Politike

Përgjimet hapin “Kutinë e Pandorës”

Me vendimin e Kolegjit Zgjedhor në xhep, socialistët kanë hyrë në javën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa opozita në ditët e fundit të përpjekjeve për të ndalur këtë proces, që sipas saj dhe Presidentit Ilir Meta është antikushtetues.

Beteja zhvillohet në disa fronte, ku më interesanti dhe më i nxehti në ditët në vazhdim pritet të jetë ai i përgjimeve. Zëra opozitarë kanë paralajmëruar të tjera përgjime që do të publikohen nga “Bild”, ku hamendësohet për ministra të kabinetit aktual të qeverisë, në biseda me elementë kriminalë për manipulim të proceseve zgjedhore.

Opozita thotë se përgjimet e publikuara deri më tani janë vetëm maja e ajsbergut dhe se shit-blerja e votës nga ana e Partisë Socialiste në zgjedhje nuk është kushtëzuar vetëm në zona të izoluara, si Dibra, apo Durrësit, dy dosjet e famshme “339” dhe “184”, por në të gjithë territorin e vendit.

Me parimin “sy për sy, e dhëmbë për dhëmbë” dhe pa mohuar përgjimet e dala deri më tani, elementë nga mazhoranca kanë paralajmëruar publikimin e përgjimeve ku përfshihen drejtuesit e opozitës, madje vetë Lulzim Basha.

Deputeti Pjerin Ndreu, emri i të cilit doli në përgjimet e “Bild” për zgjedhjet e Dibrës, flet për ekzistencën e përgjimeve që provojnë mënyrën e financimit përmes parave ruse të fushatës lobuese të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Kryetari opozitës i krimbur në para ruse, pa llogarit zullumet në vend, disa punonjës shteti që djegin KZAZ, një kryetar bashkie që ju lëshon zorrën e ujit policëve! Këta të gjithë qënkan normalë në sy të disa analistëve, ndërsa t’i kërkosh votën kryetarit tënd të partisë qënka anormale ! Me falni po këtu janë mbyt në llumin e parave ruse shumë vetë e media, e s’dinë çfarë thonë! Kur t’ju dalin përgjimet dhe mënyra e financimit rus të disave do të qelbet toka”, deklaron Pjerin Ndreu.

Po për këtë temë, Prokuroria ka sekuestruar pamjet filmike nga një intervistë në një emision televiziv të Lulzim Bashës, ku sipas saj jepen versione kontradiktore mbi burimin e financimit të fushatës lobuese në Uashington. Këto pamje do t’i paraqiten gjykatës nga ana e organit të akuzës për çështjen në fjalë. Për Bashën, hetimi është një farsë pas të cilës qëndron Edi Rama.

Në shënjestër të përgjimeve dhe dosjeve hetimore është vënë edhe Presidenti Ilir Meta. Në media është rikthyer dosja me numër “978”. Në 2009, prokuroria kishte vënë nën përgjim Kastriot Ismailajn, i dënuar me 11 vite burg për aferën CEZ-DIA. Dyshohet se pak ditë para zgjedhjeve të atij viti, është përgjuar një bisedë e Ismailajt me Ilir Metën, në atë kohë kryetar i LSI-së. Përgjimi nuk kishte si objektiv Ilir Metën, por biznesmenin Kastriot Ismailaj.

Mendohet se në këtë dosje ka patur shumë më shumë komunikime të tjera telefonike mes Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt, por që janë asgjësuar nga ana e Prokurorisë së Tiranës me vendim gjykate, pasi përgjimet janë vlerësuar si të paligjshme për shkak të imunitetit që Ilir Meta gëzonte si deputet i Kuvendit.

“Nesër në darkë (më 23 qershor 2009), duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro”, citohet në dosje një mesazh, që dyshohet se ka mbërritur në telefonin e Kastriot Ismailajt nga Ilir Meta në atë kohë.

Në dosje janë përfshirë edhe emra gazetarësh dhe biznesmenësh, sipas asaj që ka botuar gazeta “Shqiptarja.com”.

Kjo është lufta e hapur e përgjimeve që pritet të shpërthejë edhe më tej në ditët në vazhdim, efektet e së cilës pritet të lënë gjurmë të përhershme në klasën politike shqiptare, pavarësisht nëse më 30 qershor zhvillohen apo jo zgjedhje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë