Ana e errët

Përgjimet mbi Rezart Taçin/ ‘Janë kriminelë, do arrestohesh’! Frika e partneres së ekonomistit italian për aferën. Paratë do shkonin nga Tirana në Hong Kong

Biznesmeni i njohur i naftës Rezart Taçi, është vënë nën hetim nga SPAK me akuzën për pastrimin e parave të mafies italiane.

Ka qenë pikërisht Prokuroria e Posaçme, ajo që ka sinjalizuar autoritetet ligjzbatuese italiane për një çështje, ku përveç kunatit dhe ish-truprojës së Taçit në Tiranë, janë përfshirë në hetime nga Antimafia e Palermos, edhe dy italianët: 90-vjeçari Francesco Zummo (i akuzuar dhe hetuar për pastrim parash dhe lidhje me ‘Cosa Nostra-n’) dhe ekonomisti i tij, Fabio Petruzella.

Mediat italiane, përveç se shkruajnë mbi të shkuarën e errët të dy të arrestuarve, tregojnë edhe detaje nga rruga që do të ndiqnin paratë e pista (nga Tirana në Hong Kong dhe pastaj në Singapor) dhe mbi frikën e partneres së Petruzzella-s, se një aferë e tillë “kriminelë”, do ta fuste në telashe Fabion.

Ndërsa Francesco Zummo, është një nga protagonistët e të ashtuquajturit “thes i Palermos”, i cili ka qenë nën hetim nga ish-gjykatësi Giovanni Falcone për lidhje me mafien dhe pastrim parash.

Fabio Petruzzella, ekonomisti i Zummo-s dhe ndëmjetësi kryesor i aferës me Rezart taçin për pastrimin e parave të mafies italiane në Shqipëri

Vëllai i gjyqtares që shpalli të pafajshëm Manninon

Si pjesë e të njëjtit hetim, u arrestua edhe kontabilisti Fabio Petruzzella, vëllai i Marina Petruzzella-s, gjyqtarja e Palermos që liroi Calogero Mannino-n, të akuzuar në gjyqin për negociatat e procesit të famshëm, Shtet-Mafia.

Ekonomisti, krahu i djathtë biznesmenit të ndërtimeve Zummo, dyshohet se ka ndihmuar t’i shpëtojë konfiskimit të rreth 18 milionë eurove të transferuara në një llogari bankare në Tiranë.

Hetimi përfshin gjithashtu një grup shqiptarësh që dyshohet se ndihmuan Zummo-n dhe bashkëpunëtorët e tij në operacionet e tyre financiare – masat shtrënguese ndaj tyre u urdhëruan nga SPAK – si dhe Daniele Castagalli-n, i hetuar nga prokurori i Napolit në kuadër të një hetimi tjetër dhe i arrestuar pas mandatit nga prokurori publik napolitan.

Hetimet në Palermo, nga shërbimi operativ qendror i policisë, koordinohen nga prokurori Francesco Lo Voi dhe ndihmësja e tij, Marzia Sabella. Në dhjetor, njëmbëdhjetë kompani, qindra llogari rrjedhëse dhe prona të përbëra nga apartamente të shumta, vila, toka dhe ferma të vendosura në Palermo dhe provincat e saj, si dhe pesë komplekse banimi në provincën e Sienës, ishin prekur nga urdhri i konfiskimit të DIA-s.

I hetuar nga ish-gjykatësi Giovanni Falcone

Ish-kryebashkiaku mafioz i Palermos, Vito Ciancimino, ortaku i Francesco Zummo-s në aferat për pastrimin e parave dhe të trafikut të drogës në Itali

Ish-partner i Ciancimino-s, Zummo, u hetua gjithashtu nga gjyqtari Giovanni Falcone dhe u dënua në shkallën e parë me 5 vjet për mbështetje dhe pjesëmarrje në organizatë mafioze dhe më pas u lirua në apel. Në vitin 2001, atij iu sekuestruan pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro. Dhjetëra të penduar e akuzuan atë se kishte transferuar shuma të mëdha parash me origjinë të paligjshme në institucione krediti jashtë vendit dhe veçanërisht në Zvicër, se kishte pastruar paratë e Ciancimino-s dhe “thesin” e ndërtimeve të Palermos dhe se kishte qenë në të kaluarën “në dispozicion” të “Cosa Nostra”-s.

Një pasuri e madhe e grumbulluar nga ndërtuesi palermitan, pavarësisht nga seancat e alternuara gjyqësore ndaj tij. Konfiskimi nuk kaloi në shqyrtimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit, e cila vendosi për Zummo-n masë për të qëndruar në paraburgim, por duke ia kthyer pasurinë. Gjykata Supreme, megjithatë, anuloi dënimet dhe urdhëroi një aktgjykim të ri të shkallës së dytë, i cili vendosi konfiskimin e të gjithë pasurisë.

Para dënimit, nga frika e një dispozite të re pasurore, ndërtuesi, sipas hetuesve, u përpoq të fshihte paratë, duke i çuar jashtë shtetit.

Në gusht të këtij viti, SPAK-u shqiptar raportoi te prokurorët publikë në Palermo se kishte bllokuar një llogari të hapur nga sipërmarrësi në një bankë greke në Tiranë me rreth 18 milionë euro nga institucionet zvicerane të kreditit. Petruzzella, një kontabilist nga Palermos që jeton në Milano, e ka ndihmuar Zummon për të fshehur paratë në këtë aferë në lidhje me Rezart Taçin.

Prokurorët italianë thonë se përgjimet ndaj tij janë vendimtare në këtë çështje. Edhe Petruzella kishte hapur një llogari në Shqipëri. Në kuadër të hetimit, i cili zbuloi përveç llogarisë 18 milionëshe në llogarinë shqiptare, DIA (Njësia Investigative Italiane), i sekuestroi Zummo-s fonde miliona euro në institucione të tjera krediti. Në dosjen e të dyshuarve është edhe djali i ndërtuesit, Injazio Zummo.

“Pizza Connection”

Emri Zummo-s, u shfaq për herë të parë në një hetim 42 vjet më parë. Një shënim i zbuluar në makinën e Michael Pozza-s, “personeli” i mafies kanadeze, i gjetur i vrarë në Toronto në vitin 1979, i prezantoi hetuesit me Francescon.

Menjëherë pas kësaj, Giovanni Falcone u përball me ndërtuesin e Palermos, duke hetuar një trafik të madh droge midis SHBA-së dhe Italisë, që u bë i njohur atëherë si “Pizza Connection” (Lidhja e picave).

Më pas, doli se disa nga llogaritë e kontrollit të Zummo-s, ishin përdorur për operacione që lidhen me biznesin e drogës. Që atëherë sipërmarrësi, i cili prej vitesh akuzohet se ka ndarë aferat kriminale të Vito Cianciminos, ish-kryebashkiakut mafioz të Palermos, është hetuar, gjykuar dhe nënshtruar masave parandaluese, por deri tani ka fituar gjithmonë.

Por tashmë, për të është caktuar “arresti shtëpiak”, i urdhëruar nga hetuesit italianë me kërkesë të DDA-së së Palermos (Njësia Distriktuale Antimafia) për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim parash.

Një masë që vjen si stuhi, pas vendimit të Apelit, i cili, duke rrëzuar vendimet e mëparshme, konfiskoi një thesar prej 200 milionë eurosh në apartamente, vila, makina, llogari bankare në Itali, Kanada dhe Ishujt e Virgjër.

Hetimi ndaj ish-ortakut tashmë 90-vjeçar të Don Vitos, do të kryhet nga Prokurori Publik i Palermos, i cili e arrestoi atë së bashku me llogaritarin e tij, Fabio Petruzzella.

Sipas prokurorisë, për të mbrojtur pasuritë e tij, Zummo, me ndihmën e një profesionisti, një ndërmjetësi dhe një grupi shqiptarësh të kryesuar nga Rezart Taçi, si një biznesmen nafte me lidhje politike, ka fshehur 23 milionë euro, duke i kaluar nga një llogari zvicerane në një bankë greke të nivelit të dytë me qendër në Tiranë.

Ka qenë SPAK ai që raportoi për operacionin e dyshimtë tek magjistratët e Palermos. Kështu lindi hetimi që çoi edhe në një sekuestrim maksimal të pasurive për 30 milionë lekë euro.

Para nga Tirana në Hong Kong dhe frika e partneres

Francesco Zummo (majtas), i akuzuar për një skemë pastrimi parash në Shqipëri, në bashkëpunim me biznesmenin e naftës, Rezart Taçi (djathtas)

E nëse në fillim Zummo u gozhdua nga deklaratat e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, sot, ndaj ndërtuesit palermitan që ka pastruar paratë e pista me “thesin e ndërtimeve” të Cianciminos dhe pastroi paratë nga trafiku i drogës, janë përgjimet dhe verifikimet bankare.

Në disa biseda, Petruzzella, i referuar si ndihmësi i Zummo-s, flet qartë me një bashkëpunëtor për operacionet financiare që duhen bërë për të pastruar paratë.

Për shërbimin e tij, llogaritari italian dhe biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi, kishin rënë dakord të ndanin një tarifë fitimi prej 4 milionë eurosh.

“Janë kriminelë”, i thotë partnerja Petruzzella-s, me frikën se aferat e tij do ta fusnin në telashe. Ajo kishte frikë nga më e keqja: “Fabio, shpresoj të mos arrestohesh nesër”. Dhe ai: “Arrest? Por nga çfarë … “. Ajo tashmë kishte kuptuar gjithçka: “Për pastrim parash”. Dhe ai përsëri: “Unë? Çfarë kam pastruar?”. Partnerja iu përgjigj me këto fjalë që tashmë tingëllojnë si një akuzë: “Paratë e Zummos”.

Por ai, edhe pse kishte marrë një mijë masa paraprake për të mos u përgjuar nga autoritetet ligjzbatuese, me sa duket besonte se ishte i sigurt dhe imun nga hetimi.

Dhe ai shpresonte ta kalonte shumën e parave nga Tirana në Hong Kong dhe pastaj në Singapor. Plan i ndalur nga Njësia Antikorrupsion e Palermos, e cila akuzon Zummo-n se ka përdorur profesionin e tij si sipërmarrës dhe kontaktet me botën financiare për të fshehur dhe investuar paratë e pista të mafies përmes llogarive të hapura në të gjithë botën.

Takimi me “plakun” dhe sherri në telefon i ekonomistit me Taçin

Njësia Investigative e Antimafias Italiane, e cila në bashkëpunim me SPAK-un shqiptar, zbuloi pastrimin e dyshuar të miliona eurove para të pista mes Italisë dhe Shqipërisë

Petruzzella tashmë kishte shkuar më tej, ai shkonte shpesh të takonte “plakun”, siç e quante ai, Francesco Zummo-n, në vilën e tij në “Viale Regione Siciliana”.

Petruzzella këmbëngulte, ai ndihej i sigurt. “Ai ishte në dijeni të paligjshmërisë së operacionit që po kryente, – shkruan gjykatësi në dosjen hetimore, – dhe planifikoi të vepronte më tej pa nxitim për të mos alarmuar Interpolin dhe autoritetin gjyqësor të Palermos”.

Në një moment, kishte edhe probleme. SPAK i kishte bllokuar ato llogari, Petruzzella protestoi te përfaqësuesit e tij shqiptarë, duke ulëritur në telefon: “A doni të dini se çfarë më tha klienti?. Ai thotë se po bën marrëveshje për t’i kthyer paratë në Zvicër”.

Para të tjera, megjithatë, do të zhbllokoheshin në Bahamas. Dhe në përgjime përfundoi edhe një pasazh, në të cilin flitet për “katër transferta në një bond argjentinas që është atje dhe nuk ka ndërmend t’i prekë”. Thesari i Zummo-s.

Hetimet e reja nga prokuroria e Palermos çuan në identifikimin e pasurive të tjera, ndaj në të njëjtën kohë, me dhënien e sekuestros së parë, Gjykata e Masave të Parandalimit, vendosi sekuestrimin e ri të pasurive, për 30 milionë euro.

Dhe kjo histori nuk mbaron me kaq. Një nga pastruesit e parave të rrjetit të Petruzzella-s, doli në një hetim nga Prokuroria e Napolit, ai ishte gjithashtu i përfshirë në pastrimin e parave të trafikut të drogës.

Burimi: “Corriere”; “Repubblica”, Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë