Ngjarje

Dyshohet si bashkëpunëtor i Taçit, 90-vjeçari italian kishte lidhje me ‘Cosa Nostra’-n

Italiani Francesco Zummo, është sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, i arrestuar në shtetin fqinj, si i përfshirë në skemën e pastrimit të parave mes Italisë dhe Shqipërisë.

Në këtë skemë, dyshohet se bënte pjesë edhe biznesmeni i njohur i hidrokarbureve, Rezart Taçi, tashmë i shpallur në kërkim dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Artur Balla (kunati i Taçit) e Bledar Lilo (ish-truproja), të arrestuar këtë të premte.

Sipas mediave italiane, Zummo ka qenë partner i ish-kryebashkiakut mafioz të qytetit, Vito Ciancimino (i vdekur në 2002). Atij i është komunikuar masa e ‘arrestit shtëpiak’ me akuzat për pastrim parash.

Zummo u hetua gjithashtu nga gjyqtari Giovanni Falcone (i ekzekutuar në një atentat mafioz në 1992) dhe u dënua në shkallën e parë me 5 vjet, por më pas u lirua në apel.

Në vitin 2001 atij iu sekuestruan rreth 150 mln euro, ndërsa u akuzua se kishte pastruar shuma të mëdha, duke i transferuar në llogari bankare jashtë Italisë, më së shumti në Zvicër, duke pastruar në këtë mënyrë para të thesarit të Cinaciminos dhe po ashtu ka qenë bashkëpunëtor i organizatës mafioze italiane, “Cosa Nostra” në të kaluarën.

Sipas mediave italiane, nga fundi i viteve ’60, Zummo, bashkë me partnerin Vincenzo Piazza (i konsideruar këshilltar besnik i një familjeje mafioze në Palermo) dhe me krahun e tij të djathtë, Francesco Civello, ishte ndër përgjegjësit kryesor për ndërtimet në Palermo. Sipas tyre, ai kishte krijuar një perandori ndërtimesh prej rreth 2700 pronash.

Përveç tij, është arrestuar edhe kontabilisti, Fabio Petruzzella, vëllai i një gjykatësi në Palermo. Ai dyshohet se e ka ndihmuar për të shpëtuar 19 milionë euro nga konfiskimi, duke i zhvendosur në një llogari bankare në Tiranë.

Hetimi përfshin gjithashtu një grup shqiptarësh që dyshohet se ndihmuan Zummon dhe bashkëpunëtorët e tij në operacionet e tyre financiare, të hetuar nga Prokuroria e Napolit, si pjesë e një hetimi tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë