupe kriminale.

Gjithçka duket se ka nisur me marrjen e lejes për ndërtimin e një spitali privat në hapësirat e QKUK-së, e cila është bërë përmes fajdeve dhe mashtrimit nga një grup prej së paku 8 personash. Dy protagonistët në këtë video, flasin për shuma të mëdha parash që një biznesmen me emrin Faton Dalladaku thotë se i dha për t’u ndërtuar spitali privat. Teksa flasin për një anëtar të Partisë Demokratike të Kosovës, Rrahim Hashimin, si personi që do të ndihmonte Dalladakun për ta ndërtuar spitalin, ky i fundit, përmend edhe emrin e Kadri Veselit. Ai thotë se Veseli ka marrë 200 mijë euro ryshfet.

Në një konferencë, Kryeparlamentari ka thënë se nëse ajo që thuhet në video është e vërtetë do të jepte dorëheqjen.

https://www.youtube.com/watch?v=Ad7S-9izhAw

“Nëse del se është e vërtetë se jam përfshirë në këtë rast unë jam i gatshëm nga sot të jap dorëheqjen. Ky është morali im. Ky është besimi im. Kjo është politika ime. E them me siguri të plotë, emri im është keqpërdorur në këtë akt kriminal. Kur të dalë e vërteta e kësaj videoje, atëherë dikush duhet të japë llogari penale dhe institucionale. Pavarësisht a janë pjesë e policisë, sistemit të drejtësisë, ose politikës”, deklaroi Veseli.

Videoja e publikuar ngjalli reagime ndërsa lëvizja Vetëvendosje kërkoi dorëheqjen e Kadri Veselit në mënyrë që t’u hapet rrugë hetimeve.

Kadri Veseli, i njohur gjatë luftës me nofkën Luli, deri në vitin 2008 drejtonte Shërbimin Informativ të Kosovës, një organizatë e zbulimit e themeluar gjatë luftës në Kosovë, që është gjetur shpesh nën kritikat e partive politike rivale të PDK-së, të cilat e lidhin SHIK-un me veprimtari kriminale të periudhës së pasluftës. Pohimet e tilla janë hedhur poshtë vazhdimisht nga zoti Veseli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë