Ish-deputetja demokrate, Grida Duma, deklaroi nga selia blu përmes një konference se, “pas Saimir Tahirit, në rrjetën e Antimafias Italiane ka rënë Erion Veliaj”.
“Përgjimet tronditëse të publikuara nga Ora News, konfirmojnë dhe dëshmojnë se Erion Veliaj dhe Edi Rama po e përdorin Tiranën si lavatriçe për paratë e pista, të mafias dhe krimit të organizuar, duke marrë 20 % të fitimit.
Përgjimet konfirmojnë se në Tiranë me lejet e ndërtimit, me koncesionet dhe me tenderat publikë pastrohen para për mafian italiane.
Këto ditë antimafia italiane shkatërroi një rrjet me 50 italianë dhe shqiptarë; mafiozë, biznesmenë, politikanë, që përbëjnë atë që njihet sot, edhe në Tiranë, si borgjezia mafioze.
Në përgjimet e njeriut kyç të Ndraghetës, biznesmenit Gallo, i cili bën lidhjen mes biznesit, mafias dhe politikës, konfirmohet se pjesa që merr Erion Veliaj nga lejet e ndërtimit apo pushteti i Edi Ramës nga koncesionet dhe tenderat është 20%”, tha Duma.
Më tej, ajo shtoi: ”Në këto përgjime dalin takimet e kryera të biznesmenëve ndërmjetës shqiptarë, mes Erion Veliajt dhe biznesmenit të Ndraghetës Gallo.
Janë bizneset e përbashkëta që miqtë e Veliajt dhe të Ramës kanë me bizneset e mafias italiane.
Janë bisedat mes tyre që tregojnë 20%-shin e Erion Veliajt për lejet e ndërtimit dhe 20 %-shin e qeverisë së Edi Ramës për tenderat dhe koncesionet”.
Sipas Grida Dumas, SPAK duhet të veprojë.
“SPAK duhet të bëjë detyrën! Shqiptarët kanë sakrifikuar jo pak dhe është investuar shumë edhe nga ndërkombëtarët që SPAK dhe drejtësia të veprojë. Deri tani asgjë!
Megjithëse provat i kanë të gatshme nga kolegët italianë, Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion nuk ka bërë asnjë veprim për të nisur hetimet për Erion Veliajn dhe implikimet e tij me biznesin e mafias italiane.
Arben Kraja, të lërë intervistat në media e të kryejë detyrën. Të zbatohet së paku standardi i vendosur për Tahirin.
SPAK është larg asaj që presin shqiptarët për të goditur korrupsionin e politikanëve dhe për të dërguar peshqit e mëdhenj para drejtësisë.
Shqiptarët meritojnë shumë më shumë”, tha ajo.
Reagon Veliaj
“Po ndjek përmes shtypit, se si dëshirat e disa mafiozëve italianë për të bërë plane biznesi për Shqipërinë dhe dëshirat e PD-së që këto plane të jenë të vërteta, na janë bashkuar në gojën e një trafikanteje të njohur apartamentesh...
E vërteta është se asnjë leje e Bashkisë së Tiranës nuk është e ndikuar nga grupe interesash, të lidhura me biznese të paverifikueshme. E vetmja gjë e paverifikuar për ne, mbetet se si Grida Duma u bë investitore pallatesh vite më parë, duke përfunduar në gjyqe për mashtrime dhe duke lënë burgjeve partnerët e saj në biznes”, thuhet në reagimin e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj. Ndërkohë, ai do të ndjekë në rrugë gjyqësore qëndrimin e Grida Dumës.
“Grida Duma do të duhet ta provojë në gjykatë shpifjen e saj të radhës, njësoj si 7 herët e tjera kur zyrtarët e PD-së janë gjykuar e shpallur si shpifës nga drejtësia!”, thotë ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.